Bilanci, 12 mijë spektatorë në Teatrin Kombëtar gjatë muajit mars

E mërkurë, 03 Prill 2019 14:07

Teatri Kombëtar po vijon aktivitetin me shfaqjet që janë te “arTurbina”. Teatri shkruan se në muajin që kaloi shfaqjet u ndoqën nga 12 mijë spektatorë. “Muaji mars mbledh 12 000 spektatorë në “arTurbina”. Pranvera vjen edhe për teatrin. Falenderojmë artdashësit”, shkruan Teatri Kombëtar. Këto ditë në skenë te “arTurbina” u shfaq vepra teatrore “8 Femra” me regji nga Driada Dervishi dhe një kastë aktoresh të njohura. Vepra u përcoll me interesin e publikut por nuk ka munguar dhe vepra “Shirli Valentina”. Me regji po nga Driada Dervishi dhe interpretim të aktores Olta Daku kjo shfaqje u mirëprit nga publiku. Të dyja veprat që sollën në skenë aktore të njohura janë shfaqur për publikun në vijim të sezonit artistik të Teatrit Kombëtar. Por te “arTurbina” janë zhvilluar gjatë kësaj kohe dhe aktivitete të tjera si dhe festivali i teatrit me nxënësit e shkollës së mesme që po sjellin në skenë shfaqje të ndryshme. Por ajo që ishte produksion i parë i TK për këtë vit ishte “Gusht: portret familjar” me regji nga Spiro Duni.

Merita Xhani, Luli Bitri, Eva Alikaj, Dritan Boriçi, Flaura Kureta, Elia Zaharia, Ligoraq Riza, Neritan Liçaj, Myzafer Zifla, Niada Saliasi, Margent Caushi, Doriana Çaushi ishin aktorët që interpretuan në vepër. “Gusht: portret familjar” u shfaq edhe ditëve të muajve më parë dhe është kurorëzuar me çmimin prestigjioz Pulitzer, është cilësuar si drama e re më e pëlqyer në Broadway ndër vite. Autori shkroi edhe skenarin e filmit me të njëjtin titull, me aktoret e shquara Meril Strip dhe Julia Roberts. Të dyja aktoret u nominuan për çmimet Oscar. Me regji nga Spiro Duni vepra u shfaq te  “arTurbina”, skena dhe kostumet përgatitur nga Laedia Hajdari. Lëvizjet skenike Artan Ibërshimi dhe përkthyes Artur Lena.

Kjo vepër u vu në skenë në vitin 2007 nga trupa e famshme teatrore Steppenwolf Theater me qendër në Çikago. “Gusht: portret familjar” është historia e familjes Ueston, që ka probleme të thella të cilat shpërfaqen me tërë fuqinë e tyre kur pjesëtarët e saj mblidhen në shtëpinë e tyre në Oklahoma, ku patriarku i familjes Beverli Ueston ka humbur. Gruaja e tij Violeta është një egoiste, manipuluese dhe e varur nga droga. Ajo përdor dhunë psikologjike dhe i torturon tre vajzat e saj. Drama konsiderohet komedi e zezë, pasi vepra përshkohet nga humori.

Login to post comments