‘Karnavalet e Korçës’ goditën maskat e shqiptarëve në Prishtinë

Premte, 22 February 2019 16:23

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës u dha premiera e shfaqjes “Karnavalet e Korçës“ me regji të Altin Bashës dhe tekst nga Spiro Çomoa.

Në familjen e njohur shqiptare të tregtarit Nikollaq Jorganxhiu (Luan Jaha), ndodhë nami kur vajza e tyre Afroviti (Edona Reshitaj) tashmë 30 vjeçare, mbetet pa martuar. Nikollaqi dhe gruaja e tij Olimbia (Ilire Vinca) ngrisin në këmbë gjithë Korçën në kërkim të dhëndrit të duhur.

Ai duhet të jetë i shkolluar, të ketë zë në fshat dhe një pasuri që të ia mbushë syrin babait lakmues, Nikollaqit, i cili ka kthyer shumë krushq vetëm për këtë arsye. Këtu nisin edhe situatat komike që bëjnë për të qeshur publikun e teatrit.

Mirëpo një maskë e cila është thelbi i skenografisë së shfaqjes në të cilën aktorët luajnë është elementi i parë që tregon se kjo shfaqje shkon përtej komedisë. Ajo thumbon edhe disa elemente negative në shoqëri përmes tekstit të Spiro Çomoasë shkruar gjatë vitit 1936, e që akoma janë të pranishme.  Zgjedhja e këtij teksti nga regjisori Altin Basha është edhe një protestë ndaj paragjykimeve ekzistuese për trashëgiminë kulturore shqiptare në fushën e dramaturgjisë.

“Dëshira e mirë për me gjetë elemente të veçanta brenda një vepre e bën më të lehtë punën e regjisorit për me u kapë në ato elemente, për me i zhvillu dhe me kriju mbi to, për me nxjerr sigurisht një punë që mundet me rezonu edhe në publikun modern. Kjo është një përpjekje që duhet ta bëjmë jo vetëm në fushën e dramaturgjisë por kudo pasi që ky është identiteti jonë dhe në këtë mënyrë mund ta zhvillojmë artin dhe kulturën tonë”, tha ai duke theksuar se ka edhe autorë të tjerë të cilët presin e që kanë nevojë për besim dhe shumë frymëzim për të punuar me veprat e tyre.

Familja Jorganxhi shfaqë disa aristokratë të shtirur, që kanë udhëtuar nga Korça për në Venecia nëpër Detin Mesdhe me tren, njohës të mirë të gjuhës frënge ku zotërisë i thonë “mademoiselle”. Një familje e tërë me artistë ku postet e drejtorit, organizatorit, sopranos, tenorit, brenda një koncerti i mbajnë anëtarët e një familjeje. Familje e cila pushtetin e saj e shfaqë mbi shtresat e margjinalizuara ndërsa ju përkulet udhëheqësve.

“Jam përpjekur që këtyre elementeve të ju mshoj duke mos harruar që kemi të bëjmë me një komedi lirike e cila në thelb ka argëtimin për publikun dhe këtë me së miri e kanë bërë aktorët të cilët kanë ndërtuar karaktere shumë të mira”, u shpreh Basha për KultPlus.

Këngët vijnë nga qyteti i serenatave, Korça, e njohur edhe për karnavalet që ishin po ashtu pjesë e kësaj shfaqjeje. Pikërisht këto pjesë muzikore, dramaturgu Arian Krasniqi i vlerësoi si një freski brenda shfaqjes.

“Është shumë mirë që kthehen tekstet e traditës me një qasje të re regjisoriale, në këtë rast të regjisorit Basha i cili është një regjisor me përvojë. Trupa ka qenë harmonike në komunikim dhe interpretim mes vete. Pjesët muzikore ishin freski brenda shfaqjes. Kostumet nga Iliriana Hoxha Basha duhet t’i veçoj për shkak se i kanë dhënë ngjyrë dhe atmosferë shfaqjes. Sonte në premierë publiku është pak a shumë i zgjedhur mirëpo shpresoj që shfaqja ka me komuniku edhe në reprizat e tjera me një audiencë me të rëndomtë dhe atëherë mund ta vlerësojmë saktësisht jetëgjatësinë e shfaqjes”, tha ai për KultPlus.

Shfaqja “Karnavalet e Korçës” ka mjaft material e mbrëmë kjo përgjegjësi ra mbi shpatullat e aktorëve.

Olimbia, aristrokatja e cila në fund përfundon me gjestin me të vrazhdë të mundshëm duke larguar maskën e vënë në fillim, erdhi përmes lojës se aktores Ilire Vinca.

“Altini është një regjisor i cili komeditë por edhe dramat i ka shumë të bukura, ka një ndjeshmëri shumë të madhe dhe është shumë konkret në kërkesa. Kjo për aktorin nuk është e lehtë pasi kur je konkret duhet që atë konkretësi që ta jep regjisori me e mbërri ti si aktore që me i lanë përshtypje publikut” , tregoi Vinca për KultPlus.

“Komedia është e tillë që ne bëjmë prova 40 ditë edhe nuk e kemi idenë se a ka me prit publiku mirë apo jo. Altini ia ka marrë dorën kësaj pune edhe ia ka dalë deri në fund së bashku me ne pasi që publiku e priti shumë mirë shfaqjen. Roli është shumë karakteristik prej roleve të tjera dhe e kam pasur fatin që me u veçu pak pasi kam pasur rolin e një femre. Kjo ishte pak fat i imi dhe e falenderoj Altinin që ma ka besuar këtë rol”, tha aktori Ylber Bardhi pas shfaqjes.

Repriza e parë vjen sonte duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. 

Login to post comments