Misteri, drama, thrilleri, komedia dhe spektakli erdhën premierë mbrëmjen e djeshme në një shfaqje të vetme “Sherlok Holms dhe Langoi i Baskervillëve” për publikun në teatrin Metropol.
Në këtë shfaqje disa prej aktorëve luajtën dy deri në trembëdhjetë karaktere. Në komedinë “Sherlok Holms dhe Langoi i Baskervillëve”, me regji dhe përkthim nga Shkëlzen Berisha interpretuan aktorët Amri Hasanlliu, Ermir Hoxhaj, Gentian Hazizi, Herion Mustafaraj, Klodjana Keco, Mirela Naska dhe Rozi Kostani.
Langoi i Baskervillëve bashkon dy zhanre letrare popullore: përrallën gotike dhe trillin e letërsisë detektive, duke mbajtur kështu kureshtjen e publikut të ngacmuar nga suspanca për të lidhur fijet e ngjarjeve dhe shijuar në maksimum proçesin e zbulimit.
Sherlok Holms sulmon legjendën e mallkimit Baskerville me armën e arsyes dhe të metodave shkencore të vëzhgimit, analizës dhe përfundimit. Megjithatë, kur Sherlok Holms nuk është në tregim dhe dr. Watsoni drejton komplotin, elementët gotikë e marrin përsipër rrjedhën e tij. Në krijimtari nuk ka një libër të dytë që të jetë marrë më shumë seriozisht personazhi sesa autori.
I hyrë në legjendë si një prej krijesave më të jashtëzakonshme dhe jetëgjata të fantazisë letrare, Sherlok Holms ka një aftësi të mrekullueshme për observim dhe deduktim: është i ftohtë, logjik, i rezervuar por edhe i gatshëm për veprim. pëlqen ta përcaktojë vetveten si një “tru, gjithë pjesa tjetër është një shtojcë”.
Shfaqja do të vijoj për publikun dhe në datat 14-23 dhjetor në Teatrin Metropol.