“Një ballo me maska”: Saimir Pirgu si protagonist i një skenografie gjysmëshekullore

E Enjte, 10 Janar 2019 15:50

Saimir Pirgu do të jetë një nga protagonistët që do të inaugurojnë Sezonin Lirik 2019 përmes veprës “Një ballo me maska” të Xhuzepe Verdit. Shfaqja do të risjellë skenografinë që Carmignani krijoi 50 viteve më parë

Ruajtja dhe ripropozimi i vlerave të artit për një komb është thelbësore, pasi “pa të shkuar nuk ka të ardhme”. Është ky mesazhi që vjen nga Teatri “Regio di Parma” që këtë të shtunë përmes  “Një ballo me maska” të Xhuzepe Verdit do të inaugurojë Sezonin Lirik 2019 me rastin e 100-vjetorit verdian të vitit 1913. Një nga protagonistët e kësaj shfaqje do të jetë tenori shqiptar Saimir Pirgu, i cili do të shoqërohet nga emra, si Leon Kim, Irina Churilova, Silvia Beltrami dhe Laura Giordano. Shfaqja do të jepet gjithashtu në 16,17,18, 19 dhe 20 janar dhe i bënë homazh Marcello Colonatit, një prej muzikantëve të njohur italianë të ndarë nga jeta në fundvitin që lamë pas. Përmes skenografisë së “Një ballo me maska” publiku do të ketë mundësinë të përjetojë një zhvendosje historike afro gjysmëshekullore, pasi organizatorët kanë zbuluar dhe rijetësuar skenografinë e piktorit Giuseppe Carmignani, duke riofruar një pjesë të shkuarës artistike. Sipas drejtueses së këtij teatri një qasje e tillë synon të vendosë artdashësit përballë një skenografie që rrëfen atë që teatri italian ka qenë, vlerat e konservuara që mbeten të tilla në kohë si pjese e traditës më të pastër të teatrit italian. Përpos kartës skenike të rikuperuar pas një pune kolosale për skenën e ripropozuar do të përshtaten mobiliet, objektet, kostumet dritat dhe lëvizjet e artistëve.

Ndërgjegjësimi për vlerat artistike të trashëguara

Gjatë punimeve dhe kërkimeve në teatër do të ishte një telefonatë që do të paralajmëronte rigjizgjimin e një letre të pikturuar jo të zakontë. Drejtuesja e teatrit “Regio di Parma” Anna Maria Meo falë kujdesit të stafit ndër vite do të kishte mundësi që të gjente në këtë institucion, kryevepra skenike të vitit 1913 që mbanin firmën e Giuseppe Carmignani . “Morëm pak kohë për të reflektuar, por mandej na u duk jo thjesht  detyrim moral, por diçka e natyrshme që të vendosnim ta rijetësonim këtë skenografi në teatrin e  “Regio di Parma”, shkruan shekulli. Kështu vendosëm të bënim një investim, duke e restauruar dhe duke rikrijuar një produksion mbi këtë trashëgimi historike kaq të rëndësishme”. Rikonceptimi e një regjie që natyrisht sot nuk është më do t’i besohej Marina Bianchi-t. Mandej për kostumet e reja u zgjodh Lorena Marin. Do ta plotësonte shkëlqimin e kësaj panorame skenike Guido Levi, i ashtuquajturi “magjistari i madh i dritave”. “Pas kësaj skenografie në letër të pikturuar qëndron ndërgjegjësimi për vlerat e trashëguara, të cilat në ditët e sotme janë në rrezik. Një rrezik për të humbur vlera arti që vende të tjera mund t’i kenë lënë të zhduken. Ne i kemi mbrojtur dhe kjo na lejon sot që të udhëtojmë në kohë në 1913-ën”.

 

Skenografia, piktori rrëfen punën për rijetësimin e saj

Piktori dhe skenograf Rinaldo Rinaldi rrëfen se kur u gjend përballë një kryevepre të tillë skenografike u impresionua nga vrazhdësia kromatike si dhe kuraja e artistit në përdorimin e ngjyrave ku mund të lexohej i gjithë rrugëtimi i pikturës nga lindja por mbi të gjitha piktura e fundit të viteve ‘800. “Pra hasa një siguri të madhe të Carmignani-t në përdorimin e penelit dhe një njohje shumë e mirë e perspektivës . Gjithçka vinte si një trashëgimi e njohjes së një skenografi të atyre viteve”. Ai rrëfen se fillimisht propozimi për të risjellë skenografinë iu duk një çmenduri e vërtetë duke pasur parasysh dëmtimet e mëdha që letra kishte. Mandej fakti që të pesta skenat ishin të plota (me përjashtim të disa elementëve jo të pazëvendësueshëm) bëri që të merrte përgjegjësinë për rikrijimin e saj. “Që në fillim kur e hapëm letrën, vumë re copëza të saj që fluturonin nga të gjitha anët. Përpos kësaj na duhej të eliminonim vizat e letrës që ishin krijuar si pasojë e palosjes. Duheshin patjetër të hekuroseshin, sepse bëhet fjalë për një palosje 50-vjeçare. Shpesh hasnim copëza që nuk ishin, hapësira bosh deri në një metër . Këto u mbyllën me letër skenike të ngjashme me atë origjinalen, e mandej u desh të ringjallnim ngjyrat”.

“Adhuroj rikuperimin e artit, pa të shkuar nuk ka të ardhme”

Për regjisoren Marina Bianchi ky lloj teatri është karakteristik i vendit të saj, Italisë. Për të është thelbësore rikuperimi i vlerave dhe pjesëve të tilla pasi bëjnë të mundur ruajtjen e krenarisë së artit, artizanatit dhe profesionalitetit italian. “E adhuroj ruajtjen dhe rikuperimin e artit, pasi sipas meje pa të shkuar nuk ka të ardhme. Çdokush nga ne mbart me vete historinë e tokës së vet, e njerëzve të vet. Në këtë moment po flas për tokën e Verdit që është e një rëndësie tepër të madhe”.

Censura mbi veprën

Mes një agjende të ngjeshur tenori Saimir Pirgu ndali në Shqipëri gjatë fundvitit që lamë pas për t’i bërë një homazh artistit e ndjerë, Mjeshtrit të Madh të muzikës shqiptare, Gaqo Çako-s. Ndërsa 2019-ta e gjen Pirgun në Italinë fqinje ku do të jetë gjatë kësaj fundjave si protagonisti i “Një ballo me maska”, një dramë që rrëfen një histori rrëngjethëse mes dashurisë dhe vdekjes. Vepra bazohet në historinë e mbretit të Zvicrës, Gustavit të III-të, i cili pre e një komploti të planifikuar gjatë një balloje me maska. Libreti i Antonio Somma-s,  i është dashur të përshtatet me diktatet e censurës fillimisht ishte menduar për t’u shfaqur në teatrin San Carlo të Napolit. Mirëpo historia do të spostohej nga Evropa në Amerikë dhe sovrani protagonist do të shndërrohej në një guvernator të një kolonie angleze. Vepra pati edhe një sërë ndryshimesh të tjera përpara se të debutonte në Teatrin “Apollo” të Romës në shkurt të vitit 1859. Pavarësisht censurës dhe pengesave që hasi “Një ballo në maska shënjoi një sukses brilant në karrierën e Verdit.

Login to post comments