Skenografi i njohur Fatbardh Marku pohon se artistët janë mbase në vështirësitë nga më të mëdhatë të përjetuara ndonjëherë. Sipas tij, shkëputja e Ministrisë së Kulturës nga teatrot në rrethe me arsyetimin se kjo gjë i takon pushtetit vendor, që sipas tij solli dhe bllokim të jetës artistike.
“Sot nuk mund të flitet për politika në art. Këto ditë në shtypin e ditës lexova se kjo ministri po mbështet disa vepra të trashëgimisë kulturore. Sigurisht gjë që duhet vlerësuar, por që gjithsesi është brenda detyrave të saj. Ajo që më bën të mos dakordësohem është se krenohen me mbështetjen e një aktiviteti teatral për shkollat e mesme, detyrë kjo që duhet të jetë e Ministrisë së Arsimit dhe Drejtoria Rajonale Arsimore. Gjithashtu dyshoj se a duhet të krenohen edhe për projektin e fshatrave turistike kur këtë mund ta bëjë ministria përkatëse. Pra siç shihet mbështetja për artet është minimale për të mos thënë zero. Vitin e kaluar u ringjall mbas afro 15 vjetësh Festivali Mbarëkombëtar Teatror. Ky festival u ringrit thjeshtë për të përligjur se në Teatrin Kombëtar nuk mundesh të realizohen aktivitete të kësaj rëndësie si dhe për të promovuar teatrin “ArTurbina” si një nga mrekullitë më të mëdha të arkitekturës të destinuara për teatër.
E gjithë jeta ime ka qenë e lidhur ngushtësisht me jetën artistike të teatrit e filmit, ku kam marrë kënaqësi të jashtëzakonshme nga realizimet dhe rezultatet e arritura. Jam nderuar me disa trofe personale si dhe kam qenë pjesë e disa spektakleve fituese në festivale kombëtare apo ndërkombëtare. Tani në përgjigje direkt të pyetjes suaj mund t’ju them se jeta artistike duket më e gjallë vetëm në kryeqytet, ndërsa nëpër qytete është mjaft e vogël për shumë arsye ku më kryesorja është shkëputja e Ministrisë së Kulturës nga kjo jetë nën arsyetimin se kjo gjë u takon pushtetit vendor. Implementimi në mënyrë mekanike e kësaj praktike perëndimore solli, për mendimin tim, bllokimin total të jetës artistike. Pa dashur të glorifikoj vitet e para ’90-tës, por kishte 12 trupa profesioniste me detyrë që të realizonin 5 deri 6 premiera në vit. Pra kishte mbi 70 të tilla, ku çdo trupë merrte pjesë në festivale me arritjen më të mirë dhe që më tej çdo trupë shkonte në turne në qytete të ndryshme. Pra edhe profesionalisht kishte ballafaqime artistike nga ku padyshim kishte arritje artistike të niveleve të kënaqshme. Sot? Artistët janë mbase në vështirësitë nga më të mëdhatë të përjetuara ndonjëherë. Unë personalisht admiroj përpjekjet e tyre titanike për të realizuar ëndrrat dhe pasionin për të prodhuar art edhe pse janë të pavlerësuar sa artistikisht, po aq edhe ekonomikisht. Edhe ai pak vlerësim ekonomik nëpërmjet një vlerësimi simbolik për arritjet dhe figurën artistike, në vitet e fundit është hequr duke i bërë si rrogëtarë të thjeshtë. Por a janë artistët të tillë, thjesht rrogëtarë? Kurrë.
A mund të quhet kombëtar një teatër, që mbas 20 shfaqjeve të një vepre ta harrojë atë? A ka në repertor ky teatër qoftë edhe një vepër të realizuar një vit më parë? A mundet ky teatër të japë shfaqje në qytete të tjera të Shqipërisë e ta qarkullojë atë? Jo. Asgjë nga këto ky teatër nuk mundet ta bëjë. E pra ky teatër nuk mund të quhet kombëtar. Teatrit i janë hequr shumë nga kushtet teknike, që ne skenografëve na shërbenin për të realizuar skenografi sa më shprehëse dhe funksionale. Kështu sot në të dy teatrot me prapashtesën kombëtare mungon rrotativa, e cila edhe mund të bëhet portative, por vetëm kur skena është e ndarë në segmente, të cilat ngrihen sipas kërkesave të një projekti. Gjithashtu mungojnë magazinat e dekorëve mbi skenat, ku fshihen dekorët të cilat nuk shërbejnë për një tablo të caktuar por, shërbejnë për tjetrën. Në këto kushte të mangëta edhe skenografët janë të detyruar t'u përshtaten, duke ulur edhe vlerat artistike.”