Ajo që e bëri domethënëse lidhjen e tij me Shqipërinë nuk është vetë dedikimi që ai i kushtoi vendit të shqiponjave në poemën, “Shtegtimi i Çajld Haroldit”, as vizita e tij në sarajet e Ali pash Tepelenës, por edhe kjo pikturë që dëshmon me kaq vërtetësi dhe gjallëri, ngjyra dhe hijeshi traditën tonë shpirtërore që përçohet përmes këtij kostumi që mban veshur fisniku londinez Xhorxh Bajron.
Gjatë vizitës së tij në Janinë më 1808, Lord Bajron mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria dhe veçantia e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do frymëzonte piktorin Tomas Filips që të realizonte portretin e famshëm të Lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar. Piktura titullohet “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (portret i një fisniku me veshje shqiptare) dhe paraqet Bajronin me një veshje ku ndërthuren e purpurta dhe e arta e jelekut me vizat gri e blu të një një turbani që i përngjan më shumë një shalli; e bardha e këmishës dhe e fustanellës me të zezën e kadifenjtë të një xhakete. Ai mban në duar një jatagan, i cili ka një këllëf të purpurt e të argjendtë. Portreti u vendos asokohe në Royal Academy dhe tani është i vendosur në ambasadën britanike në Athinë.