Arben Kastrati: Filmi “Unë dhe Millosheviqi” do të sjellë aktorë të famshëm botërorë në Kosovë

Hënë, 27 May 2019 15:12

Është në vlugun e punëve për realizimin e filmit të metrazhit të gjatë “Unë dhe Millosheviqi”, me skenar dhe regji të Arben Kastratit. Në një intervistë të dhënë për KultPlus, Kastrati ka njoftuar se ngjarja e këtij filmi është vendosur në Kosovë, në vitin 2003. Ai poashtu ka njoftuar se tashmë ka marë konfirmimin e aktorëve të famshëm botërorë si: Gerard Depardieu, Alessandra Martines, Pamela Bowen, Nathalie Boyer që do të jenë pjesë e këtij filmi. Megjithatë, edhe përkundër gjithë kësaj kaste të famshme, Kastrati ka thënë se ende nuk ka marë nga institucionet një letër konfirmimi që do ti ndihmonte producentit për xhirimet e këtij filmi në lokacione të ndryshme të Kosovës.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Sapo keni bërë të ditur se jeni në prag të fillimit të xhirimeve të filmit “Unë dhe Millosheviqi”, ku jeni më saktë me përgatitjet? Arben Kastrati: Jam në parapërgatitje të filmit “Unë dhe Millosheviqi” që do të xhirohet në Kosovë, Francë dhe Holandë. Sapo jam kthyer nga Franca, ku isha për ta marrë konfirmimin nga Komuna e Parisit, që lejon, mbështet me logjistikë dhe infrastrukturë, xhirimet e filmit në Paris. Tani e pesë muaj, jam në pritje të një mbështetjeje të tillë nga institucionet tona…

https://www.kultplus.com/wp-content/uploads/2019/05/dep-300x171.jpg 300w, https://www.kultplus.com/wp-content/uploads/2019/05/dep-768x438.jpg 768w, https://www.kultplus.com/wp-content/uploads/2019/05/dep-1140x651.jpg 1140w, https://www.kultplus.com/wp-content/uploads/2019/05/dep-215x123.jpg 215w, https://www.kultplus.com/wp-content/uploads/2019/05/dep.jpg 1242w" sizes="(max-width: 1024px) 100vw, 1024px" style="box-sizing: border-box; border: 0px none; vertical-align: middle; outline: none 0px; text-decoration: none !important; max-width: 100%; margin: 15px 0px; height: auto;">

KultPlus: Çfarë rrëfimi do të na shpalosë ky film?
Arben Kastrati: Shpërbërja e Jugosllavisë rezultoi me luftëra, shpërbërja përfundoi me luftën në Kosovë. Pas përfundimit të luftërave, ne vazhdonim të urreheshim aq shumë, sa që i gëzoheshim fatkeqësisë së tjetrit.

Pas përfundimit të luftërave, të gjithë popujt, adhuronin heronjtë e tyre. Heronjtë e tyre, për ne ishin kriminel. Heronjtë që ne adhuronim, të tjerët i trajtonin si kriminel. Prandaj, “natyrshëm” lindi motoja: “Heroi i vendit tim, është Kriminel për vendit tjetër”. Dhe e kundërta. Këtë temë trajton filmi. Por, cilët ishin heronjtë e vërtet?!!!! Nëse kryepersonazhi i filmit nuk do të ishte Hero, nuk do të ishte as Kriminel?!!!!

KultPlus: Pse bash ky titull?
Arben Kastrati: 
Kryepersonazhi, një shqiptar nga Kosova, në rrethana të cilat nuk po i zbuloj tani, e takon Millosheviqin (ngjarja është e vërtet). Takimet mes tyre, shpjegohen në versione të ndryshme. Kryepersonazhi e dëfton takimin mes tyre si triumfator. Dhe është superioriteti i tij ndaj Millosheviqit, që e bënë atë që ta vendos veten para Millosheviqit: “Unë dhe Millosheviqi”. Të tjerët dëshmitarë, takimin mes tyre e dëftojnë, ndryshe! Cila është e vërteta e takimit mes tyre?!!!!

 

KultPlus: Ky film do të jetë ko-produksion me Francën dhe ka një kastë super të famshme, si arritët të mblidhni këtë kastë?  
Arben Kastrati: 
Filmi është bashkëprodhim me Francën. Tani për tani, është bashkëprodhim jo i Kosovës por, bashkëprodhim i imi me Francën. Filmi përbëhet nga një kast i shkëlqyer aktorësh, si: Gerard Depardieu, Alessandra Martines, Pamela Bowen, Nathalie Boyer, Xhevdet Doda, Afrim Kasapolli etj…

Për këtë kastë aktorësh, më kanë zili dhe vet francezët. Por, fatkeqësisht, Kosova sikur nuk është e interesuar për ta ndihmuar realizimin e këtij filmi. Pse?!!! Unë kam përgjigje, dhe është politike. Përfshi dhe mëri personale…Kastën e mblodhi skenari. Dhe personazhet e shkruara bukur, thonë aktorët. Aktorë të përmasave të tilla, nuk joshen me skenarë mediokër. Ata pranojnë të luajnë vetëm aty ku shikojnë potencial. Fundja, unë as financiarisht nuk arrijë t’i joshë.

KultPlus: Depardieu është një ndër aktorët që do të luaj në këtë film. Si e binde? 
Arben Kastrati:
 Depardieu, adhurohet nga francezët. Është idhulli i tyre. Është krenaria e tyre. Ai personifikon madhështinë franceze. Me ftesë të tij, Depardieu-në e takova në shtëpinë e tij në Paris, që ishte një galeri arti, në të cilën vepra të artistëve më të mëdhenj botërorë, ishin të ekspozuara. Ishte si të hyje në një “botë tjetër”. Në një botë ku as në ëndërr, njeriu nuk mund ti mbledh gjithë ato vepra arti. Ishte mrekullia vet të qëndroje pranë atyre punimeve. Ndjesia që të dhuronte ambienti, ishte një perfeksion…

Depardieu është një person shumë i këndshëm, nikoqir parekselancë, super intelegjentë, dëftues i përkryer. E kam shijuar çdo moment në takimet me Depardieu. Në takimin e parë, diskutuam për skenarin, për rolin e tij. Dhe u deshtë fare pak kohë të përfundonim marrëveshjen, sepse u mirëkuptuam.

KultPlus: Kishte pas njohuri me herët për Kosovën, por edhe për Millosheviqin?
Arben Kastrati:
 Përvoja profesionale dhe jetësore, Depardieu-në, padyshim e bënë jashtëzakonisht të veçantë. Ai është shumë i informuar me politikën globale. Natyrisht, ai kishte njohuri edhe për Kosovën. Dhe për Millosheviqin. Pas, trajtimit që i bëmë, vazhdimin e bisedës e fokusuam duke trajtuar politikanët, dhe arsyet që i shtyjnë shumë nga ata të bëhet të tillë siç bëhen…Ai kishte takuar shumë kryetarë shtetesh. Dhe shumë diktatorë…

KultPlus: Ndërkohë ju keni pjesë të kastës edhe aktorë të tjerë të njohur. Për kënd bëhet fjalë?
Arben Kastrati: 
Pjesë e kastës së aktorëve, është edhe aktorja italo-franceze Alessandra Martines. Për zonjën Martines, skenaristë dhe regjisorë kanë shkruar skenare enkas. Ajo personifikon bukurinë, elegancën dhe dijen. Jam shumë krenar që ajo është pjesë e kastit të filmit. Aktorja amerikane Pamela Bowen, është përzierje e bukurisë dhe talentit, gjithashtu. Aktorja franceze Nathalie Boyer është fantastike dhe më ka ndihmuar shumë në përgatitje të filmit… 

KultPlus: Ju jeni edhe skenarist i këtij filmi. Çfarë periudhe të Kosovës keni vendosur në këtë film?
Arben Kastrati: 
Ngjarja e filmit ndodhë në vitin 2003. Është paslufta, kur e gjithë popullata kolektivisht ishim të dehur nga liria. Në atë periudhë kohore, qarkullonin dëftime nga më të ndryshmet. Dhe Heroi i filmit tim, ka dëftimin e tij. Një dëftim sa tragjik aq edhe komik…  

KultPlus: Për këtë film ju nuk keni pas mbështetje shtetërore. A mendon se do të pendohen që nuk e mbështeten këtë projekt?
Arben Kastrati: 
Gjithë ç’kam kërkuar në mënyrë zyrtare nga institucionet e Kosovës, është jo t’më ndihmojnë, por t‘mos më pengojnë. U kam kërkuar një letër të shkruar, në të cilën do ta mbështesin filmin me logjistikë. Që do të thotë, nëse duhet të bllokohet një rrugicë për disa orë xhirime për nevoja të filmit, të më mundësohet një gjë e tillë. Që producenti francez të ndjej siguri në investimin e tij. Por, fatkeqësisht, asnjë përgjigje nuk kam marrë ende…Liderët tanë institucional nuk janë penduar për gjëra shumë më të mëdha. Prandaj, ata nuk kanë për t’u penduar edhe nëse nuk do ta ndihmojnë apo mbështesin filmin. Filmi për ata është diç e parëndësishme.

Ambasadori francez, në një rast më tha se unë po i bëja një nder të madh vendit tim, duke sjellë aktorë të nivelit botëror. Punët e tyre në Kosovë do të përcillen nga mediumet më të mëdha botërore, tha, dhe qasja ndaj Kosovës do të ndryshoj në të mirë…

KultPlus: Sa besoni që ky projekt do të jetë një ndër projektet më të suksesshme të kinematografisë kosovare?
Arben Kastrati:
 Besoj që kasti i aktorëve flet për suksesin që do të ketë filmi.  

KultPlus: Filmi do të xhirohet në Kosovë, Francë dhe Holandë. Kur me saktë do të nisni me xhirime? 
Arben Kastrati:
 Xhirimet e filmit ishin paracaktuar për në muajin prill dhe maj. Por, për shkak të angazhimeve paraprake të aktorëve të sipërpërmendur, xhirimet e filmit janë shtyrë për në muajin shtator.

KultPlus: Është herët të flitet, megjithatë kur e parashihni premierën e filmit? 
Arben Kastrati: 
Shpresoj që filmi të jetë gati në dhjetor. Janë producentët ata që do të vendosin se kur dhe ku do ta shfaqim filmin.

KultPlus: Cilin treg jeni duke e synuar, festivalet apo kinematë?
Arben Kastrati:
 Absolutisht që festivalet janë synimi ynë. Pastaj, ne kemi marrëveshje shitjeje dhe distribuimi me disa kompani. Ato do të merren me plasimin e filmit në treg. 

KultPlus: Dhe për fund, a ka ndonjë befasi tjetër rreth këtij filmi që ende nuk e keni treguar?
Arben Kastrati:
 Ka dhe shumë befasi të tjera. Por, do ti mbaj për vete edhe për pak kohë. /KultPlus.com

Login to post comments