Festivali “DokuFest” vjen këtë vit në edicionin e 18 me 280 filma. Prodhime të ndryshme të kinemasë së huaj dhe asaj shqiptare janë në netët e festivalit, që do të nisë në ditët e para të muajit që vjen. Siç është bërë traditë, shfaqja e disa filmave në Tiranë i paraprin festivalit, që do të startojë në Prizren nga data 2 deri më 10 gusht. Katër filma të autorëve të huaj u shfaqën mbrëmë për publikun tek Open Air Tirana pranë liqenit. Por për organizatorët e festivalit, “DokuFest” është një jo vetëm festë e filmit, por edhe e muzikës. Drejtori artistik i “DokuFest”, Veton Nurkollari tha se festivali këtë vit ka një program cilësor. ““DokuFest” vjen me një mega-program prej 280 filmash. Numri i filmave nuk është e vetmja gjë karakteristikë për këtë edicion, por është programi cilësor i shtrirë në 6 kategori garuese me mbi 100 filma, si dhe mbi 15 programe të veçanta dhe një program enkas të kuruar për temën e festivalit “E vërteta”. Do të mundohemi ta trajtojmë jo vetëm me filma, por edhe me diskutime, panele, etj. Një program filmash mbi atë se çfarë po ndodh në botë bashkë me një numër të konsiderueshëm të njerëzve të cilët do të jenë pjesë e festës sonë të filmit, muzikës dhe shoqërimit”, tha ai. Para prezantimit të filmave në Tiranë zëvendësministrja e Kulturës Valbona Shujaku tha se përgjatë zhvillimit të tij, “DokuFest” ka arritur të ndërtojë një ngjarje kulturore të rëndësishëm, si dhe një vend-takim kulturor. ““DokuFest” është ngjarje e rëndësishme e cila ka nisur si iniciativë e vogël, ndërsa tashmë është shndërruar në një rrugëtim kulturor të rëndësishëm si dhe një vend-takim mbarëbotëror”, pohoi Shujaku. Disa filma u shfaqën mbrëmë, por drejtoresha e “DokuFest” Nita Deda Tiranën e quajti një shembull të mirë urë lidhjeje mes dy vendeve. “Një aktivitet që tashmë është bërë traditë për një program që është masiv, ne e nisim dhe e lançojmë programin në Tiranë, me një shembull të mirë që është urë lidhës mes dy vendeve tona”, tha ajo.
Drejtoresha Nita Deda shprehet se ky edicion ka dhe programin e muzikës, që sivjet shtrihet në 4 skena të ndryshme, që nga iso-polifonia e Osumit e deri tek muzika elektronike eksperimentale, e po ashtu një program i festivalit të fëmijëve. Në fjalën e saj, Nita Deda vlerësoi dhe programin e “DokuPhoto”. “Kemi edhe një bashkëpunim me kuratoren Blerta Hocia me të cilën do ta shënojmë programin tonë të fotografisë “DokuPhoto”, program i cili është ndërtuar me temën e festivalit si dhe një ekspozitë hologram. Një shfaqje për të cilën jemi krenarë, është shfaqja e filmit “Shkreptima”, të artistit Petrit Halilaj, premiera kombëtare e filmit të tij që përcjell projektin artistik që ai zhvilloi vitin e kaluar në Runik. Një shfaqje tjetër speciale është edhe filmi i Samir Karahodës, filmi i tij debutues “Në Mes”, i cili përveç 20 festivaleve pjesëmarrëse ishte i pari film që u përzgjodh në festivalin prestigjioz Berlinale”, tregon Deda për festivalin. Në festival është dhe programi kombëtar, që sjell filmat shqiptarë. Për programuesin e filmave të shkurtë Samir Karahoda, ajo që e karakterizon programin është numri i madh i shqiptarëve prej diasporës. “Ne mundohemi që t’i inkuadrojmë edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe të krijojmë konkurrencë ma të madhe. Vitet e fundit kemi një rritje të jashtëzakonshme. Sivjet do t’i kemi 11 filma, që garojnë në filmat kombëtarë, ndërsa 2 të tjera janë shfaqje speciale të punuar nga artistë të huaj, por që ndërlidhen me tema aktuale vendore. Tre filma janë nga Shqipëria, ndërsa në total do t’i kemi pesë premiera botërore”, tha ai. Festivali do të ketë masterklase dhe punëtori, ndërkaq regjisorët nga Shqipëria do të kenë mundësinë të takojnë figura nga tri festivale të famshme Sundance Film Festival, Venice Film Festival dhe Berlinale, të cilët do të flasin më në detaje për fazat e zhvillimit të një filmi.