Artan Imami dhe Indrit Çobani sjellin shfaqjen “Mashtrimi” te “arTurbina”

Saturday, 02 February 2019 14:31

Në skenë te “arTurbina” mbrëmë u shfaq vepra teatrore “Mashtrimi”, shkruar nga autori Antony Shaffer me regji nga Artan Imami. “Sleuth” (Mashtrimi) është vendosur në skenë më 12 shkurt të 1970, në teatrin St.Martin dhe pasi mori çmimin si vepra më e mirë e vitit u shfaq vazhdimisht në skenat britanike për tetë vjet radhazi. Pas kësaj ende sot është një nga veprat më të vëna dhe më të para në skenat e mbarë botës, shkruan Teatri Kombëtar. Vepra në skenë interpretohet nga aktorët Artan Imami, Indrit Çobani dhe pas mbrëmjes së të premtes shoqëron publikun në sallën 150 te “arTuribna” edhe mbrëmjen e së shtunës dhe të dielës. Aktori Artan Imami vjen në rolin kryesor atë të Wyke, në atë të Milo Tindle të dashurit të gruas interpreton aktori Indrit Çobani. Regjisor dhe aktor në shfaqje Artan Imami e nis këtë vit me një nga kryeveprat e dramaturgjisë që ka njohur suksesin në botë, por nuk mungon dhe në skenën shqiptare për publikun këto ditë të muajit shkurt. “Në një skenë të re dhe detyrimisht kemi qenë të detyruar ti përshtatemi sallës dhe skenës te “arTurbina”. Kjo është vepra e parë që vij në skenën e teatrit për këtë vit”, tregon aktori Artan Imami. “Mashtrimi” në skenë është me skenografi nga Genc Shkodrani.  Vepra i zhvillon ngjarjet në shtëpinë e dinastisë Wiltshire të shkrimtarit të suksesshëm Andrew Wyke. Shtëpia e tij duket si një reflektim i veprave që shkruan. Në dijeni të tradhtisë të së shoqes, fton në shtëpi të dashurin e saj, Milo Tindle, dhe e bind që të grabisë bizhuteritë e gruas. Që prej këtij propozimi, zë fill një zinxhir ngjarjesh që e mban lidhur publikun edhe në dilemën nëse ajo që po shohin është e vërtetë apo fryt i fantazisë së Wyke dhe fillon realiteti.

Më herët për këtë vepër autorit Anthony Shaffer është shprehur se ajo ishte pjesërisht e frymëzuar nga një prej miqve të tij, kompozitori Stephen Sondheim, i cili mishërohet në rolin e Wyke. “Sleuth” konsiderohet si një thriller i klasit të parë, mbushur me intriga, kthesa të befta dhe një suspansë të vazhdueshme. Gjithashtu, është një lloj parodizimi i literaturës policeske dhe investigative, por nga ana tjetër përdor të gjithë elementet e zhanrit në fjalë për të arritur qëllimin e tij artistik. Praktikisht, vepra është një studim dramatik i betejës për seksualitet dhe xhelozi, midis një të riu dhe një burri në moshë. Vepra e Antony Shaffer  (Mashtrimi), fituese e çmimit “Tony Award”, ka qenë dy herë burim frymëzimi për botën e kinematografisë. Në vitin 2007 e sjell regjisori Kenneth Branagh, me skenarin e përshtatur për film nga Harold Pinter dhe aktorët Jude Law dhe Michael Caine. Ky i fundit (M.Caine), ka interpretuar gjithashtu edhe ne versionin e 1972-it përkrah Laurence Oliverit. Nën regjinë e Joseph L. Mankiewicz, në filmin kandidat për 4 çmime Oscar. Teatri Kombëtar shkruan se nuk duhet humbur rasti për ta parë këtë tekst brilant edhe në skenë duke e jetuar emocionin, misterin dhe lojën live nga dy aktorët e mrekullueshëm Artan Imami dhe Indrit Çobani. “Një shkrimtar pasanik, adhurues i teatrit, fton në shtëpi dashnorin e gruas së tij - aktor. Ajo që nis si një dyluftim dashurie, po të përfundojë në një luftë/lojë për dinjitet dhe krenari...a do të ketë një fitimtar? “Mashtrimi” 1, 2, 3 Shkurt te “arTrubina” a do ta zbuloni dot se kush prej tyre mashtron? Më mirë?”, shkruan teatri. Ndërkaq që New York Times e ka cilësuar si kryevepër. “Një kryevepër argëtuese ku konflikti seksual ndërthuret me atë klasor dhe racor dhe drama e tragjedia transmetohen nga një humor i zi”, shkruan New York Times.

Login to post comments