Rikard Ljarja: Ëndrrat e aktorëve për interpretim janë të përjetshme

Tuesday, 21 Prill 2020 08:57

Nga Gani Mehmetaj

Me Rikard Lajrjen u takuam në Tiranë në vitin 1992.

Rikard Ljarja është emër i njohur i kinematografisë shqiptare. Ka interpretuar në dhjetëra filma role nga më të ndryshmet, të cilat e bënë të popullarizuar në ekranin e madh e të vogël. Është edhe regjisor e skenarist i dhjetëra filmave të tjerë, që patën jehonë andej e këndej kufirit.

Zoti Ljarja, në film jeni i pranishëm një kohë të gjatë. Cilët ishin hapat e fillimit dhe në çfarë vështirësish hasët?

– Mbasi mbarova shkollën e lartë të aktorëve “A. Moisiu” në Tiranë më 1965, m’u dha rasti të hyj në kinoprova për rolin e Dritan Shkabës në filmin “Komisari i dritës”. Kishte shumë kandidatë. Fitova rastësisht: pasi bëra provë rolin e komisarit, regjisorët kërkuan të bënin një provë me një bashkëstudentin tim po për rolin e komisarit, por në dialog me priftin. Ndrek Luca nuk pranonte të vinte. Atëherë unë u propozova regjisorëve që ta ndihmoja, bashkëstudentin gjatë kinoprovës. Pasi pranuan, unë vesha veladonin e priftit, i mora një grimjori syzet dhe hyra në “lëkurën” e priftit për të ndihmuar sa më mirë kolegun. Kjo bëri që gjatë  vizionimit të kinoprovave unë të evidencohem në dy role diametralisht të kundërta. Kjo rastësi ishte për mua fillimi i karrierës kinematografike, sepse isha emëruar në estradën e Shkodrës, dhe sot do të isha muzikant në orkestër të estradës. Fillimet i kam si muzikant.

Ky rol ishte brenda meje, ishte mosha ime, ishin pasionet e mia (Dritani hap shkolla pa urdhër të kurrkujt, përhap kulturën në popull). Kështu që nga ana psiko-fizike nuk kisha ndonjë vështirësi të madhe. Kurse nga ana teknike, vështirësitë në fillim ishin të mëdha. Sepse, interpretimi në film teknikisht është një zhanër i veçantë. Hap pas hapi, gjatë xhirimeve mësova shumë gjëra, pak me intuitë, pak me praktikë, pak me ndihmën e kolegëve e shumë me ndihmën e regjisorëve. Edhe ata për herë të parë xhironin si regjisorë. Shkollën e kishin mbaruar për kameramanë. Gjatë punës mësuam të gjithë nga njëri-tjetri. Suksesi i rolit të parë ishte befasues për mua. Nuk më shkonte ndër mend se të nesërmen e premierës emri im do të lakohej që nga shtypi e deri në çdo familje në të gjitha rasat.

Ky sukses dhe publikimi i emrit e i figurës sime bënë që të kaloj nga filmi në film për një kohë të gjatë në role heronjsh. Atëherë bëheshin një, dy deri në tre filma në vit. Ndërkohë punoja edhe në teatrin “Migjeni” në Shkodër. Edhe aty bëja role të dorës së parë. E përmend teatrin “Migjeni” me një kolektiv të shkëlqyer, se më ushqeu me traditat më të mira të teatrit shqiptar, të trashëguara brez pas brezi, që nga amatorizmi (me vjen keq të përdorë këtë term). Ata që e lëvruan teatrin në Shkodër kanë qenë gjithmonë profesionistë në kuptimin shpirtëror e intelektual që në shekullin e kaluar. Pra, aktorë, si: Ndrek Prela, Paulin Laca, Tinka Kurti, Lec Bushati, Zef Jubani (që nuk e arrita në skenë), Antonjeta Fishta, Bep Shiroka, Jonuz Dini, Violeta Sekuj. Regjisorë, si: Lec Shllaku, Andrea Skanjeti (që nuk arrita të punoj me ta), por që kishin lënë gjurmë në krijimin e fizionomisë së teatrit “Migjeni” dhe gjithë këtyre personaliteteve të teatrit shqiptar), Serafin Fanko, Jonuz Dini. Me ata punova në shumë premiera, më ndihmuan të krijoj fizionominë time si aktor. Për fatin e keq, publiku i gjerë shumë aktorë i njeh vetëm si aktorë të kinemasë, për arsyen e thjeshtë se kinemaja ka masivitet e të bën publicitet. Kurse teatri i gjallë, i mbyllur brenda një salle, nuk të krijon mundësinë të interpretosh njëkohësisht në njëqind salla, siç e ka privilegjin kinemaja.

Në tre filmat e parë punuat me Dh. Anagnostin e V. Gjikën. Cili është raporti juaj me ta. Sa ka pavarësi aktori sidomos në fillim të karrierës? -Të tre e filluam karrierën kinematografike në kushte afërsisht të barabarta: si fillestarë. Ata për herë të parë si regjisorë, unë për herë të parë aktor. Ata kishin privilegjin se kishin bërë një shkollë serioze si operator. Po edhe ne kishim shkollë të fortë si aktorë. Leksionet e para i dha pedagogia Nina Çefranova dhe gjithë pedagogët e tjerë ishin formuar në shkolla çeke, hungareze, ruse etj. Edhe sot e kësaj dite dega e aktorëve është ndër më seriozet në Akademinë e Arteve të Bukura. Megjithatë, do të ishte maskarallëku më i madh të pohoj se unë u bëra aktor vetë. Mos të ishte Dh. Anagnosti dhe V. Gjika unë nuk do të isha aktor i kinemasë dhe as regjisor. Filmat e parë kanë qenë vërtet një shkollë e madhe për mua. Pra, mësuesit kanë qenë Anagnosti i prerë dhe racional dhe Gjika plot vrull e temperament. Për sa i përket pavarësisë në interpretim, edhe sot e kësaj dite jam skllav i regjisorit. I besoj atij, sepse ai e di temporitmin e filmit, ai e di si do të montohet, ai i di të gjitha. Dhe unë përpiqem “me instrumentin tim Rikard” t’i bie sipas simfonisë baketit të tij. Ai është dirigjenti im, ku ka kreshendo e di ai kë ka diminuendo prapë e di ai.

Në rolet tuaja hetohet mënyra epike e interpretimit. U flinin rolet e tilla apo ishte zgjedhja e regjisorit?

 -Sa vështirë të përgjigjesh. Unë them se nuk e kam luajtur ende rolin tim të vërtetë. Kështu thonë të gjithë aktorët. Kjo në fakt është për të qeshur. Aktorët kudo në botë janë një racë e veçantë. Për mua hyjmë në injorantët e intelektualëve. Të gjithë mendojmë për vete se jemi gjeni. A ka gjeni? Sigurisht që ka. Si në të gjitha fushat e jetës. A mund të mos jetë eksepsion Oliveri, Kuini, Mastrojani, Sofia Loreni, Brando, Zherar Filipi, Zhan Gabeni e ku e di unë sa e sa të tjerë. Pse i paktë është për ne shqiptarët Bekimi? E ku e lamë… ah, po, e lamë te mënyra epike e interpretimit. Në ato kohë, ato role m’u afruan, ajo frymë ishte, unë ashtu interpretova. Nuk e di, po të ketë role të tjera, regjisorë të tjerë ndoshta edhe unë do të shkoj sipas baketit të dirigjentit të ri…

Çka ju provokoi të merreni me regji filmi?

-Nga natyra jam kurioz. Dua të mësoj gjithçka. Sigurisht brenda mundësive dhe rrethanave. Duke punuar si aktor, që ditën e parë iu vura punës për të mësuar teknikat e kinematografisë pa ndonjë qëllim final, thjesht për të ditur, pas disa vitesh duke interpretuar role të dobëta, në filma të dobët me mungesë dramaturgjie, me mungesë logjike karakteresh dhe ndonjëherë edhe me regjisorë alogjikë, më hipi një inat. Po ky inat për të bërë vetë film, nuk ishte i thjeshtë për t’u realizuar. Rrethanat e sollën që Shqipërisë së asaj kohe, duke përforcuar vetizolimin, i duheshin më tepër filma. Dhe, diku atje lart, te partia-shtet, u vendos që të bëheshin 14 filma në vit. Pra një film në muaj teprojnë dy. Kjo qe një kafshatë e përbindshme për një shtet të kalbur ekonomikisht. Po si të gjitha çmenduritë, edhe kjo. I kishin rënë lapsit. Filmi nuk i kushtonte asgjë. Kostoja e filmit ishte: Pelikola (që blihej me presh klering – në Gjermaninë Lindore), ushqimi i grupit dhe beznina. Kjo ishte kryesisht kostoja e filmit. Ne merrnim një rrogë fikse, gjysmën e përdornim për të mbajtur frymën me bukë, sepse dietat për ushqim ishin qesharake… Çmenduritë komuniste në Shqipëri ishin çmenduri të vërteta. Na vunë edhe normë, një film në 18 muaj… Nejse, histori që ndoshta do t’i bisedojmë herë tjetër. Pra, meqë Shqipëria në vitet ’70 u mbyll plotësisht nga “bota revizioniste-kapitaliste në kalbëzim (sa për të qeshur, aq edhe për të qarë!), duheshin edhe regjisorë për të bërë këta 14 filma. Dhe kështu u thirra edhe unë. Për fatin tim, kisha një lloj parapërgatitjeje, kështu që nuk u ndodha bosh. Për sa i përket ndodhjes mbrapa kamerës veproj ashtu siç thashë kur shpjegova marrëdhëniet që kam si aktor me regjisorin. Kur jam aktor, i di regjisori kur jam regjisor, di unë të gjitha. Edhe kjo ka relativitetin e vet brendapërbrenda. Nuk është ndonjë shpikje e madhe. Në përgjithësi, kështu veprojnë të gjithë.

Në filmografinë tuaj ka pauza (1979-83, po edhe më vonë). Cilat ishin arsyet?

-Vërtet ka pauza, sidomos mbas viteve ’80. Arsyet janë disa. E para, u rrit një brez aktorësh dhe regjisorësh shumë të mirë, që punuan fort dhe patën rezultate. Në të 14 filmat nuk kisha si të isha vetëm unë. Kjo njëra arsye. E dyta, ishte politike. Tërë jetën më ka ndjekur nga mbrapa, si shumicën e shqiptarëve, ajo që quhej biografi. Në fisin tim nuk kishte asnjë komunist. Përkundrazi, kishte vetëm kundërshtarë. Nuk është vendi këtu të përmend listën e gjatë të njerëzve të mi që përfunduan burgjeve dhe të atyre që luftuan komunizmin nga mërgimi deri në frymën e fundit. Në vitet ’80 pati një shtrëngim të ri të luftës së klasave. Një ditë më urdhëruan të bëj dy filma njërin mbas tjetrit nga “veprat” e Enverit. Njëri për Qemal Stafën, tjetri për Vasil Shanton. Mbas ca ditësh më thirrën zyrtarisht dhe më thanë: Nuk je i denjë politikisht për të bërë këto vepra. Edhe hall, edhe kënaqësi! Hall se nuk dihej ç’do të bëhej me mua dhe familjen time. Dokumentet e mia qarkullonin nga kinostudioja në ministri, nga ministria në Shkodër. Komiteti i partisë në Shkodër nuk më pranoi “Nuk kemi punë për të”. Kurse kënaqësia ishte thellë, se nuk do të detyrohesha të gënjeja popullin sipas “veprave të Enverit”. Ishte edhe një arsye e pathënë zyrtarisht që po më rrotullohej nëpër këmbë dhe gati po më rrëzonte përfundimisht. Në vitin 1980 bëra filmin “Skëterrë 43”, me temë nga një kamp përqendrimi italian në Shqipëri gjatë viteve të pushtimit. Shpenzova gjithë energjitë për të dhënë maksimumin kundër diktatorëve, kundër demiurgëve. Në një bisedë gjatë një dreke në një rreth të ngushtë, R. Alia tha: Shumë mirë që Rikardi zgjodhi atë vend për xhirim, se nuk bezdisi njeri (u xhirua i tërë në një plazh të shkretë, larg njerëzve), pse ne nuk na duhen filma të tillë. Kjo nuk ishte zyrtare, por në shënjestër isha vënë. Aq më tepër që autor i skenarit ishte B. Shehu. Pra, pauzat janë në vitet ’80. Në këto vite kam bërë filma me urdhër për të plotësuar normën. Se si janë bërë ata filma në atë gjendje terrori psikik vetëm unë e di. Ishte njësoj si të bien me muaj (vare) kokës e të të thonë pse të merren mendtë).

 Jeni familje artistësh. Cila është përparësia, po edhe vështirësitë kur burri dhe gruaja merren me të njëjtin profesion, sidomos kur luani në të njëjtin film?

-Jemi përpjekur që të mos jemi asnjëherë bashkë në një film. (Përveç filmit që na bashkoi), sepse shtëpia ka njëqind halle. Janë fëmijët që duhen ushqyer, rritur, edukuar. Por, ka pasur edhe raste (nuk kanë qenë pak), që fëmijët janë zhgërryer shesheve të xhirimit, hoteleve pa minimalen e mundësisë për të jetuar. Por, energjia e pashtershme e Marjetës për të përballuar jetën ashtu si të vijë na ka nxjerrë në krye.

Cilin nga rolet e keni dëshiruar, por nuk keni pasur mundësi ta interpretoni dhe regjinë e cilit film do ta bënit po t’u jepej rasti?

-Ëndrrat e aktorëve për të luajtur role janë të përjetshme. Le të mbeten ëndrra. Tash të flasim konkretisht. Jam ulur (jemi ulur të gjithë) dhe diç po bëj. Besoj se pas dy javësh e kam skenarin gati. Është për Shqipërinë, për shqiptarët, për ne të gjithë. Për racën tonë, për sojin tonë me të mirat dhe të këqijat (se mos harroni të keqen e kemi edhe brenda vetes, është tjetër punë se s’na pëlqen ta themi). Mos harroni se komunistë, kriminelë, spiunë, xhelatë këta 50 vjet nuk ishin as gjermanët, as italianët e as ata nga Zimbabveja. Të keqen e kishim brenda vetes. Ajo sigurisht u injorua nga jashtë, por gjeti terren e u zhvillua si stafilokoku në lëng mishi. Pra, një katarsis kombëtar (vetëm për atë pjesë që ka nevojë për katarsis). Nuk i fus të gjithë në një kallëp. Nuk jemi të gjithë viktima. Ka një shkallë që secili brenda vetes e di. Unë p.sh. nuk mund të krahasohem me një që i janë pushkatuar pa gjyqe diku në një skutë gjithë familja dhe tërë jetën e ka kaluar burgjeve ose intervenimeve. Apo bashkëfajtor. E pse duhet të jetë bashkëfajtor p.sh. i biri i kësaj familjeje që u shfaros?! Pra, një katarsis na duhet sido që të jetë puna. Unë po përpiqem  të bëj një koncentrat, një esencë të gjithë asaj që ka ndodhur dhe që ka lënë nga prapa. Nuk do të jetë historia e filanit apo e filanes. Do të jetë historia jonë në këta 50 vjet. Më duket se e kam gjetur… Edhe sorrës i duket zogu i vet më i bukur.

Cilat janë pasojat e censurës në film dhe në art përgjithësisht?

-E para, ka qenë e ashtuquajtura metodë e realizmit socialist. Futja nën një uniformë e të gjithë artistëve dhe vënia e tyre në rresht. E për rrjedhojë, zhdukja e personalitetit, e individualitetit. Kush ishte pak më “i gjatë” e nuk e “zinte” uniforma, detyrohej të shkurtonte këmbët e jo të zgjaste pantallonat. Kush nuk i shkurtonte vetë, atëherë këmbët ia këpusnin pa dhimbje. Ndoshta që i këpusnin edhe kokën. Dhe e gjithë kjo për hir të metodës së “realizmit socialist”. Janë këputur qindra këmbë e kokë. Këmbët t’i këputnin me ndihmën e kolegëve, e kokat shpesh me urdhër nga lart. Ka pasur edhe artistë që pranuan të jenë derra të kënaqur e jo Sokrat i vuajtur. Këta ishin të vetëdijshëm që me veprat e tyre rrenin, shtrembëronin historinë, faktet, u ngrehnin aureole kriminelëve, e u vinin brirë e bisht engjëjve, por aq u bënte. Mjaftonte të kishin ca ledhatime, ca të mira materiale, ca udhëtime jashtë shtetit. Disa prej këtyre derrave sot e kanë ndërruar kostumin e kuq, me një blu dhe me paturpësinë më të madhe bërtasin për “vuajtjet” e “persekutimet” e tyre.

1992

93851431_829053304248541_7179572249454706688_n.jpg

Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...