Piktori turk Ahmet Yesil vjen me ekspozitën "Zëra dhe gjurmë" në galerinë FAB. Për publikun janë prezantuar 25 piktura të frymëzuara nga jeta. Ekspozita është e kuruar nga Orlis Vathi dhe Lindar Muça. Piktori turk ka pohuar se përmes fuqisë së tij artistike shpreh mendimet dhe pikëpamjet e tij për botën përreth, për të sjellë copëza jete nga e gjithë njerëzimi. Ai tregon se ekspozita është bërë e mundur për publikun pas një pune një vjeçare. Krijimi është një akt që kërkon guxim shkruhet në tekstin kuratorial, dhe sipas Rollo May, për një veprim krijues që do të ndodhë, duhet të ketë një takim intensiv. “Pyetjet e një artisti në lidhje me jetën janë takimet e tij. Artisti që e gjen veten në një proces krijimi pas momentit të takimit, bën pyetjen me një tingull poetik, dëgjues, plastik, dramatik, në gjuhën e tij. Imazhet e krijuara me gjuhën e tij shumëfishohen në sytë e gjithë publikut. Çdo gjurmë e lënë nga "fjala / parashtrimi" e/i interpretuar në krijimin duke u shumëfishuar bëhet treguesi ekzistencës / prezencës në jetë. Tensioni që mbështetet me anë të burimeve materiale, ndikon në produktivitetin e artistit. Ndërsa tensioni i jep rrugë pajtimit, grindjet zhduken midis gjuhës së artistit dhe të jetës, e pastaj fjala rraskapitet dhe pushtohet nga paqja, gjurmët e mbetura përbëjnë unazat midis shtresave të jetës në çdo kohë si një udhërrëfyes për të ndjekur shenjat vokale e një veprim të pafund”, shkruajnë kuratorët. Sipas kuratorëve artisti kërkon mënyra të reja, ashtu si shikuesi, dhe ndërveprimi me veprën e artit është një ndërmarrje rreziku. Por kur procesi i punës së artistit përfundon, zëri shfaqet dhe shtrohen pyetje të befta për të gjitha shqisat dhe për të gjitha akumulimet. “Ky është një efekt si në buzë të shkëmbit me vetëdije. Në të vërtetë, shenjat e gjuhës të lëna nga valët vokale të ndërgjegjes mbizotërojnë me spektatorin në këtë aventurë. Këto shenja janë valët vokale të një vepre arti e cila nuk mund të dëgjohet ndonjëherë dhe se mund ta dëgjojmë kur fillojmë ta kërkojmë. Në fakt, apeli i veprës artistike është që imazhet të na ndikojnë duke krijuar një komunikim. Realiteti, të cilin e kemi shënuar, është një ndjesi imazhesh që mund të arrihet përmes së vërtetës së shikuesit”, vijon teksti kuratorial. Ekspozita do të qëndrojë për publikun deri më datë 5 mars. Ekspozita vjen si bashkëpunim i Ambasadës Turke me Universitetin e Arteve.