Një histori suksesi ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar nën tingujt e folkut shqiptar”. Kështu shkruan Aleanca për mbrojtjen e Teatrit, e cila thotë se Hersi Matmuja, këngëtarja shqiptare e diplomuar me vlerësimin maksimal shoqëruar me ekselencë dhe me titull nderi në Konservatorin Santa Cecilia në Romë do t’i bashkohet sot kauzës për mbrojtjen e Teatrit.

POSTIMI I PLOTË
Sot, në orën 19:00, Hersi Matmuja, magjia e zërit shqiptar nëpër botë, ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar në kuadrin e Festivalit për Mbrojtjen e Teatrit në mbështetje të kauzës për mbrojtjen e tij. E lindur dhe rrritur në Shqipëri, e diplomuar me vlerësimin maksimal shoqëruar me ekselencë dhe me titull nderi në Konservatorin Santa Cecilia në Romë, Itali, ku dhe ushtron aktivitetin e saj, Hersi është kthyer në ambasadore e kulturës dhe traditës së folkut shqiptar nëpër botë. Ajo njihet nga publiku shqiptar dhe si fituese e Festivalit të 52-të në RTSH duke përfaqësuar Shqipërinë ne Eurosong 2014, në Kopenhagen.

Teatri Kombëtar për Hersin është “si ato kujtimet që i kisha lënë aty të fshehura nga frika se mos tregonin të vërtetën e jetës sime. Kujtimet frikësoheshin nga unë e unë nga to. Teatri nuk duhte të rrijë strukur derisa të thërrmohet e ne të humbasim dinjitetin tone, tërësisht. Duhet të kujdesemi për të, për memorien historike sepse vetëm duke e ruajtur dhe transmetuar me përkujdesje e dashuri mund të fluturojmë në të ardhmen”.
“Shtëpia” është titulli i koncertit të cilin Hersi dhe grupi i saj Illyria Trio do të paraqesin për publikun shqiptar: Hersi Matmuja- Zë e Daff Andi Zeka- Fizarmonik Jacopo Conoci- Violinçel.

 

Grupi Illyria Trio ka lindur nga dëshira për të risjellë tingujt e folklorit shqiptar nëpërmjet elementëve teknikë të muzikës klasike.”Kur filloi projekti i trios, teksa i prezantoja Jacopos dhe Andit pjesë nga repertori ynë tradicional fillova të kujtoja copëza kujtimesh e histori të fëmijërisë sime, ato kujtime që më kanë bërë kaq”, do të shprehej Hersi.
Takimi mes zërit të Hersi Matmujës dhe dendësisë së tigujve të violinçelit të Jacopo Conoci-t percjellin hapin e parë të një vallëzimi që pasurohet më tej me ritme të reja të fizarmonikës së Andi Zekës. Shfaqja muzikore, bazohet në alternimin e muzikës dhe recitimin e teksteve të thjeshta, të shkruara dhe të ripërpunuara posaçërisht për t’i siguruar spektatorit një udhëtim që ndonjëherë merr pamjen e një sërë pikturash, të cilat i shfaqen publikut brenda një ore, orë në të cilën muzika e Shqipërisë takohet rrugës me atë të Kosovës e duke arritur më në fund Italinë, të shëtisë në rrugët e saj të lashta, rrugë këto që vazhdojnë të përcjellin traditën arbëreshe në mënyrë stoike.
Dhe, është pikërisht “Shtëpia” filli lidhëz i kësaj harmonie muzikore që bashkon gjenerata të lindura në emigrim të cilët kanë nevojë shpirtrore ta ndiejnë e ta kenë pranë, atë, vendin amë, vendin e gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre, ta njohin, ta ruajnë dhe ta trashëgojnë atë.
Këtë po bën Hersi dhe Illyria Trio nën tingujt e folkut shqiptar: jetësimin e kulturës shqiptare nëpër botë, përtej kufijve fizikë të saj.