Candide: Aleksandër Moisiu dhe publiku parizian, intervista ekskluzive me aktorin e famshëm shqiptar

Premte, 05 July 2019 17:49

Nga Aurenc Bebja

“Candide” ka botuar, të enjten e 20 tetorit 1927, në faqen n°7, intervistën e Claude Prevost me aktorin e famshëm me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiun, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë në vijim për publikun shqiptar :

Moisiu dhe publiku parizian

Ndërsa Aleksandër Moisiu po rregullonte me kujdes, në skenën e Atelier, ndriçimin e kafkës së Hamletit, e pyes regjizorin e tij :

— A jeni të kënaqur ?

— Oh ! po ! shumë ! shumë !

Ky gëzim tregon një mirënjohje tek aktorët që takoj. Shtrëngimi i duarve bëhet më i ngrohtë me drejtorin e tyre.

— Asnjëherë – më tha ai – nuk e kam ndjerë publikun aq afër meje. Ai ndjen synimet më të vogla, hollësitë më të vogla i bien në sy para se ato të jenë përkthyer plotësisht.

Dhe gruaja e tij, bashkëpunëtorja e tij, shtoi : — Ai paguan faturën para se të marrë atë që i takon atij !

— A ndryshon publiku gjerman në këtë drejtim me atë francez ?

— Po. Ai është në kërkim të përpjekjeve (risive), në vend që të shijojë pasivisht atë që është e bukur në vetvete. Është më i ashpër dhe mirëpret vetëm atë që shënon një hap të ri drejt modernizmit.

— Ndikimet që ai pëson nuk janë ndoshta të njëjtat ?

— Ne vuajmë më shumë sesa ju ndikimet orientale, të cilat, tek unë, zbuten falë origjinës time latine. Të gjithë popujt, madje vetë Amerika, nuk mund të shpëtojnë nga joshja e fuqishme e teatrit rus, me Chekoff (Çehov). Dhe ne, më pak se ndonjë prej tyre. Aty duhet të kërkojmë qetësinë naive, paqen e  brendshme dhe rrezatuese. Në Rusi, teatri është shpirti i një populli. Jashtë popullit, nuk ka shpëtim.

— A besoni se në Francë, ajo që keni luajtur është e arritshme të kuptohet nga të gjithë ?

— Jo. Edhe pse çdo mbrëmje salla është mbushur plot, deri në karrigen e fundit, publiku përfaqëson një elitë intelektuale, një pjesë të vogël të popullit. Përderisa teatri nuk do të jetë shprehja e turmës, ne do të kemi “copëza-biskotash”, “copëza-bonbonesh”, si në Berlin ashtu edhe në Paris.

— A e mbështetni bashkëpunimin e publikut dhe aktorëve, si në Francë ashtu edhe në Gjermani ?

— Jo. Është e pamundur në të dy vendet.

Aleksandër Moisiu mendon.

— Mendova, në Moskë, se kisha përjetuar gëzimin më të madh të jetës sime, para pritjes entuziaste që mora. E kisha krejt gabim : Nuk isha ende në dijeni për pritjen që më rezervonte Parisi !

Claude PREVOST

Login to post comments