Zërat e njohur shqiptarë sollën kryevepra botërore e vendore në Chopin Piano Fest

Diel, 21 Prill 2019 09:18

Salla e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare, mbrëmjen e djeshme ishte e mbushur përplot me artdashës të muzikës. Në skenën e ndriçuar kishte zënë vend pianistja nga Shqipëria Ardita Bufaj, për të pritur zërat e njohur shqiptarë që me interpretimin e tyre janë dëshmuar disa herë në Kosovë e shumë herë jashtë saj. Ndryshe nga çdo natë tjetër ku tingujt e pianos kanë dominuar netët e Chopin Piano Fest Prishtina, mbrëmë erdhën zërat lirikë. Flaka Goranci, Armando Likaj e Arta Jashari janë tre solistët e mbrëmjes që sollën veprat e një niveli të lartë artistik. Vepra të cilat publiku i Prishtinës nuk ka rastin ti dëgjojë shpesh.

Baritoni nga Shqipëria, Armando Likaj në Kosovë u kthye pas disa muajsh, e duartrokitjet që merr këtu ia shtojnë gjithnjë dëshirën që të kthehet sa më shpejtë. Nën lojën precize të pianistes nga Shqipëria Ardita Bufaj, Armando Likaj u mirëprit sa herë doli i vetëm i shoqëruar nga mezzo-sopranoja Flaka Goranci e sopranoja Arta Jashari.

Zëri i thellë i tij depërtoi në gjithë sallë ndërsa përqendrimi i publikut ishte në nivelin më të lartë. “Unë biri yt Kosovë” e interpretuar në një mishërim të plotë me veprën bëri që Armando Likaj ta lëvizë publikun nga ulëset, duke u ngritur në këmbë për ta përcjellur me duartrokitje.

Pasi koncerti u përmbyll me një pritje tejet të mirë, Likaj foli për KultPlus ku tregoi për mbrëmjen se si shkoi si dhe për veprat të cilat i interpretoi. 

“Programi ishte shumë impenjativ sepse u nda në dy grupe, në grupin e reportorit të autorve të huaj dhe në fund  si për ëmbëlsi lamë autorët shqiptarë, ishte një natë për zëra lirikë, duke sjellur diçka më dinamike ndryshe nga muzika instumentale dhe kësaj radhe kisha kënaqësinë pranë dy kolegeve të mrekullueshme, zëra shumë të bukur , madje e veçanta është se Flaka Goranci vinte nga Austria, ndërsa për Arten sigurisht qe u rikthye pas studimet nga Berlini, e gjeta sërish në Prishtinë ”, tha Armando Lukaj për KultPlus. Ai tutje e vlerësoi lart festivalin Chopin Piano Fest, ku sipas tij organizatorët janë duke e bërë një punë të mirë jashtëzakonisht të shkëlqyer për Prishtinën.

Pas interpretimit të Armondos në skenë u shfaq Arta Jashari ku sopranoja e Kosovës iu dha një emocion publikut me zërin e saj, ku luhatjet e zërit bënë që e gjithë salla të duartrokiste. Ylli operistik Flaka Goranci erdhi në skenë për të sjellë “Un ballo Maschera”, Amela “Morro, ma prima in Grazia”. Ajo e dominoi skenën në interpretim e lëvizje derisa solli para publikut veprën e njohur “Carmen” të Bizet. Një ndjesi akoma më depërtuese te publiku e përcolli me veprën “Agimet shqiptare” e kompozitorit Avni Mula. Goranci u kthye pas disa muajsh në këtë skenë, ku pati dhënë një koncert të fuqishëm në shënimin e pesë vjetorit të gazetës onlinë për kulturë- KultPlus. Goranci tha se kthimi në Prishtinë i ngjanë kthimit në shtëpi, pasi që publikun e Prishtinës e cilëson shtëpi të sajën.  

“Para publikut shqipfolës ndihem si në shtëpi. E kemi diskutuar mes vete për veprat që mund ti përshtaten këtij programi dhe ka pasur vepra nga repertori operistik, i operatave shqiptare po ashtu, duete nga operata dhe opera si dhe një trio e përbashkët që përmbylli këtë mbrëmje. Ka qenë kënaqësi të interpretojë më Armandon dhe Arten sepse janë të dy artistë profesionistë dhe edhe pse nuk veprojmë në vend të njëjta dhe kemi qenë në kontakt për gjithçka rreth programit”, tha Goranci për KultPlus.

Pianistja e Shqipërisë Ardita Bufaj, në fjalimin e saj për festival tha se ndihet mirë të shoqërojë në këtë mbrëmje artistët e mrekullueshëm, ndërsa falënderoi organizatoret e festivalit për këtë mbrëmje.

“Dua të falënderojë zonjën Lelja dhe Besa për këtë organizim të mrekullishëm. Keni një potencial jashtëzakonisht te fortë dhe ju uroj të keni një sallë më të madhe koncertesh për ti promovuar gjithë këta artistë”, tha ajo pak para fillimit të mbrëmjes.

Krahas veprave të tjera të kompozitorëve shqiptarë, sopranoja Arta Jashari solli veprën “Lutje” të kompozuar nga Baki Jashari. Jashari tregoi për KultPlus se këtë vepër e ka kompozuar në vitin 1979 gjatë studimeve të tij në Lubjanë ndërsa vepra bazohet në vargjet e poetit Migjeni.

“Vepra ‘Lutje’ e shkruar për piano dhe soprano ka ndodhur në vitin 1979 kur unë kam qenë në studime të akademisë së muzikës në Lubjanë, ka qenë mjaft e çuditshme ku në një shtet tjetër ku studion dhe në një gjuhë tjetër ku është punuar në mënyrë tjetër të shkruhej diçka në gjuhën shqipe. Pas një kohë të gjatë unë u emocionova sepse profesorit tim iu deshtë që t’ia tregojë përmbajtjen e poezisë e cila ka qenë totalisht e panjohur, poezia vet është muzikë ku thuhet në vargje të para: Të lutemi o perëndi për një simfoni me tinguj targjantë dhe akorde të artë” tregoi Baki Jashari .

Gjatë mbrëmjes u luajtën vepra të ndryshme si Figaro e W.A.Mozart ,vepra Conti Di Luna e G.Verdi,  kompozitorit U.Giordani me vepër La mamma morta , kompozitorit G. Bizet me vepër C’est l’extase . Ndërsa veprat të cilat iu bashkëngjiten duetit të përbashkët ishin kompozitorit P.Mascagni vepra Duett Santuzz , kompozitorit F. Lehar me vepër  Vejusha gazmore, kompozitorit W.A Mozzart me veprën Cosi fan tutte.

Mbrëmja u përmbyll me veprën e Mozartit “Cosi fan tutte”-“Soave sia il vento” që mblodhi të katër artistët në skenë. Ndryshe nga interpretimet paraprake, mezzo-sopranoja Flaka Goranci, baritoni Armando Likaj dhe sopranoja Arta Jashari qëndruan më pranë publikut në këtë interpretim, duke qëndruar të tre ulur në skenë. Krejt kjo u përcjellë me duartrokitje të forta që zgjatën për disa minuta e rikthyen shpejt artistët në skenë.

Dirigjenti e kompozitori kosovar Hajrullah Syla, e cilësoi interpretimin e artistëve si të përkryer.

“Sonte ishte një natë mjaft interesante, vepra mjaft atraktive, vepra të cilat janë interpretuar mjaft nëpër botë, besoj që sonte kemi pasur rastin ti dëgjojmë mjaft mirë nga artistët tanë të cilët me të vërtetë ishin të shkëlqyer në paraqitjet e tyre ”, tha Syla për KultPlus.

Festivali “Chopin Piano Fest” do të vazhdojë sonte me koncertin e radhës. Në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Qendrore Universitare në Prishtinë, duke filluar nga ora 20:00, në piano do të luajnë Melos Buza dhe Malk Halçe ./Frosina Byqmeti / KultPlus.com

Login to post comments