Muzeu Historik Kombëtar, Polo Biblio-Museale e Provincës së Leçes, Muzeu Castromediano në Leçe dhe Ambasada e Shqipërisë në Itali çelën ekspozitën “Scanderbeg. Un eroe albanese in Puglia”. Muzeu Historik Kombëtar u paraqit me objekte dhe libra kushtuar figurës së heroit tonë kombëtar si riprodhimi i përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut, si edhe armë të asaj periudhe. “Kjo ekspozitë erdhi si frut i marrëveshjes ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar, Museo Civico di Bari dhe Polo Bibliomuseale të Rajonit të Pulias nën kujdesin e Fondacionit Gramsci në Pulia. Me qëllim që të fillohet promovimi i përbashkët i njohurive të iniciativave historike nëpërmjet përgatitjes së ekspozitave dhe promovimin e projekteve kërkimore, duke e imagjinuar Adriatikun jugor si një distrikt të vërtetë kulturor, në të cilin integrohen ndërmarrjet e nismave të përbashkëta të pranishme në territore të ndryshme, duke marrë pjesë së bashku me thirrjet evropiane”, shkruan MHK.
Ekspozita “Scanderbeg. Un eroe albanese in Puglia” është një mundësi e çmuar për të reflektuar mbi marrëdhëniet historike që heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka pasur me rajonin e Pulias dhe dokumentet unike që janë mbledhur nga pala italiane për këtë ekspozitë, të cilat na japin fakte të rëndësishme historikë për periudhën e mesjetës. Gjergj Kastrioti - Skënderbeu (6 maj 1405- 17 janar 1468) sintetizon një epokë të tërë historike që mori emrin e tij: luftën njëshekullore kundër pushtimit osman (fundi i shek. XIV - fundi i shek. XV). Nën udhëheqjen e tij, lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë më të lartë e më të organizuar dhe shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të Shqipërisë. Epoka e Skënderbeut e shekullit XV dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe për rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre. Të frymëzuar prej tyre, intelektualë të shquar shqiptarë, i pasqyruan e i përjetuan ato në vepra historike monumentale, në të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare. Gjergj Kastrioti - Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptarë që udhëhoqi më vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Ai realizoi të parin bashkim të shqiptarëve, Lidhjen Shqiptare të Lezhës, e cila hapi rrugën e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, themeluesi i të cilit u bë ai vetë.