Nisin xhirimet e filmit “Kllouni”

E mërkurë, 06 Mars 2019 14:13

Në Tiranë kanë nisur xhirimet për filmin “Kllouni”, me skenar dhe regji nga Edmond Mandro. Filmi një dramë psikologjike, sipas regjisorit është bazuar mbi një temë aktuale. Regjisori tregon se vendet për xhirimet janë zgjedhur me kujdes dhe këto ditë ato janë zhvilluar në Cirkun e Tiranës. “Xhirimet janë tërësisht në Tiranë. Kjo është bërë qëllimisht, pasi ky film i shkurtër është një dramë psikologjike bazuar mbi një temë aq aktuale e të mprehtë, sa edhe gjithëpërfshirëse, autizmin. Dhe në këto 30 vitet e fundit këtu kanë migruar pothuaj nga e gjithë Shqipëria. Lokacionet e xhirimeve janë përzgjedhur me mjaft kujdes, ndërsa do të veçoja atë që kam më për zemër, Cirkun Kombëtar. Atje sapo i mbyllëm xhirimet dhe ishte një punë shumë e bukur”, pohon regjisori. Por fillimin me punën e filmit e ka bërë me dije dhe QKK. “Fillojnë xhirimet e filmit me metrazh të shkurtër “Kllouni” regjia Edmond Mandro, shtëpia kinematografike “Sofilms”. Filmi është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë”, shkruan QKK. Në filmin “Kllouni” historia ka si tematikë dramën, që pëson një familje kur fëmija i tyre i parë diagnostikohet me Spektër Autik. Babai që është një klloun profesionist përpiqet ta fshehë fatkeqësinë pas maskës së kllounit, ndërsa drama që përjeton po trondit themelet e familjes. Megjithatë njohja me fëmijën autik të kolegut, e bëri të kuptoj se rruga e duhur për të shpëtuar fëmijën, dashurinë dhe familjen është përballja me këtë sindromë. Regjisori Edmond Mandro tregon se skenarin e ka shkruar në variantin e parë para 10 vitesh. “Kam rreth dhjetë vjet, që kam shkruar variantin e parë dhe të më falni, por nuk do ta them çfarë më shtyu, pasi nuk dua të lëndoj askënd. Por mund t’ju them se skenari është bazuar në dy histori të vërteta”, vijon ai. Sa i takon personazheve në film regjisori Edmond Mandro shprehet se ata janë mishërim i realitetit të sotëm të shoqërisë sonë. “Saimiri, personazhi kryesor pasqyron pjesën dërrmuese të prindërve shqiptarë, fëmijët e të cilëve diagnostikohen me Spektrin Autik. Ata nuk përballen me të por mundohen ta fshehin, duke i izoluar këta fëmijë brenda mureve të shtëpisë, për më tepër kanë turp prej tyre. Edhe roli i Elsës, nënës, është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse në shoqërinë tonë janë nënat ato që mbajnë peshën kryesore të dramës në të tilla raste”, tregon regjisori.

Këtë herë në filmin “Kllouni” janë aktorë që publiku i njeh me aktivitetin e tyre artistik. Regjisori Mandro shprehet se rolin kryesor në film atë të Kllounit, ia ka besuar Kastriot Shehit, ndërsa atë të nënës Anila Ballës. “S’po bëj komplimente sepse ia kam thënë në sy (qesh), por dua të theksoj vetëm se jam shumë i kënaqur si nga ata ashtu edhe nga pjesa tjetër e kastit. Do të veçoja këtu dy fëmijët Edonin dhe Visarin, të cilët ishin fantastikë. Për më tepër, Edoni është një fëmijë mjaft i veçantë i cili është diagnostikuar me Spektrin Autik. Ishte fat i madh që e kishim mes nesh sepse besoj se i dha filmit një tjetër dimension duke e bërë shumë realist”, tregon regjisori. Puna me këtë projekt kinematografik po vazhdon, por si regjisor Edmond Mandro lidhur me pyetjen se sa e vështirë është puna me filmin dhe buxhetet ai përgjigjet se kjo i takon producentes. “Kjo do të ishte një pyetje e mirë për producenten Lorina Pepo. Pasi ajo merret me këtë punën e lekëve (qesh). Di vetëm t’ju them se buxhetet janë mjaft të vogla dhe sot në kapitalizëm, kur ana materiale ka zëvendësuar edhe pasionin, puna me filmin është shumë e vështirë. Kinemaja për mua është pasion me të cilin merrem part time (qesh), pasi unë punoj prej afro 14 vitesh në televizionin kombëtar Vizion Plus. Aty jam rritur profesionalisht, prej tij siguroj të ardhurat për familjen time dhe i jam shumë mirënjohës pronarit Genc Dulakut, që më mirëkupton në këto përpjekjet e mia për të thënë diçka nëpërmjet ekranit të madh”, tregon regjisori Edmond Mandro. Ky projekt kinematografik ka bërë bashkë artistët për realizimin e tij, por për premierën regjisori tregon se ka ende punë që duhen me filmin deri në përfundim të tij.

Login to post comments