Opera “Il Trovatore” e Verdit vjen së shpejti për katër mbrëmje me rradhë për publikun në skenën e Pallatit të Kongreseve. TOB shprehet se këtë sezon sjell për publikun një produksion të niveleve ndërkombëtare, krejtësisht të ri në koncept regjisorial, trajtimin muzikor dhe interpretim artistik. Regjia e veprës i është besuar italianit Mariano Bauduin dhe dirigjent do të jetë Sebastiano Rolli. Këtë herë protagonistë të veprës do të jenë artistë të njohur të skenës operistike shqiptare, por nuk mungojnë në këtë produksion dhe artistë të huaj. Sopranoja e njohur Eva Golemi tregon se do të interpretojë rolin e Leonorës në veprën e Verdit. “Roli im është ai i Leonorës, që unë e kam premierë në aktivitetin tim. Deri tani se kam bërë asnjëherë këtë rol në skenë, e kam debut. Leonora për mua është rol shumë i rëndësishëm, madje më i vështirë se sa roli i Violetës. Unë kam pas dashur ta bëja me kohë këtë rol, por nuk u realizua vite më parë. Jo se nuk ka qenë e mundur nga ana ime ky rol, por kanë qenë çështje teknike. Por Leonorën e kam shumë të rëndësishëm në aktivitetin tim, e kam në veten time dhe më rri shumë mirë në vokal”, tregon sopranoja e njohur Eva Golemi, që do të jetë në skenë me veprën operistike “Il Trovatore”. Në skenë mes artistëve shqiptarë në vepër përmendim edhe Armando Likaj, Ylber Gjini, Vikena Kamenica, Ivana Hoxha apo dhe Dorina Selimaj. Mbrëmjet e datave 8, 9, 10 dhe 11 maj vepra do të jetë në skenë, por Teatri i Operës dhe Baletit shkruan se do të jetë për publikun vepra më e shfaqur e Verdit. “Skenografi e rafinuar në çdo element, kostumografi e një niveli tejet profesional dhe një kast ndërkombëtar bëhen gati për t'ju prezantuar publikut shqiptar në veprën më të shfaqur në botë nga krijimet e kompozitorit Giuseppe Verdi”, lajmëron TOB për operën.
“Il Trovatore” i ka të gjitha, një hero, një heroinë vetëmohuese, një keqbërës, skelete në dollapin e familjes dhe katër akte të mbushura me muzikë plot pasion dhe lavdi. Libreti është shkruar nga Salvadore Cammarano dhe Leone Emanuele Bardare. Kjo opera u vu në skenë për herë të parë në TOB, në mars të vitit 1965. Operat “Rigoletto”,“La Traviata" dhe “Il Trovatore” vijojnë të jenë pjesë e repertorit të TOB. Opera “Il Trovatore” është opera më e shfaqur në botë e kompozitorit Giuseppe Verdi. Një histori rivaliteti familjar, hierarkie dhe hakmarrje. Një vepër me një muzikë të jashtëzakonshme të kontrasteve të forta ritmike, që shkaktojnë “turbulenca” të forta emocionale, shkruan TOB. Opera “Il Trovatore” sjell historinë e dy vëllezërve, të cilët ranë viktimë e fatit. Manrico dhe Conti di Luna, të ndarë në vegjëlinë e tyre, janë të destinuar të ndjekin rrjedhën e jetës, pa asnjë mundësi shpëtimi. Ata jetojnë në mes hakmarrjes, luftës për pushtet dhe dashurisë për të njëjtën femër. Një nga kryeveprat e Verdit, për libretin e të cilës ai kompozoi koralet dhe ariet më të fuqishme. Giuseppe Verdi (1813-1901) është kompozitori më njohur i operës italiane, jo vetëm i shekullit të XIX. Ai mbetet si njëri ndër kompozitorët më të njohur të botës në historinë e operës. Verdi u lind më 10 tetor 1813 në fshatin La Ronkole të Italisë Veriore, në një familje të varfër. Prirja dhe dashuria e tij për muzikën u shfaqën qysh herët, por shkollimi qe i vështirë. Në historinë e gjatë të operës Verdi zë vend nderi. Ai arriti të bashkojë traditat më të bukura të operës italiane, të mbetet thellësisht kombëtar, t’u shmanget elementeve negative të operës italiane, të absorboj elementet pozitive që ishin shfaqur në artin e operës në shekullin e XIX, madje edhe disa elemente të reformës së Vagnerit dhe të realizimit të letërsisë së kohës.