Java e Filmit të Maqedonisë në Prishtinë/Një kinematografi që ka frymëzim e kreativitet

Tuesday, 24 December 2019 14:01

Nga Gani Mehmetaj *

 “Java e Filmit të Maqedonisë” që e organizoi Kosovafilmi në bashkëpunim në Kinotekën e Maqedonisë, ishte një  prezantim i mirë e vlerave filmike të periudhave të ndryshme. Filmi i mbrëmjes së parë “Gëzuar 49 ” ishte realizuar me 1986, kurse filmi i mbrëmjes së fundit “Petrunia” ishte prodhim i vitit 2019. Ajo që bie në sy është bashkëprodhimi me kinematografit e rajonit, por edhe me kinematografit kombëtare të Evropës.  Bashkëprodhimi me Kosovën zë një vend të dalluar.  

Është vështirë të jepet gjykim për kinematografinë e Maqedonisë në dhjetë vjeteshin e fundit nga gjashtë filmat e “Javës së filmit maqedonas” në Prishtinë, apo edhe nga pesë-gjashtë filmat tjerë që i kam parë me herët nëpër festivale të ndryshme, mirëpo nga ajo që pashë krijohet përshtypja se filmi maqedonas ka frymëzim e kreativitet, dallohet me stile e qasje të ndryshme, nuk i mungon guximi të ballafaqohet me tema të ndjeshme, është vazhdimësi e një traditë jo shumë të gjatë, por të suksesshme . Është një produksion që po e kërkon hapësirën e vet kreative dhe individualitetin.

Dramat për thyerje e mëdha dhe konfliktet etnike

 

Filmi “Gëzuar 49”  (1986), sipas skenarit të Gordan Mihiqit, në regji të Stole Popovit me Svetozar Cvetkoviq, Meto Jovanovski e Vladislava Milosavleviq në rolet kryesore. 

   “Gëzuar 49” (1986) është ndryshe nga filmat e shfaqur në “Javën e filmit të Maqedonisë” në Prishtinë”. Dallon me temën, dallon me qasjen dhe me periudhën kohore, ka atmosferë të veçantë, galeri personazhesh që të mbeten në kujtesë dhe situata tragjike. Filmi i Stole Popovit, një kineasti me emër kumbues e disa filma të suksesshëm, i takon zhanri politik, fillon me kthimin e një grupi të jugosllavëve nga Bashkimi Sovjetik pas acarimit të marrëdhënieve Moskë-Beograd. Jo të gjithë e përballojnë shkëputjen, jo të gjithë pajtohen me situatën e re: një ushtarak bënë vetëvrasje, një tjetër student kthehet në Moskë në vend se të kthehet në vendlindje, një grua i nënshtrohet shantazheve të shërbimit të fshehtë sovjetik, një tjetër ka mëdyshje nga t’ia mbajë. Filmi është dramë rrëqethëse, me ironi thërresë për viktimat me tru të shpërlarë nga ideologjia që si Saturni i ha bijtë e vet. Regjisori krijon dy botë personazhesh, ata që e pranojnë diktaturën pa rezistencë dhe ata që përpiqen të ikin nga diktatura. Është mbase filmi më i mirë i periudhës së shkëputjes nga stalinizmi, por që as UDB-ja nuk ndryshon në terror e tortura. Janë dy cepa të një ideologjie që janë paraqitur me mjeshtri. 

Svetozar Cvetkoviq, Meto Jovanovski e Vladislava Milosavleviq janë aktorë që e mbajë filmin dhe shpalojnë karaktere interesante. Cvetkoviq intepreton në mes të Hemfri Bogartit e Al Paçinos, por edhe bota që e lakmon protagonisti, i tij i takon kësaj mendësie. Meto Jovanovski luan humbësin që pajtohet me gjendjen e tij, kurse Vladislava Milosavleviq gruan sharmante e tragjike.

 

 

 “Para shiut”, sipas skenarit e në regji të Milçe Mançevskit me Katrin Kartlixhe ( Katrin Cartlidge), Rade Sherbexhia, Gregor Kolin (Gregoire Colin), Labina Miteska, Aburrahman Shala etj. 

 

“Para shiut”, i Milço Mançevskit (1994) një film embleme e kinematografisë së Maqedonisë, i nominuar për çmimin Oskar, i laureuar me disa çmime prestigjioze ndërkombëtare, i shfaqur në shumë vende, me të drejtë u prit me dashamirësi kudo që u dha. Të mrekulluar ishin edhe shikuesit e Prishtinës, një pjesë e të cilëve e kanë parë edhe më herët. Filmi ka bërë jetë aktive brenda dhe jashtë shtetit të ri, është film që të mbetet në kujtesë kohë të gjatë, regjisori e ka nxjerr thelbin e problemit, ka kapur visore e personazhe të pazakonshëm, në rrethana të veçanta, ka metafora e simbole që të bëjnë të përsiasësh, ka figura që nuk të lenë të qetë.

Filmi fillon rrëfimin nga manastiri me murgjit vetmitarë dhe të betuar në heshtje, ku prania e huaj, në veçanti e femrës është sakrilegj. Mirëpo, edhe heshtjen, edhe betimin e prish vajza e re, Zamira. Jeta e saj është dramatike, ndërsa përfundon tragjikisht.

I shkëputur nga ky fragment, por i lidhur si tërësi, është pjesa tjetër e filmit për fatin e fotoreporterit që jeton me një këmbë në Londër e me tjetrën në vatrat e luftërave të përgjakshme (Bosnjë), ndërsa e ndjen vetën fajtor për çdo vrasje, mu si personazhi i Heminguejit në “Plaku dhe deti”, kur thotë se me vdekjen e një njeriu vdes një pjesë e jotja. Masakra tjetër që ndodh në një restorant të Londrës, është pjesë e çmendurisë ballkanike, ndërsa heroin e ndjek si mallkim.

Filmi “Para shiut” arrin  kulmin me pjesën e tretë: “Fotografi” (dy pjesët tjera janë: “Fjalë” dhe “Fytyra”), kur protagonisti, fotoreporteri kthehet në vendlindje. Aty shpalohet një situatë e re, dramatike: konfliktet në mes të dy komuniteteve në një shtet të sapoformuar me armiqësi e paragjykime të vjetra, që ngjallën aksidentalisht apo të nxitura. Dy komunitetet dallojnë pak në mes veti, por e kanë të përbashkët paragjykimin, mosdurimin e urrejtjen.

Dy dashuri të parealizuara, dy jetë të shkuara dëm, dy komunitete të trazuara, dy funde tragjike, janë strumbullari i filmit.  

Sa herë ta shikosh filmin “Para shiut” se si të duket, ndryshe nga hera e parë, të shpalohen pamje që të kanë shpëtuar, e shijon bukurinë e kuadrit dhe vrazhdësinë e visoreve. “Para shiut” është rrëfim dramatik për njerëzit dhe tokën, për gadishullin tonë të paqetë, për paragjykimet dhe për shajninë.

    

 

Individi i frustruar, hija e diktaturës dhe femra e pabarabartë

“Shëruesi”, sipas skenarit e regjisë së Gjorce Stavreskit me Blogoje Veselinov, Anastas Tanovski, Aksel Mehmet etj. në rolet kryesore.

Një i ri përpiqet t’i dal në ndihmë babait që vuan nga sëmundja e pashërueshme, raportet e ngatërruara shoqërore e hutojnë, rastësia a fati e ndihmon të vjedh një paqetë marihuane, me të cilën gatuan ëmbëlsirën çudibërëse. Ky është syzheu i shkurtër i filmit. Këtu nisin peripecitë e djaloshit dhe bëmat e tij. Rrëfimi është i natyrshëm e dramatik, situatat e papritura, kurse fundi i pazakonshëm.   

“Shëruesi” është komedi me elemente dramatike për konduktorin e ri që me ëmbëlsirën “shëruese” të gatuar me kanabis, krijon  një seri situatash tragjikomike. Por filmi ka edhe tone të zymta, atmosferë të rrethanave sociale, figura që duken të humbura në kohë e në hapësirë, që e kërkojnë shpëtimin në barin “çudibërës”.  Ëmbëlsira është pretekst për të fotografuar situata dhe njerëz, mendësi e karaktere, mjedisin sociale. Filmi “Shëruesi” me një humor fshikullues dhe me përzierje zhanresh fshikullon mendësinë që mund të jetë kudo në gadishull. Film është  punuar me mjeshtri, situata janë të gjetura dhe interpretime të lakmueshme të aktorëve Blagoje Veselinov dhe Anastas Tanovski.

“Lazari”, (2015) regjia Svetozar Ristovksi, skenari Svetozar Ristovski dhe  Grace Lea Troje. Rolet Vedran Zhivoliq, Goran Navojec, Dejan Lilik etj.

“Lazari” i Svetozar Ristovskit është ndër filmat më simpatik që kam parë nga brezi i regjisorëve për të cilët fatkeqësisht nuk kisha shumë informacione. Është film i punuar mirë, ka portretizim të shkëlqyeshëm të personazheve, ka rrëfim dinamik kinematografik, ka dramaturgji që të mbanë pezull, nuk i mungojnë batutat që i japin ngjyrim të duhur e sharmë filmit. Përmes të riut mafioz, regjisori na shpie në botën e mafisë, ku jeta e njërit  ka pak vlerë, pastaj ai rropatet me burokratë që i shesin patriotizëm, kur i duhet pasaporta që mund t’ia shpëtoj jetën, ndërsa më parë po këta zyrtarë i kanë  marr ryshfet. 

Në qendër të rrëfimit kinematografik është Lazari, i riu që futet në grupin mafiozë që merret me transportin ilegalë të refugjatëve arabë. Ai e bënë një krim, mirëpo, jeta e tij ndryshon kur dashurohet në Katrinën. Janë simpatkë rolet e Vedran Zhivoliq (Lazari) dhe Natasha Petroviç (Katrina), por edhe interpretimet e m Goran Navojec e Dejan Lilik.

“Nata e mjaltit”, skenari e regjia Ivo Trajkov me Nikola Ristanovski, Verica Nedeska, Igor Angelov.

Kur e shikon filmin “Natë mjalti” të Ivo Trajkovit të duket sikur po e përcjell fatin e Jozef K. të Franc Kafkës nëpër labirintet e errëta të mekanizmit përtypës të shtetit. Një natë të errët kur fikën dritat në apartamentin e protagonistit, që sapo kthehet me gruan nga një gosti qeveritare, bëhet natë ankthi e tmerri, sepse ai është viktimë e objekt i survejimit të çimkave përgjuese. Në një situatë të këtillë makthi e frike shpalohen marrëdhëniet në mes të burrit e gruas, akuzat e ndërsjella, meritë e vjetra, dyshimet, tradhtitë bashkëshortore, mosbesimet dhe urrejtja që shpërthen kohë pas kohe.

Filmi është punuar me mjeshtri, ka dramaticitet, interpretime të mira të aktorëve, kuadro dinamike, pamjet bardhë-zi e sforcojnë atmosferën, e bëjnë gati syrreale farfurinë e pritjeve qeveritare, nga perspektiva e apartamentit të errët duket si ëndërr e keqe. Protagonisti i Ivo Trajkovit, është viktimë, por është edhe pjesë e mekanizmit ndrydhës, është i shantazhuar, por di edhe të përfitoj e shantazhojë.

Fundi i filmit ka një kuptim simbolik, e përmbyllë mirë e me gjetje të qëlluara thelbin e mekanizmit shtypës e shantazhues të një sistemi të korruptuar.

 

“Zoti ekziston, emri i saj është Petrunia”, regjia Teona Strugar Mitevska, skenati regjisorja me Elma Tataragic. Rolet kryesore Zorica Nushrva, Labina Mitevska e Stefan Vujisiq ne rolet kryesore.

A është Zoti femër? sikur do ta shtrojë këtë pyetje filmi i regjisores Teona Strugar Mitevska, “Zoti ekziston, emri i saj është Petrunia”. Pse duhet të jetë Zoti mashkull dhe, pse burrat i kanë të gjitha privilegjet në botën shpirtërore e materiale? Filmi në shikim të parë duket feminist, këmbëngulja e protagonistes, pastaj gazetarja luftarake që po ashtu lufton për të drejtën e vet këtë ngjyrim merr,  mirëpo në vazhdim Teona Strugar Mitevska shtron probleme fondamentale të (pa) barazisë së burrit dhe gruas.  Protagonistja e filmi, një e re 33-vjeçare ballafaqohet me padrejtësinë e madhe kur ia bëjnë me dije se e drejta e garës në kryq dhe fatit që sjell, u takon burrave. Ajo proteston, rebelohet, ëshët viktimë e denigrimit, e terrorizojnë, por as p;olicët dhe as prifti nuk mendojnë se e kanë gabim. Bota është e burrave dhe s’kanë si mendojnë ndryshe ata.    ojnë e terrorizojnë në polici, por kot, sepse prifti e policët ashtu mendojnë. Filmi “Petrunia...” shtron dy probleme: pabarazinë e gruas historikisht e sot deh luftëën e saj ën shqoëri dhe autoritarizmin e policisë që mund ta marr individin e ta mbajë, pa doje se po i shkel të drejatat elementare.

Nga filmi “Petrunia...” është pritur shumë, sepse ka një temë të veçantë, ka qasje ndryshe, por ka edeh një tension të femrës që nuk kuprohet sa duhet nga burrat. Në film ka qasje të shëndosh, ka stil e dinamik rrëfimi, por herë herë ka mllef që kanalizohet veçmas përmes gazetares, sespe petrunia ëshët më e qetë, pavarësishst se është viktimë e shovinizmit mashkullor.

 *  Autori është drejtor i Kosovafilmit dhe profesori i teorisë së filmit

Login to post comments