Shuhet profesori i tre kontinenteve, Agron Fico

Tuesday, 02 June 2020 16:06

Shuhet në moshën 86-vjeçare albanologu dhe studiuesi i njohur Agron Fico. Lajmin e ka dhënë Akademia e Shkenca, teksa vlerëson maksimalisht figurën e Ficos, për kontributin e vyer të dhënë në trashëgimit shpirtëror të popullit shqiptar: etnofolklorit, pasurisë gojore, gjuhës së popullit dhe asaj të shkruar, traditave të kulturës popullore, gjenezës së popullit shqiptar. Ai njihet ndryshe si "profesori që u mësoi shqip kinezëve dhe amerikanëve", pasi bashkëthemeloi katedrën e gjuhës shqipe në Pekin dhe gjysmë shekulli më vonë edhe katedrën e shqipes në Boston. 
Kush ishte Agron Fico? Studiuesi Agron Fico është i pari studiues që, pas një pune këmbëngulëse dhe plot pasion, arriti të këshillojë koleksionin e famshëm Parry-Lord që ruhet në bibliotekën e Universitetit të Harvardit, që përmban mbi 60 këngë epike historike dhe legjendare kënduar nga rapsodë bilingë, shqip e serbokroatisht, mbledhur gjatë dy ekspeditave të homerologëve të famshëm amerikanë Milman Parry dhe Albert Lord në Shqipërinë e Veriut dhe në Sanxhak e Novi Pazar
Veprimtaria studimore dhe ajo universitare janë të pandara në jetën e prof. Agron Ficos. Përveç Universitetit të Tiranës, ai jo vetëm ligjëroi, por dhe bashkëthemeloi katedrën e gjuhës shqipe në Pekin dhe gjysmë shekulli më vonë edhe katedrën e shqipes në Boston. Prandaj ai është quajtur me të drejtë "profesori që u mësoi shqip kinezëve dhe amerikanëve".

Ishte nxënës i shkëlqyer i shkollës “Drita” në Gjirokastër, i parapëlqyeri i mësuesit legjendar gjirokastrit Thoma Papapano e më pas bashkënxënës, student e kolegë me Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Jorgo Bulon, Agim Shehun, Kristian Bukuroshin, Aleks Budën, Androkli Kostallarin, Zihni Sakon etj, që të gjithë personalitete të Shqipërisë.

Agron Fico ka një veprimtari të intelektuale që shtrihet që nga kërkim primar shkencor,drejtimi i institucioneve shkencore, pedagogjia e publicistika, me vetë folklorin në këndvështrimin më të gjerë, me albanologjinë si shkencë ndërdisiplinore, me Eposin e Kreshnikëve e dhe me çështjen homerike, me studimin e letërsisë shqipe dhe personalitetet e saj, me aktualitetin e Shqipërisë dhe të diasporës shqiptare etj, etj.

Fokusi qendror i punës së Tij kërkimore e shkencore ka qënë i lidhur ngushtë me njohjen dhe studimin e gjuhës shqipe, si zemra e etnokulturës shqiptare. Pa përmendur botimet e Tij të shumta, theksoj faktin se Agron Fico ka një kontribut të veҫantë në fushën pedagogjike e posaҫërisht në atë të popullarizimit, njohjes dhe përhapjes së gjuhës shqipe jashtë Shqipërisë, në aulat e Universiteteve në tre kontinente.

Së fundi, ishte doktor HONORIS CAUSA i universitetit të Gjirokastrës dhe antar i komisionit të përhershëm të ARTIT dhe TRASHËGIMISË pranë Akademisë së Shkencave.

Botimet:

▪ “Profesor në tre kontinente”, SHBA 2004; ▪“Diaspora e Rilindur”, Tiranë 2006;
▪“Rilindja e Shqipërisë Etnike”, Tiranë 2009, ▪“Beautiful America – Mozaik shkrimesh”, Tiranë 2014;
▪“Zbulimi i Eposit shqiptar në Harvard”-Albert B. Lord” Tiranë 2016 etj.

Ndërkohë që në këtë kontribut të tij përfshihen edhe shumë botime shkollore dhe universitare, mes të cilave:

•Gjuha Shqipe(metodë për studentët amerikanë),
▪Unë flas Shqip (metodë e gjuhës shqipe për të huaj),
▪Metodë e Gjuhës Shqipe (tekst për studentët kinezë) katër vëllime, 1962-1965, ▪Metodë e Gjuhës Shqipe (tekst për specialistët kinezë), 1963,
▪Historia e Shqipërisë(tekst për studentët amerikanë, anglisht), 1997, etj,
si dhe një mori studimesh, kumtesa, studime shkencore, dorëshkrime dhe studime të pabotuara, artikuj problemorë, ese etj

Modifikuar më Tuesday, 02 June 2020 16:39
Login to post comments