Në prag të mbylljes së Vitit të Skënderbeut, mbrëmë në Krujë artistët u bënë bashkë duke risjellë në vëmendje dhe filmin “Skënderbeu” të vitit 1953, por nuk munguan dhe dy premiera të tjera filmi për të pranishmit. Nëpërmjet sekuencave filmike nga realizimi i filmit “Skënderbeu” u sollën në vëmendjen e publikut mbresa nga artistë dhe kineastë të njohur për këtë produksion, që u realizua dekada më parë. E ftuar speciale në këtë mbrëmje festive të kinemasë ishte motra e Gjergj Kastriotit në rolin e Mamicës, Adivie Alibali Sharofi, e vetmja aktore që mban jetën gjallë si dëshmitare në realizimin e këtij filmi, që i reziston kohës edhe sot. Ky show kinematografik ishte nën moderimin e Silvana Braçes, dhe u organizua nga Bashkia e Krujës, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Production Cinemania. Producenti Skënder Jaçe tregon se ky aktivitet është në vijim të veprimtarive që janë bërë dhe në qytete të tjera me filmat, por në Krujë merr një rëndësi të veçantë pasi zhvillohet në kuadër të Vitit të Gjergj Kastriotit Skënderbeu. “Filmi “Skënderbeu” është një produksion gjigand shqiptaro- rus i vitit 1953 nga regjisori i njohur rus Sergei Yutkeviç, ku luajnë dhe artistët shqiptarë si Naim Frashëri, Adivie Alibali, Besa Imami, Marie Logoreci, Ndrec Shkjezi, Kadri Roshi, Mihal Popi, Lec Shllaku etj. Në rolin e Mamicës, Adivie Alibali Sharofi, e vetmja aktore që mban jetën gjallë si dëshmitare e filmit, duke na sjellë të gjallë luftën heroike dhe qëndresën e madhe kundër perandorisë otomane, të heroit tonë kombëtar luftëtarit dhe diplomatit Skënderbeu lozur me mjeshtëri nga aktori rus Akaki Khorava”, u shpreh kineasti Jaçe para fillimit të këtij aktiviteti në Krujë. Filmi “Skënderbeu” u shfaq në Shqipëri në 28 nëntor të vitit 1953 njëkohësisht dhe në Moskë. Në USA 3 korrik 1954 në New York. Si dhe në 10 shtete të Evropës si: Gjermania, Franca, Italia, Spanja, Danimarka, Suedia etj.