Premiera botërore e filmit artistik të metrazhit të gjatë “Pranvеrë е paharruar në fshatin e harruar”, me skenar dhe regji të Kushtrim Bekteshit, shfaqet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Moskë (MIFF). Në përzgjedhjen e 15 filmave në edicionin e 41-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Moskë, portali “Festival Film” e rekomandon edhe filmin shqiptar “Pranvеrë е Paharruar në Fshatin e Harruar”, që u shfaq në daten 21 dhe do shfaqet edhe sot, 24 prill. Producenti i filmit Mumin Jashari ka treguar se ai, bashkë me regjisorin Bekteshi, sonte do të jenë të pranishëm në festival, për prezantimin e filmit. Ky është një sukses i madh i regjisorit Kushtrim Bekteshi, i cili me filmin debutues prezantohet në një festival të kategorisë A. Ky film është xhiruar në fshatin Gjonomadh të rrethit të Korçës. Në film është paraqitur jeta e zakonshme dhe e qetë e një fshati “të harruar” që e çrregullon ardhja e tri prostitutave në kafenenë ilegale të dy vëllezërve makro. Burrat, përkundër përpjekjeve të grave të tyre për t’i ndaluar, tërë kohën e kalojnë në kafene, duke harxhuar paratë e fundit në alkool dhe seks. Në shkollë mbizotëron gjendje kaotike, xhamia mbetet pa besimtarë. Vetëm dy të rinjë përfitojnë nga kjo rrethanë duke arritur të realizojnë lidhjen e dashurisë së ndaluar nga prindërit. Në fund, gratë çohen në kryengritje. Si pasojë, kafeneja digjet, ndërsa jeta në fshat duket se do të kthehet përsëri në normalitet.
Në film është përfshirë një kastë e madhe aktorësh nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria, si: Shkumbin Istrefi, Osman Ahmeti, Ndriçim Xhepa, Luan Jaha, Salaetin Bilall, Muzbajdin Qamili, Vjollca Bekteshi Hamiti, Adriana Matoshi, Diana Spasova, Hismet Ramadani, Musa Isufi, Ervin Bejleri, Romir Zalla, Adrian Aziri, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Donikë Ahmeti, Taulanta Jupi, Mona Mustafa, Sokol Hajrullai, Ilire Vinca, Vebi Qerimi, Adem Karaga, Muzafer Etemi, Besmir Bitraku, Gentë Ratkoceri, Lili Çavdarova Suçeva, Amernis Nokshiqi Jovanovska, Emine Kadriu, Flora Kadriu, Blerim Dardhishta, Muhamed Arifi, Mendim Murtezi, Teuta Ajdini Jegeni, Drita Kaba Karaga, Elhame Bilalli, Hajrullah Ramizi, Zijadin Murtezi, Vaske Niço, etj…
Filmi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” është bashkëprodhim i “Manufaktura Production” (Maqedoni) me producent Sasho Pavslovskin, “Media&Film Production” (Kosovë) me producent Mumin Jasharin, “Ska-Ndal Production” (Shqipëri) me producent Genc Permetin dhe “Skupifestival” (Maqedoni) me producent Muzbajdin Qamilin dhe Osman Ahmetin.
Filmi është i mbështetur financiarisht nga Agjencioni për Film i Maqedonisë, Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë, Radiotelevizioni i Kosovës, Radiotelevizioni i Maqedonisë 2 dhe Radiotelevizioni Shqiptar.