Nga Istref HAXHILLARI
U mbushën plot 146 vite nga lindja e Dr. Gjergj Pekmezit, i njohur si profesor i shqipes, bibliograf dhe albanolog shqiptar. Në nder të tij katedra e albanologjisë ne Universitetin e Vjenës mban emrin “Prof. Dr. Gjerg Pekmezi”
Në historinë e përndritur të kulturës pogradecare me shtresëzim të gjerë në gjerdanin kombëtar, doktor Pekmezi, figurë zulmëmadhe e kohës kur jetoi dhe punoi, zë vend qendror tejet të nderuar. Gjergj Pekmezi, ishte filozof dhe filolog shqiptar. Lindur në Tushemisht të Pogradecit, më 23 prill 1872 dhe vdiq në Vjenë, më 24 shkurt 1938. Studimet e para i kreu në Ohër e Manastir, kurse studimet e universitare i bëri në Beograd e në Vjenë, ku u diplomua më 1898 për filozofi dhe filologji. Më 1903 u emërua Shef i Katedrës së Gjuhës shqipe në Universitetin Oriental të Vjenës. Pas një viti themeloi Shoqërinë Kulturore Patriotike "DIJA". Më 1908 boton veprën monumentale "Gramatika e Gjuhës Shqipe", duke u bërë kështu gramatikanin e parë shqiptar. Pas kësaj në bashkëpunim me gjuhëtare gjermanë, boton: "Bibliografia e Gjuhës Shqipe", "Udhëzuesi i Gjuhës Shqipe ", "Libër Mësimi e Ushtrimesh në Gjuhën Shqipe", "Gjuha Shqip dhe Dialektet". Do të dërgohet nga Akademia e Shkencave austro-hungareze në Shqipëri për qëllime studime ku do të hartojë monografinë në dorëshkrim "Tiparet dalluese thelbësore të dialekteve kryesore të shqipes, të toskërishtes dhe gegërishtes", një ndër studimet e para të dialektologjisë shqiptare dhe me vlera për këtë disiplinë. Do të pasohet me një punim tjetër "Raport provizor për studimin e së folmes së Elbasanit"(1901). Më 1908 do të botojë në Vjenë "Gramatikë e gjuhës shqipe"(gjermanisht), një ndër veprat më të mira të autorit dhe të gjuhësisë shqiptare për atë kohë. Këtu, ne mësojmë edhe disa mendime të autorit për gjuhën letrare, të cilat do t'i përsërisë edhe një vit më vonë në revistën "Diturija" të Mit'hat Frashërit që dilte në Selanik. Ndërsa më 1909 do të jetë bashkautor në botimin "Bibliografia shqiptare", duke hyrë kështu në historinë e bibliografisë sonë. Më 1916 është Kryetar i "Komisisë Letrare të Shkodrës", ku me Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën, Ndre Mjedën e patriotë të tjerë bënë punë të mëdha për shkollat, gjuhën tonë dhe librat shqip. Më 1908 zbulon memorandumin e famshëm të 1878-ës që Vaso Pasha e Sami Frashëri i dërguan Kongresit të Berlinit. Në këto vite transkripton librin: "Bleta Shqiptare" të Thimi Mitkos. Po kaq i madh është kontributi i tij si patriot dhe diplomat i Shqipërisë. Është i famshëm qëndrimi i tij në 1913, pranë Komisionit Ndërkombëtar të kufijve, ku me mençuri vërtetoi shqiptarësinë e trevave të jugut, kundër synimeve greke. Në vitet 1920-24 emërohet Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë pranë Republikës së Austrisë. Riemërohet në këtë detyrë më 1926-28, vit në të cilën emërohet profesor në Universitetin e Vjenës, Katedra e Gjuhës Shqipe. Këtë detyrë e kreu deri më 24 shkurt 1938, kur papritur vdiq. Përveç veprave të lartpërmendura, ai ka mbledhur e dorëzuar 8177 faqe të daktilografuara me materiale e relacione të konsujve Austro-Hungarezë të Shkodrës, Prizrenit, Janinës, Stambollit, nxjerrë nga arkivi i Ministrisë të jashtme të Austro-Hungarisë. Sot katedra e albanologjisë ne Universitetin e Vjenës mban emrin "Prof. Dr. Gjerg Pekmezi".
Puna për gjuhën shqipe, xhevahirin harruar
Përkushtimi i tij në shërbim të çështjes shqiptare është i shumanshëm. Ishte dijetari ynë zbuluesi dhe botuesi i memorandumit të famshëm të 20 qershorit 1878 që Vaso Pasha dhe Sami Frashëri i dërguan Kongresit të Berlinit, kundër keqdashjes së njohur shpërbërëse të fqinjëve lakmitarë. Në vitin 1904 themeloi në Austri Shoqërinë Kulturore " Dija ". Më tej, 1920 - 1924 dhe 1926 - 1928, konsull nderi i Shqipërisë në Vjenë. Nëpër arkivat e Vjenës mblodhi 8177 faqe të shtypura, në të cilat zbulohen polemikat e fuqive të mëdha të Evropës në dëm apo në të mirë të çështjes kombëtare në harkun kohor 1871 - 1894. Gjergji do të krijonte shtratin gjermano - austriak për të tjerë dijetarë pogradecarë e më gjerë që ndoqën rrugën e tij në vitet e mëpastajme. Përkthyes i Komisionit ndërkombëtar për caktimin e kufijve të Shqipërisë më 1913. Më 1908, pas një pune stërmadhe botoi në gjermanisht, studimin shkencor " Gramatika e gjuhës shqipe " e para vepër gjuhësore e shqipes mbi të cilën u përqendruan dhe morën ngasje gjuhëtarët e mëvonshëm. Bashkautor, po më shumë se kaq, nxori në dritë punimin " Bibliografia shqipe ", i pari në këtë lloj dhe më 1913 botoi " Libër mësimi e leximi i shqipes " shoqëruar nga një fjalor shqip - gjermanisht me 3000 fjalë. Në vitin 1916 u caktua kryetar i "Komësisë letrare shqipe " i ngritur për të çuar më përpara gjuhën letrare që zuri fill në Kongresin e Manastirit. Së bashku me albanologun Nahti Gali dhe Ndre Mjedën studioi të folmen e Elbasanit që kulmoi me shkrimin "Përkujtime mbi çështjen e një gjuhe të përbashkët shqipe ". Botimet e Pekmezit u bënë të gjitha në gjuhën gjermane jo pse atë e njihte në mënyrë të përkryer, porse kërkonte t'i drejtohej një publiku të gjerë, të kulturuar për të kuptuar në tërë gjerësinë xhevahirin e harruar e të pluhurosur të shqipes, ndër më të vjetrat gjuhë të Evropës.
Pekmezi, autori i historisë së monedhave
Mbetet unikal akti i tij i hedhjes së monedhave një turme fëmijësh në Korçë, të udhëzuar e paguar të flisnin greqisht për t'u treguar të huajve se ato troje nuk ishin shqiptare. Kur zunë të mbledhin monedhat e Gjergjit fëmijët harruan porosinë e të huajve dhe po shaheshin shqip me njëri - tjetrin. Anëtarët e Komisionit buzëqeshën plot kuptim, ndërsa gënjeshtarët heshtën të turpëruar. Këto e shumë të tjera, që po t'i përmendim kapërcejnë caqet e shkrimit tonë, formësojnë pa asnjë mëdyshje përmasën atdhetare të tij.