Publikohet poezia e panjohur e Lefter Çipës, që do e çonte në burg më 1972

Diel, 21 February 2021 09:37

 

Vetëm pak ditë pasi u nda nga jeta publikohet historia e panjohur e Lefter Çipës, poetit të njohur të iso-polifonisë labe me origjinë nga fshati Pilur i Vlorës, autorit të 18 librave dhe qindra e qindra këngëve të interpretuara nga Grupi Polifonik i Pilurit, që ai e drejtoi si udhëheqës artistik për disa dekada, i konsideruar si ‘Lasgushi i Bregut’, apo ‘Princi i iso-polifonisë labe”, i cili në gushtin e vitit 1972, sapo dëgjoi për ngjarjen e anijes “De Rada”, që u arratis për në Greqi me 32 persona në bordin e saj, menjëherë shkroi një këngë ku thuhej: “Çan ‘De Rada shqiptare / nëpër det e në stuhi / me kapiten Vasil Malon / avancojnë për në Greqi”.

Vargjet e kësaj kënge filluan t’i këndonin disa pjesëtarë të Grupit Polifonik të Pilurit, teksa ktheheshin nga Himara për në fshatin e tyre me automjetet e kooperativës, si kundërvënie ndaj jurisë së festivalit të grupeve amatore të zonës, që i kishin dhënë vendin e parë Himarës, për shkak të këngës ku thuhej: “Çan anija shqiptare / nëpër dete dhe stuhi / se ka kapiten shokun Enver / që drejton me zotësi”. Ajo ngjarje bëri bujë të madhe dhe Lefteri u thirr në Komitetin e Partisë së rrethit të Vlorës, ku ishin edhe njerëzit e Sigurimit të Shtetit që kishin bërë gati prangat dhe vetëm pas ndërhyrjes së Hysni Kapos nga Tirana, ajo ngjarje u mbyll dhe Lefteri shpëtoi nga burgu duke u dërguar gjashtë muaj si punëtor në prodhim!

 

Ndarja nga jeta e Lefter Çipës, poetit brilant të iso-polifonisë labe, i njohur ndryshe edhe si ‘Lasgushi i Bregut’, ishte një lajm që shkaktoi trishtim të madh, jo vetëm për familjen e të afërmit e tij, por padyshim edhe për të gjithë miqtë e tij dhe ata që e kanë njohur nga afër. Por ashtu siç ndodh me të gjithë njerëzit e mëdhej, që në momentin kur largohen fizikisht nga kjo jetë, rilindin, ashtu do të ndodh padyshim edhe me Lefter Çipën, i cili s’ka se si të bëj përjashtim nga ky rregull! Këngët e tij do të vazhdojnë të derdhen si lumë e det i trazuar, ashtu siç ishte shpirti i tij, nën zërin e grupit që ai krijoi dhe e ushqeu me muzën e tij poetike prej më shumë se gjysëm shekulli, duke i lënë trashëgimisë kulturore shqiptare, një gjerdan të artë.

Thënë shkurt, Lefter Çipa, me punën dhe veprën e tij të rrallë, prej vitesh e ka futur veten në pavdeksi, pasi “Vajza e valëve”, apo “Bejkë e bardhë”, nuk do “mbyten” kurrë në detin a harresës, pasi do të qëndrojnë aty në brigjet e Himarës e gjithë bregut, si monumente të pavdekshme, duke u trashëguar e përcjellë në breza, nga zëri Ermionit, Kristos, Fredit e pjestarëve të tjerë të grupit. Të shkruash për Lefter Çipën, sidomos tani që ai s’është më fizikisht mes nesh dhe shumë nga miqtë e tij, morën penën e dhimbjes për ta përcjellë në përjetësi ashtu siç i takonte, s’është aq e lehtë!

Jo vetëm se për të është folur e shkruar aq shumë, duke e mbushur me kurora dafine detin e pafund të lavdisë ku ai lundroi me shpirtin e muzën e tij poetike prej më shumë se gjysëm shekulli, por sepse nuk do gjenim dot fjalën që buronte nga pena e tij dhe do i mbeteshim shumë borxh asaj! Nuk kujtoj se kur e kam pasur fatin për ta takuar për herë të parë atë njeri me shtat të vogël dhe me shpirt të madh, por padyshim kujtoj shumë e shumë takime, pa përmendur këtu disa emisione televizive, ku e kemi pasur të ftuar, apo intervista të ndryshme në shtypin e shkruar.

Diku aty nga pranvera e vitit 2009, si autor realizues rubrikës “Familjet e mëdha të Shqipërisë”, te emisioni “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, pata fatin të rrija gjatë me Lefter Çipën, për afro një javë që zgjati përgatitja e atij emisioni. Kur shkuam me grupin realizues për të xhiruar në Himarë, Lefteri nuk pranoi të intervistohej aty në shtëpinë e tij, ku u takuam me disa prej djemve dhe vëllanë, Kriston, por na tha se do të shkonim patjetër në Pilur, ku “ndodheshin varret dhe shpirtrat e të parëve të familjes së tyre, që nuk gjenin qetësi…”!? Dhe ashtu bëmë, pothuaj të gjitha xhirimet e intervistat u bënë në fshatin Pilur, duke filluar nga shtëpia e tij (ku na pritën pranë oxhakut dy prindërit që jetonin asokohe), te varrezat e fshatit, rrugët e tij, te kisha e vjetër afro 400 vjeçare, rrapi madhështor te sheshi i fshatit etj., gjë të cilat i kemi fiksuar edhe në disa foto që po i publikojmë për herë të parë në këtë shkrim.

Dy tre vjet pasi atij emisioni, ku familja Çipa shkëlqeu në atë spektakël te “E Diela Shqiptare”, e ftuam Lefterin përsëri në Tv Klan, por kësaj rradhe te emisioni “Histori me Zhurmues” që kishte ideuar, prezantonte dhe e realizonte Pandi Laço, ku unë kisha rolin e kryeredaktorit. Teksa bashkë me Pandin kishim thirrur Lefteri në Tv Klan për të përgatitur intervistën që do realizohej me të, sipas pyetjeve që i bënim, ai na tregoi plot episode dhe ngjarje nga jeta e tij, por refuzoi të na tregonte para kamerave një ngjarje të ndodhur në vitin 1971, të cilën na e tregoi me gjysmë zëri në fund të bisedës, teksa po ngriheshim për ta përcjellë. Këtë ngjarje e cila për pak do të shënonte një kthesë fatale në jetën dhe krijimtarinë e Lefter Çipës, e normalisht edhe familjes së tij, po përpiqem ta risjell në këto pak rreshta, ashtu siç na e tregoi ai:

“Duhet të ketë qenë gushti i vitit 1972 dhe në qytetin e Himarës zhvillohej takimi i grupeve amatore, nga ku do përzgjidheshin ato më të mirat, që do të përfaqësonin rrethin e Vlorës në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Në mbarim të atij takimi apo festivali siç e quanim ne, me patëdrejtë, juria i dha vendin e parë Grupit Polifonik të Himarës, gjë e cila shkaktoi një zemërim të madh te Grupi i Pilurit që drejtoja unë. Shkak që t’i jepej vendi i parë Grupit Polifonik të Himarës, u bë edhe një këngë e sapodalë prej tyre, ku thuhej: “Çan anija shqiptare / nëpër dete dhe stuhi / se ka kapiten shokun Enver / që e drejton me zotësi”.

Unë u përpoqa t’i qetësoja pjesëtarët e grupit tim të Pilurit, pasi, edhe pse Himara kishte marrë vendin e parë, në Gjirokastër do shkonim dhe ne, si Grupi Polifonik i Pilurit. Por ata nuk donin t’ja dinin, djem të rinj, si Kristua im e të tjerë dhe teksa shkonin për në Pilur me makinat e kooperativës, e transformuan atë këngë, duke e kënduar kështu: “Çan anija shqiptare / nëpër dete me stuhi / me kapiten Vasil Malon / avancojnë për në Greqi”. Mirpo këto gjëra ishin me shumë zarar në atë kohë dhe menjëherë njerzit dashakeq lajmëruan Sigurimin e Shtetit. Kështu mua më thirrën në Komitetin e Partisë së rrethit të Vlorës, prej nga varej Himara në atë kohë. Aty ku ishin prezent dhe disa nga ata të Sigurimit të Shtetit të Degës së Punëve të Brendshme, ata të Komitetit të Partisë më bënë një “dush të ftohtë” për orë të tëra që ta mbaj mënd, ku më akuzuan mua, si autor të asaj kënge, që në vend të shokut Enver, i këndonte tradhtarëve dhe armiqve që kishin rrëmbyer anijen dhe ishin arratisur në Greqi.

Më lejuan të largohesha pas disa orësh dhe më thanë se do më thërrisnin përsëri. Ndërkaq u bë çështje e madhe dhe nga dita në ditë prisja që të më vinin hekurat, pasi ajo ngjarje u morr vesh në të gjithë rrethin e Vlorës, e më tej deri në Tiranë, ku ishte raportuar deri te shoku Hysni Kapo. Nisur nga kjo situatë ku ndodhesha, me anë të disa njerëzve tanë i dërguam fjalë Hysni Kapos, të cilët i shpjeguan se Lefter Çipa nuk ishte autori i asaj kënge dhe nuk kishte gisht fare te ajo ngjarje. Pas kësaj, Hysni Kapo, u tha atyre të Komitetit të Partisë: “Këtë çështje zgjidheni si të jenë ligjet e shtetit dhe normat e vija e Partisë, por mendoni edhe se me çfarë do paraqitemi ne të rrethit të Vlorës në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës…’!

Këto fjalë të fundit të ‘shokut Hysni’ bënë që unë të shpëtoja nga një dënim i rëndë, ku burgu pothuaj ishte hapur prej ditësh për mua dhe pritej vetëm të më ‘prisnin kostumin’, pra, të më nxirrnin në gjyq për të më dënuar. Por shyqyr që ndërhyri shoku Hysni dhe mua më dënuan, duke më hequr nga përgjegjës i Vatrës së Kulturës së Pilurit dhe më dërguar si dënim për gjashtë muaj si punëtor në prodhim, punëtor me lopatë në bujqësi. Kjo gjë u bë shkak që në vitin 1974, mua të mos më dërgonin me Grupin e Pilurit në festën që organizohej me rastin e 30 vjetorit të Kongresit të Përmetit, ku do ishte prezent Enver Hoxha me gjithë shokët e udhëheqjes dhe aty do këndonin nga një këngë disa grupe të zgjedhura polifonike.

Në vënd tim, si përgjegjës të Grupit të Pilurit, caktuan agronomin, Pavllo Guma, por pjestarët e grupit nuk pranuan të shkonin dhe protestuan hapur në Himarë, duke thënë se nuk shkonin po mos të vijë Lefteri. U bë bujë e madhe se në atë kohë nuk lejoheshin protestat dhe kështu për ta mbyllur atë gjë, më dërguan mua dhe aty në festën e Kongresit të Përmetit, para Enver Hoxhës dhe shokëve të udhëheqjes, Grupi i Pilurit, këndoi një këngë që sapo e kisha bërë për atë rast, ku thuhej: “Në Përmet u bë kuvendi / Dhe u zhvillua Kongresi / Kur nga lufta tundej vëndi / U vendos sovraniteti / Nga trimat e zemberekut / Dalë nga gryka e dyfekut”.

Kjo këngë u prit me duartrokitje nga vetë Enver Hoxha dhe shokët e tjerë të udhëheqjes dhe pas asaj kohe, nuk ma zunë më në gojë atë punën e këngës me anijen De Rada, që çante nëpër dete dhe stuhi, me kapiten Vasil Malon dhe komisar shokun Pandeli”.

Kjo ishte pak a shumë ngjarja që na tregoi Lefteri, ku edhe pse ju luta dhe insistova shumë, jo vetëm që nuk pranoi ta tregonte atë në emsion përballë Pandi Laços, por më tha që të mos i’a tregoja asnjeriu. Që nga ajo kohë, me Lefterin jemi takuar jo rrallë, gjë e cila vinte edhe për shkak të miqësisë sonë me vëllanë e tij, Kriston apo me djemtë e tij, Sandrin, Benin, etj.

Ndërsa pasi ai u sëmur këto dy vitet e fundit, me Lefterin jemi takuar shumë rrallë dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale që ai bëri në Tiranë, kemi komunikuar vetëm në telefon dhe gjatë bisedave tona që zgjasin shumë, edhe pse dhimbja e mundonte , ai s’e jepte kollaj veten. Dhe në atë gjëndje, ai gjeti forcë dhe u ul e shkroi një shkrim studimor, që i’a kërkova si pasthënië për një libër timin voluminoz, kushtuar një prej kollosëve të letrave shqipe, me të cilin Lefteri kishte pasur shumë miqësi.

Nuk ja mbajta dot fjalën për t’ja dërguar kopjen e parë të librit sapo të dilte nga shtypshkronja, ashtu siç i thoja kur bisedonim në telefon, pasi libri ende nuk ka dalë për shkak të situatës së Pandemisë, por edhe sepse Lefteri iku shpejt…! (Për fat të keq kështu më pat ndodhur dhe me dy miqtë e tjerë, të ndjerët Maks Velo dhe Faslli Haliti, të cilët ashtu si edhe Lefteri tashmë, ‘nuk pritën’ të shikonin atë që kishin shkruar për mikun e tyre, që aq shumë e vlerësonin dhe i detyroheshin në jetën dhe krijimtarinë e tyre). Duke e ndjerë vetën shumë borxhli ndaj Lefter Çipës, le të shërbejnë këto pak rradhë si një shenjë homazhi për atë njeri të madh, që tashmë ka hyrë në rradhën e atyre njerëzve, që vetëm fizikisht nuk janë në mes nesh./Memorie.al

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...