Tregim nga Ramiz GINI
I pari i tha të dytit:
- Shteti ra, tani do të pllakosë zia e bukës. Të mblidhemi, të sulmojmë magazinën e rezervave të grurit.
I dyti vrapoi për në shtëpi të merrte thasët dhe një kafshë ngarkese. Rrugës ai takoi një të tretë. I tha:
- Magazina e grurit po sulmohet, të vrapojmë si të gjithë të tjerët...
I treti ishte nisur për në qytet, por ktheu rrugë. U nis drejt të katërtit, e gjeti dhe i tha:
- Është shembur shteti; do të vdesim nga uria. Shpejt merr thasët, të nxitojmë drejt rezervave të grurit.
I katërti e la punën që po bënte, fluturoi drejt të pestit...
Dhe ja, pothuaj në një orë, qindra njerëz, janë grumbulluar e qëndrojnë përpara derës së magazinës. Një mori e tërë gomerësh, mushkash, kuajsh me samarë e të mbrehur në karroca të ndryshme, lidhur e zgjidhur, presin prapa turmës të zotët e tyre. Mbi shpinat e kafshëve, në ajrin e rënduar nga vapa, një taborr mizash imcake plehu, fluturojnë, ngrihen e ulen, vijnë rrotull e rrotull. Veçse njerëzit duken disi të zhgënjyer pasi të gjitha sa u thanë nuk dolën të vërteta.
Dera e magazinës është e mbyllur dhe pranë saj me pushkën hedhur në sup qëndron roje Mul Dermeku, - guri i fundit i ngrehinës shtetërore. Quhet Mul Dermeku por të gjithë e thërrasin Mul Shurdhani ngase nuk dëgjon nga veshët. Vetëm të bërtiturat me zë të lartë, fishkëllimat, boritë e automobilëve dhe të pallurat e gomerëve i dëgjon disi. Veç kësaj, natyra e ka bërë atë edhe thuthuq. Ai shikon se pranë magazinës, që shteti ia ka lënë ta ruajë, janë grumbulluar shumë njerëz, por nuk kupton çfarë duan të bëjnë. Në shenjë paralajmëruese dhe për efekt psikologjik, roja shurdhan, ecën gati me hap rreshtor duke përshkuar segmentin nga njëri cep i magazinës në cepin tjetër. Kur e kur, ai ngre supet dhe zgjat përpara atë qafën e tij hollake, si të dojë të nuhasë mirë rrezikun që i kanoset. Një jetë të tërë e ka kaluar roje, si një qen i urtë e i bindur. Shurdhëria i ka forcuar intuitën për të kuptuar situatat e për të kujtuar në kohën e duhur atë pikë të rregullores së shërbimit, që duhet zbatuar në momente rreziku. Ndërsa Mul Shurdhani vazhdon ecejaket, duke përplasur ato këpucët e tij të vjetra ushtarake, një zë i fuqishëm gjëmoi:
- Mbathja në shtëpi, o Mul, se shtet nuk ka më. Nuk ke ç'bën i vetëm me një pushkë pa fishekë.
Mul Shurdhani nuk e rroku kuptimin e këtyre fjalëve, po mënyra se si i erdhi toni i zërit, e bëri të ndërmendëte pikën një të rregullores, të cilën, ai e kish mësuar përmendësh prej kohësh. Ndaj pa e prishur aspak terezinë, duke ndaluar për një çast, tha:
- Kam pethë fëmijë për të uthqyer. Thteti më ka vënë roje këtu dhe unë e përfaqëthoj atë.
Dhe nisi përsëri të ecte kryelartë, me atë hapin e tij gjysmëushtarak.
Nga krahu i djathtë i turmës, një xhambaz kuajsh, ia pat me sa i hante zëri:
- Po ne?! A nuk kemi fëmijë për të ushqyer? Pastaj, nuk është e hijshme të qëllosh mbi bashkëkombasit e tu...
Dhe një tjetër nga e majta:
- Ik ore mbushu me gjithë atë pushkë! Përfaqësoke shtetin ti, mi i rrjepur!
Përfaqësuesi i fundit i shtetit as që donte t'ia dinte për ato që këputeshin në adresë të tij. Përsëriste me vete nenet e rregullores, ndërsa në duar shtrëngonte armën. Më pas ndaloi, dhe disi i nxehur, me një gjest që do t’i shkrinte gazit njerëzit, nxori nga një vezme e vjetër katër fishekë dhe duke i treguar nga turma tha:
- Puthkën e kam me fithekë, ta dini ...
Si reshtën të qeshurat, doli nga mesi i turmës një çalaman këpucëgrisur, që nuk dihej pse njerëzit e thërrisnin "filozof". "Filozofi" nisi një ligjëratë të gjatë, për ti mësuar shurdhanit ato që kishin ngjarë. Në përfundim ai tha:
- Pra, siç e thashë, as qeveri as shtet nuk ka më. Vetëm ti Mul ke mbetur... Jo se je njeri i keq, por nuk ke dëgjuar çfarë ka ndodhur... Je shurdhan.
Prapa turmës hingëlliu një pelë alle; pastaj pela u hodh përpjetë e gjuajti me shkelma një gomar ngordhalaq, që zgjaste turirin e nuhaste prapanicën e saj. I zoti i pelës urdhëroi të lidhej gomari që përpiqej të prekte në nder pelën e tij. Kur plasën të qeshurat, "filozofi" u revoltua keq. Duke ulur tonin e zërit, tha se nuk ishte koha për shaka dhe se duhej bërë ç'ishte e mundur, që të bindej Mul Shurdhani, ndryshe, nuk mbetej tjetër veçse të suleshin me yrysh të gjithë njëherësh për të shqyer portën e hyrjes.
Xhambazit të kuajve i erdhi për shtat kjo e fundit. Imitoi një britmë luftarake indianësh. Pastaj, si numëroi njëherë gjer në tre, sokëlliu sa i hante gurmazi:
- O burra, përpara...!
Baticë.
- Tre krisma të thata njëra pas tjetrës rrahën qiellin. Turma u ndal si ta kishin gozhduar në vend. Pushka qe drejtuar në drejtim të saj.
Zbaticë.
Dyll në fytyrë, e duke shtrënguar fort armën me duart që i dridheshin, Mul Shurdhani tha:
- Pika një e rregulloreth, veprimi i parë paralajmërueth, tre plumba në ajër.
Pllakosi një heshtje mortore. Pastaj zëra nga turma:
- E paska me gjithë mend...!
- Thashë unë, ai vret edhe bashkëkombasit e vet...
- Rregullorja nuk thotë të gjuash në turmë.
Atëherë "filozofi", hypi me vështirësi mbi një grumbull gurësh, u kthye nga turma, ngriti duart lart, e bëri atë të heshtë e tha:
- Shokë të dashur! Dëgjoni dhe merrni vesh: Mul Shurdhani ka të drejtë. Sepse, dreqi ta hajë, kështu si jemi ne, jemi turmë... Dhe turmë do të thotë... Të organizohemi që ta marrim grurin.
Pushoi një çast, u mbush me frymë, u kollit, nxorri shaminë, fshiu hundët e vijoi:
- Pra, siç thashë, duhet te organizohemi... Të bëjmë një listë. Listën ta përpilojë vetë Mul Shurdhani duke vënë së pari emrin e vet në krye. Më pas të marrim grurë me radhë. Kush mendon si unë le të thotë...
U dëgjua e pallura e zgjatur e një gomari. E qeshura kolektive gjëmoi si përplasja e dallgës në një breg shkëmbor. Pastaj zëra nga turma:
- Mul Shurdhani nuk di të shkruajë...
- Mos e merrni me të keq...
- E ç'hyn këtu organizimi...
- Të sulemi me yrish, të gjithë njëherësh...
- Kujdes! Ai do të zbatojë pikën dy të rregullores...
Po turmës ju zgjua demoni i furisë. Vrapimi i befasishëm, një vrapim krejt i çmendur, britmat e ulërimat, thirrjet e të qeshurat bënë që pika dy e rregullores të ikte nga kujtesa e Mul Shurdhanit. Porta, që pak më parë dukej sikur nuk do të hapej kurrë, u shpërthye sa çel e mbyll sytë. Shurdhani, që thoshte se nuk do ta dorzonte shtetin, humbi në vorbullën e madhe të njerëzve si të qe një lëmizhde e hedhur në lumë. Hyrja e magazinës, nisi ta përthithte turmën me një pangopësi prej lubie; dhe në gjysmë minuti kohë, kishte mbetur jashtë vetëm një pakicë e vogël prej pesëdhjetë vetësh. Edhe ata, jepnin e merrnin duke shtyrë njëri-tjetrin, por magazina nuk nxinte më as edhe një këmbë njeriu. Qindra këmbë ngjitur lëviznin me vështirësi duke u zhytur në grurë. Secili shtynte shokun ngjitur tij. Të dobëtit rënkonin e ankoheshin, të fortët bërtisnin e kërcënonin. Në fare pak kohë, mjegulla e dendur e pluhurit, u ngjit me shtëllunga drejt tavanit. Era e djersës shponte hundët. Pluhuri të merrte frymën. Kollitje, britma, ulërima, qurravitje, rënkime dhe shtyerje, - kot. Sepse njerëzit shtyhen porse muret nuk lëvizin. Ata janë aty, të palëvizshëm, të rëndë e të ftohtë. Secili do që të përkulet, të mbushë thesin, por shoku ngjitmas e pengon. Dhe atëherë: o burra të shtymë! Po ku... Përsëri gojët e shthurura vjellin të shara pa adresë; përsëri britma, mallkime e rënkime përplasen në mur. Turma hepohet, luhatet e shtrëngohet mes avullit të djersës, mes pluhurit, që vjen e bëhet i dendur e i rëndë. Gruri është aty, te këmbët e tyre, e shkelin dhe nuk mund ta marrin, sepse nuk përkulen dot. Është diçka mjaft e thjeshtë; mjafton, që shoku ngjitmas të bëjë tutje vetëm një pëllëmbë... Por ja që ai nuk lëviz. Nuk ka se si... Pas tij është tjetri..., tjetri..., tjetri... Të gjithë për një qëllim, një dëshirë, një nevojë... Kalon një minutë..., dy..., dhjetë..., tridhjetë... Dhe koha rrëshqet përmes mundimit të kotë. Zërat, në fillim të fuqishëm, tani kanë filluar të çirren, të dobësohen, të meken... Të dobëtit janë rrëzuar, përpiqen të ngrihen, por turma i shkel. Përsëri rënkime, britma dhimbjesh, përpëlitje... Së fundi fuqitë shterin, dëshira zbehet e venitet, shterin hovet, por zërat vazhdojnë të dëgjohen:
- Prit...! Kush je ti, Maliqi?
- Jo s'jam Maliqi. Jam e shoqja e Haqifit...
- Të lutem, më thuaj nga bie dera?
- Nga gopi i sat’ ëme... Ç'tu desh që hyre?
- Lëre mos e nga si vajti kjo punë!
- O burra, shtyni, të dalim...!
- Të dalim, të dalim...!
- Ah, oh, uh, ëh...
Tashmë të lodhur për vdekje, mezi shtyhen drejt daljes. Turma hepohet si një bollë gjigante, e plagosur. Masa jashtë vjen e rritet. Krejt të dërrmuar, të hallakatur nga leshërat, nga rrobat të grisur, të larë në djersë, të skuqur e të zverdhur, të gjithë, pra, që të gjithë dalin jashtë.
E shoqja e Haqifit ka humbur këpucën e këmbës së djathtë. Maliqit i është këputur rrypi i pantallonave. Teksa i mban ato me njërën dorë, me tjetrën shfryn hundët. Një i quajtur Zenel, shitës kokoshkash pranë shkollës tetvjeçare, është pshurrur në brekë. Xhambazit të kuajve i ka rënë të fikët dhe po e nxjerrin kalaviçash. Mul shurdhani ka humbur vetëdijen: nuk kupton as ku është, as çfarë ka ndodhur. Pushka nuk dihet ku i ka përfunduar.
Dhe, kur të gjithë janë hallakatur për tu çelur syshë e për t'u mbushur me frymë; kur askush nuk mendon më për grurin e mbetur atje brenda pa iu cënuar asnjë kokërr, "filozofi" kërcen e thotë:
- A nuk thashë unë, që jemi turmë?