Adrian Devolli: GKA dhe kulturën e drejtojnë disa kukulla

Tuesday, 05 Mars 2019 13:02

Galeria Kombëtare e Arteve ka mbyllur dyert shprehen artistët dhe sipas tyre është një situatë që tregon se askush nuk po mendon çfarë po ndodh me këtë institucion. Piktori i njohur Adrian Devolli e quan të papranueshme situatën që është sot me GKA.  Në mungesë të saj, piktori do të hapë ekspozitën më datë 18 mars në galerinë “Kalo”. 

“Galeria Kombëtare e Arteve është antikombëtare. Po e nis me mbylljen e dyerve që ka bërë ky institucion ndaj artistëve. Mbyllja e dyerve ka një shkak tjetër, kjo është pasoja. Shkaku është që drejtor i GKA është një njeri askushi. Drejtori i GKA në radhë të parë me nivelet intelektuale artistike duhet të ishte i prezantuar si një personazh, i cili ka një biografi të caktuar. Por unë s’e di çfarë biografie ka ai, është artist, është studiues, apo kritik arti? Unë nuk di që ky njeri të ketë vepra të tilla mbi zhvillimet kritike. Galeria është jashtë funksionit. Çfarë është ky? Ky është një hiç dhe ky hiç duhet të vendosë mbi krijimtarinë e të gjithë artistëve shqiptarë. Por dhe Ministria e Kulturës ka përgjegjësi që nuk ka idenë nga arti. Mungesa e një kalendari artistik deri tani nga ai institucion është pasojë, por shkaku është sepse zgjidhet drejtor një njeri që nuk ka asnjë lloj biografie artistike sipas meje. Kjo sjell si rezultat kompleks inferioriteti. Kompleksi i inferioritetit kërkon mbyllje, sepse ai do të krijojë antagonizëm me çdo gjë, dhe që të jetë sa më rehat është që mos të ketë asnjë lloj aktiviteti në GKA ose të jenë aktivitete të vakta. Kur në kohën që është sot Shqipëria, kur po ikën truri, atëherë çfarë po bën ti Ministri Kulture dhe ti Galeri Arti Kombëtare, që truri intelektual dhe i artistëve shqiptarë mos të ikë? Artistët e shohin GKA si një institucion i Ministrisë së Brendshme së kohës së Enverit, sepse kështu është kthyer ai institucion. Nëse do të bisedoni me artistët ata e shohin si një neveri, si një zyrë e sigurimit të shtetit nga atmosfera që ka krijuar ai aty. Është një atmosferë e keqe në GKA dhe aspak mikpritëse. Ministria e Kulturës nuk ka bërë njëherë një takim me artistët, t’i ftojë ata dhe të diskutojë mbi problemet, që ne flasim përditë. Kjo ministri, po të ishte në nivelet e një Ministrie Kulture duhet të dinte se ku janë adresat e gjithë artistëve shqiptarë, çfarë bëjnë këta artistë dhe të shkojë t’i shikojë krijimtarinë dhe punën e tyre. Por kjo ministri nuk i di. Janë disa kukulla, një ministre kukull, të cilat kanë atë funksion atje, kanë një zyrë, por funksioni real i tyre është zero. Duke mos pasur GKA një axhendë të bërë publike, që nuk dimë gjë deri tani, atëherë kjo galeri sjell një shkëputje shpirtërore të artistëve me këtë galeri, sepse ti si institucion nuk arrin që të krijosh një atmosferë artistike”.

Login to post comments