Piktori Jorgji Gjikopulli çeli në galerinë e artit FAB ekspozitën vetjake “80”. Ekspozita vjen me vepra që prezantohen për herë të parë për publikun, por dhe të realizuara më parë. Nuk mungon në ekspozitë dhe një vepër që është nga fondi i GKA. Janë 48 vepra në pikturë kryesisht të realizuara në teknikën e vajit, por dhe një pjesë tjetër janë akuarele. Në këtë ekspozitë që është dhe celebruese për 80 -vjetorin e artistit të njohur është krijuar dhe një lidhje e krijimtarisë së një harku kohor thuajse 50 vjeçar. Piktori Edmond Gjikopulli i biri i autorit, shprehet se shumica e veprave ekspozohen për herë të parë. “Është krijuar një lidhje simbolike në këtë ekspozitë, sepse fakti që është e tillë më shumë celebruese e 80 vjetorit të lindjes së tij, është krijuar një pikë lidhje midis punës së parë të ekspozuar që është marrë nga fondi i GKA me punët që janë bërë së fundmi. Në këtë ekspozitë ka dhe punë të tjera që janë riekspozuar dhe më parë, por kjo përbën një pjesë të vogël. Por gjithmonë synimi për të krijuar një lidhje brenda këtij harku kohor të një krijimtarie thuajse 50 vjeçare”, tregon ai. Në ekspozitën “80” artisti rrëfen udhëtimin e tij në pikturë, gjatë realizmit socialist dhe pas viteve ’90. Për 80-vjetorin e lindjes, janë 48 vepra, por që si gjithmonë piktori Jorgji Gjikopulli vijon në rrugën e tij. Për të birin piktorin Edmond Gjikopulli tematika që trajton është pothuajse e njëjtë, por vjen me eksperienca të shtuara. “Sigurisht ai vjen me një eksperiencë të shtuar pas çdo ekspozite, por temat e tij të dashura janë bregdeti, riviera, drita e ngjyrës, ngjyra e gëzuar, situata optimiste gati ëndërrimtare dhe ai e krijuar një profil të tij dhe vijon në këtë drejtim”, shprehet ai. Në një shkrim përgatitu nga dr. Zef Paci ai shprehet se piktura e Jorgji Gjikopullit përmban një nostalgji sëmbuese, duke interpretuar, abstraguar, por pa e këputur përfundimisht lidhjen kërthizërore me natyrën, dhe duke ruajtur njëfarë animizmi. “Peisazhi përmban, por dhe ngjan vetë si një krijesë biomorfe. Ajo mund të gjendet në objektet e njëmenda, në thurimin e brendshme që formëson bimët ekzotike, por dhe në strukturën tërësore të kuadratit. Harlisja e ngjyrës duke e quajtur dekadencë moderniste, sot është një reagim, në mos kundër reacionalizmit të paktën kundër pragmatizmit. Pikturimi modern ekzalton marrëdhëniet e thella përkatësore që lidhin tokën e detin e moçëm. Ato janë bota e brendshme ose vizoni i tij i botës. Kështu lindin imazhe evokuese që sfumojnë konturet, lënë ngjyrat të kompozohen lirshëm sipas urgjencave të harmonisë, në ekuilibra e thekse që janë në sintoni me logjikën e kuadratit dhe vështrimin e artistit, i cili duke pas jetuar përvojën e natyrës ndërmjetësohet në kujtesë dhe kthehet në vështrim të brendshëm”, shkruan dr. Zef Paci.