Nga Shaqir Çerpja
Varrit të gjyshit unë iu luta,
Me m'tregu pse m' thanë "shpellar"
Ma kuptoi brengën lahuta,
Nisi këngën një këngëtar.
Hajredin Pasha po vjen Radikës,
Me ushtri prej Anadollit;
Nis me i këndu "Lahuta"e Fishtës,
Gjoksit-shpellë, të Mic Sokolit.
Luma e Dibra e Kastriotit,
Luftë me shkja, me bijët e shkinës;
E djeg vendin me prush barotit,
Oso Kuka në kullët' Vraninës.
Ia thotë këngës malësori i Shoshit;
Shoqëron këngën një zanë mali;
Futet kënga në shpellë t' Vermoshit:
Në derë të shpellës doli Prek Cali.
Jehon zëri i çiftelisë,
S' ndaloi kënga n' kulla prej gurit,
Në derë të shpellës së Dragobisë,
Priti plumbat Bajram Curri.
Vaso Pasha e Stërmilli,
Rrinë me Mjedën në krye të vendit;
Këndon Gëzim Nika-zë bilbili,
Në dasmën e Norës së Kelmendit.
Migjenin e pyet At' Zef Pllumbi:
-"Luli i vocërr" çfarë po bën?
-Është Gjok Beci, i pagjumi,
Që mbledh shkronja dhe i bën këngë.
S' jam shpellar, as bir shpellarit,
Jam malësor e s' ndryshoj kurrë;
Jam shqiptar, ajka e shqiptarit,
Vdes për komb e për flamur.
★★★
Varrin e gjyshit prap e pyeta:
-Pse malsorit i thanë "shpellar"?
-Veç se ka e ruan tradita
E në plazh NUDO s' është larë.