“Vetmi” titullohet kënga me të cilën Lorela Sejdini vjen në Festivalin e Këngës. Në këtë pjesëmarrje të dytë në festival, 22 vjeçarja vjen si krijuese e këngës së saj në muzikë e vargje. Një baladë e cila flet për zhgënjimin që vjen nga një histori dashurie e përfunduar. “Me këtë këngë dua të jap imazhin e dashurisë së vërtetë. Dashuria përveçse një ndjenjë e bukur ka dhe dramën brenda, ka keqkuptime.” – shpjegon Lorela në intervistën e saj për “Mirëmëngjes Shqipëri”. Fabula e këngës nuk ka të bëjë me jetën e saj, por është një mendim filozofik mbi konceptin e dashurisë. “Një njeri përpara se të dojë dikë tjetër, së pari duhet të jetë 100 për qind vetja dhe te punojë me veten. Të dojë vetveten, pastaj tjetrin.” Lorela vjen në Fest’ 57 pas debutimit vitin e kaluar me këngën “Pritëm edhe pak” nga ku mori përjetime mjaft pozitive. “Vitin e kaluar kam pasur një emocion kaq të mirë nga ana e publikut. Ndaj këtë vit kur mësova që jam kualifikuar, u lumturova sepse nuk e prisja.” – tregon këngëtarja.