Skena e pavarur kulturore në vendin tonë përballet me jo pak probleme në lidhje me aktivitetet në jetën artistike. Edhe pse drejtues të shoqatave të ndryshme shprehen se prej vitesh përballen me probleme ligjore, mungesë buxhetesh për realizimin e projekteve, mungesën e infrastrukturës në aktivitete, mungesë transparence nga Ministria e Kulturës duket se situata nuk ka ndryshuar. Mbi problematikat dhe fuqizimin e SPK, artistët dhe drejtues të shoqatave që veprojnë në vend në datë 21 mars do të mblidhen në konferencën "Skena e Pavarur Kulturore: Sfida dhe Prespektiva”. Sipas organizatorëve kjo është një mundësi e mirë për dialog dhe shkëmbim eksperiencash, si dhe nxjerrjen e konkluzioneve që do të shërbejnë në të ardhmen me qëllim zhvillimin e sektorit të kulturës. Për problemet e tyre ata i janë drejtues për të marrë pjesë në këtë diskutim dhe ministres Elva Margariti. Andi Tepelena drejtues i “Art Kontakt” shprehet se i takon ministres Margariti që të jetë prezent dhe të diskutojë mbi situatën që është sot në art dhe kulturë. “I kam çuar një email ministres së Kulturës, që të jetë e pranishme në konferencën tonë. Të shohim nëse do të vijë. Duam që të jetë prezent dhe ajo të marri vesh hallet e artistëve. Që nga koha që ka ardhur dhe deri tani nuk i kemi kërkuar takim, kemi këtë që është rasti me konkret që të vijë”, pohon kuratori Tepelena, përfaqësues i SPK. Përballë gjendjes së rënduar ku artistët prej vitesh janë përballur me vështirësi të shumta për realizimin e projekteve dhe pa pasur rëndësinë e kërkuar prej tyre nga Ministria e Kulturës, Andi Tepelena vijon se i takon ministres së Kulturës që të mësojë nga artistët, sepse janë njerëz që kanë njëzet vjet që merren me jetën artistike. “Të marri pjesë në debat dhe të njohë direkt realitetin tonë në jetën artistike dhe jo të vijë të mbajë fjalime, por të njihet me skenën e pavarur. Duhet të vijë për atë vetë që të tregojë se kush është. Ajo ka nevojë që të mësojë nga ne, jo ne nga ajo. Nëse do të mësojë le të vijë dhe të dëgjojë njerëzit e SPK që kanë 20 vjet që merren me këtë punë”, vijon më tej Andi Tepelena nga SPK. Mungesa e transparencës me buxhetet dhe projektet që prej vitesh ndan Ministria e Kulturës ka qenë shumë e kritikuar dhe gjatë kohës së ministres Kumbaro. Në reagimin e tij Andi Tepelena vijon se kjo ka bërë që shumë drejtues shoqatash dhe artistë të pohojnë se ministria duhet të shpallë prioritetet e saj në art.Në datë 21 mars do të bëhet një analizë e zhvillimeve kulturore dhe vëmendja e politikave kulturore ndaj skenës së pavarur, do të diskutohet mbi objektivat strategjikë të SPK-s, network kombëtar dhe rajonal, ristrukturimi i SPK-s, zgjedhja e këshillit të ri drejtues, si mbijetojnë festivalet në vend, shifrat e buxhetit në kulturë, ligji i investimit në art, etj.