Filmi “Bini” nga Erblin Nushi është shpërblyer për arritje të jashtëzakonshme në produksion në kategorinë e studentëve në garën rajonale të Emmy Awards, The National Capitol Chesapeake Bay, shkruan KultPlus.
Nushi pas pranimit të çmimit është shprehur së nuk do të ndalet së treguari historitë e Kosovës.
“Ky udhëtim ka qenë një udhëtim që do e kujtojë gjithmonë. Falënderimi im shkon për ekipin punues që më ka ndihmuar që ta kthej këtë pjesë të jetës sime dhe historinë tmerruese të vendit tonë në një film. E dashur ime, Kosovë, unë nuk do të ndalem së treguari historinë tonë pasi që ne jemi të rëndësishëm”, është shprehur Nushi.
“Bini” bazohet në ngjarje të vërtetë. Erblin Nushi ka qenë 6-vjeçar kur shpërtheu lufta në Kosovë. Filmin “Bini” e ka realizuar si punim diplome. Ai ka kryer studimet bazike për film “George Mason University” në Fairfax të Virginias në ShBA, ku është zhvendosur bashkë me familjen më 2010.
Në filmin “Bini”, pos Lurni Krasniqit, në rolin e kryepersonazhit luajnë edhe Artiola Hamdija, Fjolla Nushi, Eshref Durmishi, Armond Morina, Florentina Ademi dhe Elena Shoshi. Xhirimet e këtij filmi ishin bërë në Pejë./ KultPlus.com