Libri i Mimoza Hasanit promovon letërsinë e Kosovës në Sofje të Bullgarisë

E Enjte, 07 Mars 2019 15:16

Me organizimin e Universitetit të Sofjes “Shën Klimenti i Ohrit”, Katedrës së Gjuhësisë së Përgjithshme, Indoeuropiane dhe Ballkanike, u promovua libri i studiueses së letërsisë Mimoza Hasani Pllana me titull “Poezia shqipe e Kosovës e viteve `90” të shekullit XX-për lexuesin bullgar, shkruan KultPlus.

Në kuadër të fushës së Filologjisë, letërsive të popujve të Evropës, Amerikës, Azisë, Afrikës dhe Australisë, në Universitetin e Sofjes “Shën Klimenti i Ohrit”, para një audience të përbërë nga profesorë të linguistikës, filologjisë bullgare dhe asaj ballkanike,  studiues të Institutit të Ballkanistikës në Akademinë e Shkencave të Bullgarisë, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, profesorë nga Universiteti i Veliko Tërnovos “Sh. Kiril dhe Metodij”,  Ambasadorit të Kosovës në Sofje SH.T.z.Edon Cana, Ambasadores së Shqipërisë në Sofje SH.S.znj.Donika Hoxha dhe diplomatëve nga të dyja ambasadat, studentëve të ballkanistikës, në  Katedrën e Gjuhësisë së Përgjithshme, Indoeuropiane dhe Ballkanike, në Universitetin e Sofjes “Shën Klimenti i Ohrit”, u promovua libri i autores nga Kosova Mimoza Hasani Pllana me  titull: Poezia shqipe e Kosovës e viteve `90 të shekullit XX (për lexuesin bullgar).

 

 Libri i Hasanit është produkt i punës trevjeçare që autorja ka realizuar gjatë studimeve doktorale në të njëjtin universitet me udhëheqje shkencore nga albanologia e njohur bullgare, Prof. Asoc. Dr. Rusana Hristova Bejleri. Me këtë rast, albanologia Hristova Bejleri, publikimin e librit e vlerëson si një kontribut të veçantë në promovimin e letërsisë dhe gjuhës shqipe në Bullgari, duke e sjellur letërsinë dhe kulturën e Kosovës më afër lexuesit bullgar.

 Sipas Bejlerit, autorja ka realizuar një studim të shkëlqyeshëm në formë dhe përmbajtje duke përdorur metodologji dhe analizë strukturore mbështetur në parime të larta akademike. Akademik Shaban Sinani, librin e vlerëson si një studim analog me pamje të përgjithshme të zhvillimit të poezisë shqipe në Kosovë gjatë viteve 1990-1999.

Sipas tij “në këtë studim autorja spikat individualitetin e secilit prej poetëve të zgjedhur, që janë përgjithësisht poetë antologjikë, duke iu referuar kryeshenjave të poezisë së secilit, rendeve paraletrarë që kushtëzojnë vjershërimin e tyre, rrafshit tematologjik, rolit të autobiografizmit, strukturave poetike dhe shumë qasjeve të tjera. Shqyrtimi është formalist e përmbajtësor. Në metodologji autorja thekson mbështetjen në parimet e analizës strukturore, përforcuar me metodën krahasuese dhe metoda të tjera. Zgjedhja e strukturalizmit mund të duket fillimisht si pretencioze, por fakti që leximi i poezisë shqipe në Kosovë në vitet 1990 nuk mund të paramendohet pa shqyrtimin etnokulturor dhe antropokulturor na bën të ditur për një zgjedhje sipas parimit si të jetë objekti do të jetë dhe metoda”, tha me këtë rast Akademik Sinani.

Profesori i gjuhës bullgare në Universitetin e Tiranës Raki Bello ndër tjerash përmendi që ky libër do të shërbejë si një urë lidhëse ndërmjet të dyja letërsive dhe kulturave i cili sjell vecanti të ndjeshme poetike të një periudhe të ndjeshme të popullit shqiptar të Kosovës. Ambasadori Cana duke përshëndetur dhe cmuar kontributin e dhënë nga autorja Hasani Pllana me këtë libër, po ashtu vlerësoi lartë kontributin e Katedrës së Gjuhësisë në kuadër të Universiteti të Sofjes ku mësohet gjuha shqipe dhe nënvizoi se Ambasada në Sofje dhe institucionet e Kosovës do të vazhdojnë përkrahjen për promovimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Bullgari me forma konkrete. Në anën tjetër, Ambasadorja Hoxha u shpreh e lumtur për kontributin që ipet nga Universiteti i Sofjes, Katedra e Gjuhësisë së Përgjithshme, Indoeuropiane dhe Ballkanike, dhe librin e sjellë nga Hasani Pllana si vazhdimësi të bashkëpunimit dhe ndërveprimit shumështresor në funksion të promovimit të gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Në librin “Poezia shqipe e Kosovës e viteve `90 të shekullit XX”,  autorja ka përzgjedhur krijimtarinë disa vjeçare të poetëve shqiptarë të Kosovës: Azem Shkreli, Ali Podrimja, Agim Vinca, Abdullah Konushefci, Din Mehmeti, Edi Shkuriu, Fahredin Gunga, Sabri Hamiti, Rrahman Dedaj, krijimtarinë poetike të poeteve të reja: Fakete Rexha, Habibe Maliqi, Naime Beqiraj, Xheraldina Vula, etj, pjesë nga poezitë e shkruara nga të burgosurit politik kosovarë gjatë viteve `90 dhe poezinë e migracionit.

Struktura e librit është e ndarë në katër kapituj ku përfshihen fenomene dhe veçori të përgjithshme themelore që e dallojnë këtë dekadë nga dekadat tjera letrare të shekullit XX. Në kapitullin e parë trajtohet krijimtaria dhjetëvjeçare e poetëve të formuar (siç i quan autorja), pastaj krijimtaria poetike e autoreve të reja, që sipas autores konsiderohet si fenomen i dekadës së fundit të shekullit të kaluar,  poezia shqipe e këtij dhjetëvjeçari e përkthyer në gjuhët ballkanike, e njohur nga lexuesi ballkanik  dhe në fund trajtohet shkurtë edhe poezia e shkruar nga të burgosurit poltik dhe ajo e migracionit. 

Libri u publikua në gjuhën bullgare pas përkthimit, vlerësimeve dhe rekomandimeve që mori nga profesorët e Katedrës së Gjuhësisë së Përgjithshme, Indoeuropiane dhe Ballkanike pranë Fakultetit të Sllavistikës të Universitetit të Sofjes “Sh. Kliment Ohridski”, si një libër i rëndësishëm për studentët e letërsisë ballkanike.

Login to post comments