Në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivoli” në vijim të sezonit artistik për publikun vjen një tjetër premierë teatrore. “Artisti i vetëm”, një vepër që mban emrin e dramaturgut dhe romancierit të njohur gjerman Ralph Hammerthaler në skenë është me regji nga Naim Berisha, i cili është dhe protagonist në këtë shfaqje. Monodrama në teatër edhe këtë herë do të përcjellë mesazhe për publikun mbrëmjen e datës 18 janar, që është dhe premiera. Monodrama "Artisti i vetëm " trajton një temë shumë aktuale sociale dhe ka mesazh universal. “Artisti i vetëm” trajton dramën e brendshme të një artisti të madh, i cili për shkak të degradimit të artit dhe shijes se publikut, përjashtohet nga shoqëria me dhunë, për t’u vënë në situatë të skajshme jetësore dhe ekzistenciale. Personazhi i vetëm i kësaj shfaqje Hans Klip, gjatë prezantimit të tij të fundit para publikut të tij të zgjedhur rrëfen jetën e tij, momentet kulminante artistike në të kaluarën dhe dramën e tij në të tashmen. Në fund të tekstit Hans Klip vetëlargohet dëshpërueshëm nga arti i tij dhe nga vetvetja, duke rënë në humnerën e pakthyeshme të dëshpërimit. “Vepra në mesazhin e saj, bën thirrje për kthimin e vlerave kulturore, në një shoqëri që është zvetnuar nga vlerat e mirëfillta dhe paraqet protestën më sublime kundër antivlerës", shkruan teatri për këtë shfaqje në skenë. Aktori Naim Berisha në aktivitetin e tij me teatrin së fundi ka realizuar monodramën “Artisti i vetëm”, me çka ka dashur të tregojë se akti i krijimit është edhe individual, pastaj magjia e tij është, nëse arrin të bëhet i pranuar nga të gjithë. Në aktivitetin e tij artistik me teatrin aktori nga Kosova Naim Berisha është i njohur për punën e tij me shfaqje të ndryshme. Këtë muaj të parë të vitit ai është në Tiranë me një nga veprat, që dhe në botë është e njohur dhe e vlerësuar me mesazhet, që përcjell te publiku.
Aktori Naim Berisha me këtë vepër me herët është prezantuar dhe në skenat e teatrit në Kosovë. Më herët ai është shprehur se të ndërtosh një rol, është proces i njëjtë si ndërtimi i një shtëpie. “Së pari kërkohet një studim teorik i personazhit, rrethanave në të cilat ai vepron dhe identifikimi i elementeve analoge dhe diferenciale me të. Kjo korrespondon me hapjen e themeleve të një shtëpie. Në fazën e dytë fillon vëzhgimi i personazheve që aktori i gjen në jetë, duke marrë nga ato elementet e nevojshme që i duhen personazhit skenik”, ka pohuar aktori. Autori i monodramës Ralph Hammerthaler ka lindur më 2 dhjetor 1965 në Wasserburg në Gjermani. Aktualisht jeton në Berlin, ku ushtron veprimtarinë e tij prej shkrimtari. Gjatë viteve ai botoi romanet “E tëra në rregull”, “ Por ky është kapitulli tjetër”, "Rënia e Friderich Voss” dhe “ Një romancë e shkurtër krimi”. Në vitin 2006-2007 ai punoi si dramaturg në Berlin Schaubuhne. Libreti i tij “Bestmanoper” për kriminelin nazist të luftës Alois Brunner u luajt si vepër muzikore nga Alex Nowitz. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë të botës dhe janë luajtur në Berlin, Halle, Dusseldorf, Munyh, Mexiko City dhe në Omsk. Ai ishte i angazhuar si zyrtar në Dresden (2011), Rheinsberg (2012) , Prishtinë (2013) dhe Split ( 2014) . Ai gjithashtu shkruan në “Suddeutsche Zeitung” mbi letërsinë spanjolle dhe atë të krijimtarisë latino- amerikane.