Arratisje në magjinë e fjalës poetike (“Simfonia e qiellit të bruztë”, Azem Osmani)

Premte, 01 February 2019 18:06

Nga Dr. Rovena Vata, Studiuese/Pedagoge

“Shpirti pëshpërit, flet, bërtet dhe qan, por kur është shpirti i një poeti atëherë ai i lehtëson të gjitha ndjesitë e tij, përmes penës dhe letrës së bardhë”. Më këtë fjali dëshiroj ta filloj recensionin për librin me poezi, me titull: “Simfonia e qiellit të bruztë”, me autor Azem Osmanin.

Pasi lexova dhe u përhumba disa herë rrjesh në këtë vëllim poetik, më bën të mendoj se arti është magjia e shpirtit për një poet, siç janë edhe fjalët e kësaj poezie që ka marr titullin e veprës: “Flakë u kall dielli,/ Pa kafshatë dashurie mbeti,/ Në tela rrezesh/ Me hark violine,/ Luante simfoninë,/ E qiellit të bruztë”.

Poezitë e përzgjedhura nga autori janë poezi të hedhura në letër në çastin e frymëzimit dhe të ndjesive të momentit. Poezi që në kohë janë të krijuara në dy vitet e fundit në 2017 dhe 2018, kurse në hapësirë janë të vendosura në kohë pa kohë, në kufijtë të papërcaktuar. Poezi të shkruara me tharm poetik dhe magjinë e ndjenjave të përditshme dhe të hapësirës së pafundme të gurrës poetike të poetit.

Poezi që herë herë na vijnë si të kodurara dhe herë- herë të zbërthyera, që në titujt e tyre. Duke u bazuar në këto titujt, dallojmë tematikat që ato kanë në brendësi të tyre, si titujt: “Mbroj kohën nga ndotjet”, “Ahishtë e flladit”, “Gjethe vjeshte”, “Pulëbardha ime”, “Buzëqeshje e mjegullt”, “Gjurmë shkronjash”, “Loti, “Historia e lisit”, “Në kërkim të shpresës”, “Nata”, etj.

Ngjyrat që pikturojnë këto poezi vezullojnë si një ylber shumëngjyrësh, i cili shkëlqen harkor pas një shiu të rrëmbyer apo vezullimit të valëve të detit, pas një egërsimi dhe tërbimi nga zemërimi i llahtarshëm.

Autori e hap vëllimin më poezinë: “Mbroj kohën nga ndotjet”, duke dashur të thotë se koha është dhurata më e çmuar, që dikush mund të të dhurojë në jetë.

Duke kërkuar të “arratiset” nga realiteti poeti e gjen qetësinë shpirtërore dhe frymëzimin magjik, për të thurur vargje në ahishtën e flladit magjik me dell poetik.

Poeti në këto vargje derdh gjithë emocionet poetike, ndjenjat njerëzore, filozofinë e jetës dhe gjetjen e lumturisë në përjetësi, duke kërkuar muzën dehëse të poetit të përhumbur:

“Në Ahishtën e flladit,/ Shfletoj përjetime,/ Shpall veten të përhumbur,/ Nga bota e zhytur në trazime”., apo më tej autori shkruan: “Mbetjet e kohës do t’ia fal djallit”, duke dashur të na rikujtojë se koha jonë është fuqia jonë dhe thesari ynë më i çmuar, duke dashur të na thotë se mos lër që askush të ua vjedh kohën. Koha është dëshmitari për të mirat dhe të këqijat në këtë botë.

E veçanta e këtij poeti qëndron në fjalët kyçe, të cilat i përdor si, çelësa magjikë për të hapur çdo zemër artdashëse, siç vijnë si një meteor në secilin poezi, si: fjalët:

Fllad, përjetim, dehje, rreze, pulëbardhë, buzëqeshje, pentagram, qershingrënës, frymëmarrje, ledhatime, fytyrëbardhë, gjuhë, identitet, histori, vezullimë, strehë, ujëvarë, çaste të fatlumtura, stërkala fajësie, lazdrim, trille bukurish, valle djajsh, puhiza e detit, letër dashurie, rrënoja të shtresueme, leqe të nënujshme, stërkalat e ftohta, pluhur sheqeri, gjuha e shenjave, ëndërr futuriste, diell i dalldisur, furra e hipokrizisë, dhoma e mëshirës, pentagramin e muzës, kazan virtual, miklimet e flatrave, pasione të zjarrta, fati i Rozafës, e kuqja e dashurisë, çeizi i nusënisë.

Duke na paraqitur një botë sa reale aq edhe mistike, sa të prekshme aq edhe fantastike, fantazia poetike është fija lidhëse e fjalës dhe e gjuhës artistike, për të na ‘degdisur’ në një botë të këndshme, ku jo vetëm trupi, por edhe shpirti gjen qetësi dhe prehje.

E shprehur përmes vargjeve, poeti shprehet: “Ndoshta, pse s'isha dhe unë një zvarranik,/ Apo ndoshta, se me ca rreze bëja dashuri”.

Syrit dhe penës së poetit nuk i shpëton edhe një gjethe vjeshte, ku përmes poezisë së tij, nuk na kujton thjeshtë vjeshtë, rënien e gjetheve dhe zvetënimin me ardhjen e kësaj stine, përkundrazi poeti e quan ‘nuse’ vjeshtën dhe gjethja e veshur me ngjyra-ngjyra, ku mbizotëron ngjyra e floririt, ku gjethja e vjeshtës është streha e dashurive të zjarrta.

Një shpirt i paqtë prej poeti nuk mund të mos kishte edhe dedikime me fjalë zemre, për njerëzit që të godasin shpirtin me dashuri dhe frymëmarrje.

Poezia: “Pulëbardha ime”, i është dedikuar mbesës së tij, me rastin e ditëlindjes së saj të parë, e lindur me 10 shtator 2017, Hanës e cila ka një emër kuptimplotë dhe që për poetin Hana sjell qetësinë e shpirtit, sjellin dritën dhe mirësinë e botës.

Për poetin më e rëndësishme është lumturia dhe buzëqeshja e Hanës, ku i shkruan se: “Do gjej pulëbardhën time të vockël,/ Të m’i shërojë plagët e mallit,/ Dhe nga dashuria,/ Të m’i nxjerrë me sqepar,/ Gozhdët e largësisë,/ Ta nuhas erëmirën,/ Gjithë atë nektar,/ Të lules sime Hanës”.

Tema universale për poetin në këtë vëllim gjejmë për dashurinë, për dashurinë në çdo kohë dhe në çdo stinë, kjo ndjenjë e bukur vjen më e qartë në poezinë: “Dashuri dimri”, ku shkruan vargjet: “Fjollë bore luledimri,/ Binte me forcën e rëndesës,/ Mbi avujt e dashurisë,/ Përthithej në pak sekonda”.

Poetin në këtë vëllim e shqetëson edhe gjuha e mëmëdheut të tij, gjuha e nënës, gjuha e zemrës, e dedikuar në poezinë: “Gjurmë shkronjash”: “Makinës së asfiksuar,/ I rrinte një letër e bardhë,/ Në gurmazin e zi,/ Në të ca gjurmë shkronjash,/ E lënë në gjysmë,/ Fjala dashuri”.

Duke ditur se viti 2018, i quajtur si viti mbarëkombëtar i Gjergj-Kastriotit-Skënderbeut, poeti i ka shkruar poezinë: “Rrënjë fisnikërie”: “Shekujt i spërkatëm,/ Me emrin tënd, Gjergj,/ Rrënjë fisnikërie ruajmë,/ Nëpër hoje bletësh,/ Në bebëza ngjyrosur,/ Peizazhe të mprehta shikimesh,/ Si vringëllima shpate”.

Poeti duke qenë mbi të gjitha një njeri dhe duke parë dhe përjetuar vitet e luftës së vendit të tij, lufta e Kosovës, normale që nuk po i shpëtonte për t’i thurur vargjet me titullin: “Violina” dhe duke vijuar më pas me fjalët më rrëqethëse: “Violina dhuratë ditëlindjeje,/ Më rri prej motesh e virgjër mbi oxhak,/ Sa ditë e netë shkelën njëra mbi tjetrën,/ Por telat nuk u mësova t’ia dredh dot”.

Një vëllim me poezi ku titujt e poezive, motivet dhe tematikat japin një mozaik shumëngjyrësh, të cilat përcjellin shpirtin njerëzor dhe universal të poetit.

Login to post comments