Nata finale e “Eurovision 2019” ka qenë vërtet emocionuese, sidomos te pjesa e votimit.

Fillimisht u prezantuan pikët e jurisë profesionale në lidhje direkte nga secili shtet, e ndërsa më pas të kalkuluara u shpallën edhe votat e teleshikuesve.

Nga ato të jurisë profesionale, Maqedonia e Veriut, e përfaqësuar nga këngëtarja Tamara Todevska me këngën “Proud”, u rendit shumë lartë.

Artistja Tamara Todevska në natën finale të “Eurovision 2019” (Foto: Michael Campanella/Getty Images/Guliver)

Ajo mori në total 237 pikë nga juria profesionale, duke u renditur e dyta, gjersa për një kohë të gjatë ka udhëhequr e para teksa jepeshin pikët tjera nga shtetet pjesëmarrëse.

Mirëpo votat e publikut ishin ato që ndërruan tërësisht lojën, e ndërsa më zhgënjyese këto rezultate u bënë për Maqedoninë e Veriut.

Tamara kishte grumbulluar vetëm 58 pikë nga publiku, duke bërë kështu që nga vendi i dytë, të përfundojë në vendin e tetë në renditjen finale të shteteve në “Eurovision 2019”.

 

Dhe kështu, vendi i parë i takoi Holandës me 492 pikë, i dyti Italisë me 465 pikë dhe i treti Rusisë me 369 pikë.

Ndërkohë, paraqitja e mbrëmshme e këngëtares Todevska, shënon rezultatin më të lartë ndonjëherë në histori që shteti maqedonas ka arritur në këtë festival. /Telegrafi/

Artistja Todevska shënoi rezultatin më të madh të arritur ndonjëherë nga Maqedonia e Veriut në “Eurovision 2019” (Foto: Guy Prives/Getty Images/Guliver