Enver Petrovci akuzon: Kalendari artistik mes Shqipërisë dhe Kosovës, marrëveshje në letër, sa për sy e faqe!

Diel, 16 December 2018 10:34

Kalendari artistik mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk ka dhënë rezultatin, që presin artistët. Në reagimet e tyre ata shprehen se duhet të kishte pasur më shumë vëmendje për zhvillimin e tij nga dy ministritë e Kulturës. Enver Petrvoci shprehet se më shumë ka mbetur një marrëveshje në letër, dhe nuk ka pasur ndikimin e duhur në jetën artistike. Sipas tij, ministritë e bëjnë nënshkrimin në letërdhe kur është pyetja për investimin nuk e bëjnë kurrë: “Janë marrëveshje, që bëhen vetëm në letër. Shikoni që kemi këtu drejtorin Kiço Londo dhe pa marrëveshje ka aktivitete, sepse ky e do teatrin. Nuk e ka bërë punën për një marrëveshje dhe e do bashkëpunimin. Ndërsa ministritë tona e bëjnë nënshkrimin sa për sy e faqe, dhe kur është pyetja për investimin nuk e bëjnë kurrë. Madje dhe nëse i shkon me ndonjë ide për të bërë ndonjë bashkëpunim as nuk dëgjojnë fare. Dhe kjo ministresha tani dhe te ata më parë, krejt ministrat as nuk e dinë se çfarë po kërkon ti. Nuk kanë kurrfarë ndjenje ndaj asaj që kanë nënshkruar, nuk iu intereson. Ju intereson nëse është një moment i rëndësishëm për ata, nëse kanë ndonjë përfitim qeveritar, por për popull jo”.

Sipas tij është Ministria e Kulturës, që duhet t’i ofrohet artistëve t’i ndihmojë në projektet artistike nëse ata kanë treguar se dinë të bëjnë mirë punën: “Për mua nuk ka pasur kurrfarë buxheti. Ky teatër ka shumë pak buxhet. Ministrisë së Kulturës as i bie ndërmend për këtë teatër”.

Problem për regjisorin dhe aktorin e njohur nga Kosova mbetet dhe mungesa  e dramës shqipe në skena: “Është Teatër Kombëtar dhe duhet të vendosësh tekste shqiptare kombëtare ndaj dhe quhet kombëtar. Nuk është mjaftueshëm vetëm me fol shqip, por dhe duhet të mendosh shqip”.

“Teatri është pasqyrë e një shteti, vijon aktori i shquar kosovar, Enver Petrovci, - çfarë niveli është teatri në atë nivel është dhe shteti. Nuk mund të bëhet teatri më i mirë se sa shteti, ose më i keq. Nëse është me probleme teatri ka dhe qeveria, nëse është në nivel të ulët teatri është dhe qeveria.  Ministria e vlerëson artistin aq sa vlerëson vetveten. Nëse e vlerëson artin e vlerëson dhe veten, nëse nuk e vlerëson veten, nuk e vlerëson as artistin. Mos i hidhni gjërat te artisti, sepse është vetëm pasqyrë e jetesës së shqiptarëve. Mos u gëzoni kur arti nuk është mirë. Nëse shteti investon jo vetëm me mjete por dhe me njerëz duhen investime konkrete. Është trup që ne nuk kemi një teatër kombëtar të dinjitetshëm, ku ne të krenohemi ja si duket teatri ynë kombëtar”. 

Login to post comments