Nga Flavia Kaba,
perkthyese ne shqip e pese prej romaneve te Zafonit
11:16 Ha muerto Ruiz Zafon (Ka ndërruar jetë Ruiz Zafoni)
11:22 Muere el escritor Carlos Ruiz Zafon a los 55 anos (Ndahet nga jeta në moshën 55-vjeçare shkrimtari Carlos Ruiz Zafon)
Mesazhi në whatsapp i mikut dhe kolegut barcelonas Xavier Baro dhe koleges, Adës, të cilët më njoftuan dhe më hidhëruan pa masë me këtë lajm, do të pasoheshin nga mesazhe të tjera të këtij lloji nga miqtë, por edhe nga shumë lexues, që i njoha falë Zafonit. Para disa ditësh e kisha në mendje Zafonin, dhe mendërisht përshkova këtë 8-vjeçar të jetës sime, që kur ai me veprat e tij u bë pjesë e pandashme e rrugëtimit tim si përkthyese, duke sjellë për herë të parë, falë besimit të pakursyer të z. Petrit dhe znj. Mariana Ymeri, përkthimin tim të parë letrar të romanit të Zafonit I burgosuri i qiellit, në vitin 2012, për të vazhduar më pas me Princi i mjegullës, Pallati mesnatës dhe Dritat e shtatorit të përmbledhura në një botim "Trilogjia e mjegullës", për të sjellë së fundmi në panairin e Librit të vitit të kaluar romanin përmbyllës së sagës së "Varrezës së librave të harruar", romanin e shumëpritur Labirinti i shpirtrave.
Nuk e mendova se kjo telepati imja do të ishte ogurzezë, isha e emocionuar, kur imagjinoja daljen e romanit të ri të përkthyer sërish nga unë (botuesit e Diturisë ma kishin premtuar), imagjinova librin e tij në duart e mijëra lexuesve, panairin e zhurmshëm të Librit, ku Zafoni është ndër emrat e parë që lakohet dhe kërkohet dhe sigurisht (çiltërsisht po ju rrëfehem) veten të ftuar në studiot tona televizive, duke folur mbi kryeveprën e radhës, shkruar nga pena jashtëzakonshme e Zafonit.
Dhe sot, më 19 qershor, kjo ëndërr m'u shua, ashtu sikurse u shua pas dy vitesh lufte dhe mundimi i madh i Zafonit. I lindur në Barcelonë në qytetin e dragonjve, Zafoni, ky shkrimtar me penë të fuqishme, u shua në Los Angeles në qytetin e engjëjve, engjëj të cilët me sa duket zgjodhën ta merrnin në botën e tyre kolosin e letërsisë të shekullit XX.
Zafoni u bë i njohur ndërkombëtarisht me veprën Hija e Erës, roman i botuar në vitin 2001, ku flitej mbi botën magjike të Varrezës së librave të harruar, aty ku shumë lexues gjetën, humbën dhe rigjetën veten dorë për dore me personazhet e romanit, i cili e renditi Zafonin si shkrimtarin e dytë më të lexuar pas Servantesit, kurse romanin Hija e Erës si romanin me shitjen më të madhe pas Don Kishotit. Një fenomen letrar për të cilin u shkrua pafund dhe për të cilin kritika letrare nuk ngurroi ta krahasonte për narrativën dhe peshën e historive të personazheve të tij, me shkrimtarët më të mëdhenj të të gjithë kohërave si Dikensin, Borgesin, Kunderën, Allan Poen etj,. Sot Zafoni njihet ndryshe edhe si Dikensi i Barcelonës.
Ditë e trishtë kjo e sotmja. Edhe dielli u shua dhe qielli u vrenjt dhe shumë zemra u thyen. Celulari im ende tringëllon. Dhjetëra mesazhe të miqve që më sjellin këtë lajm të trishtë, duke e ditur lidhjen shpirtërore që kisha krijuar me Zafonin dhe veprat e tij. Jo vetëm ndjehem, por edhe jam pjesë e Zafonit, zëri i tij këtu në Shqipëri, pjesë e rrugëtimit të tij të bukur dhe të ndjerë letrar, pjesë e penës drithëruese, por mbi të gjitha ndihem pjesë e shpirtit, e atij shpirti që shkroi ato romane, e atyre shpirtrave që i lexuan, jetuan dhe ëndërruan bashkë me ato. Jehona e romaneve të Zafonit nuk do të shuhet kurrë, edhe pse jeta e tij sot u shua përgjithmonë.
I paharruar do të jesh dhe do të kujtohesh përherë në labirintet e jetëve dhe shpirtrave tanë.
…Fundi i udhës. Ja vlejti. Faleminderit sërish që më shpëtove, Fermin, një dhe shumë herë. Shpëtoni edhe veten dhe i thoni Hulianit që të na bëjë të gjithëve të pavdekshëm, sepse gjithnjë kemi besuar në këtë.
Me dashuri. Alisia
Labirinti i shpirtrave