Nga historiku i Shqipërisë në Eurovizion
Për të tretin vit radhazi Shqipëria kaloi në natën finale të Eurovizionit. Pas Olta Bokës, Kejsi Tolës, edhe Juliana Pasha, këngëtarja e talentuar në natën e parë gjysmëfinale u rendit e 6-ta dhe më pas kaloi në natën finale, ku zuri vendin e 16-të, me 62 pikë. Vetëm Anjeza Shahini ishte renditur e shtata në natën finale dhe vendi i 16 apo 17 ishte si “me abonim”, pasi gjithmonë këngëtarët tanë aty vërtiteshin. Ndaj kalimi në natën finale për Shqipërinë ishte “fitore” dhe ky objektiv u arrit.
Festivali u zhvillua në Oslo të Norvegjisë. Juliana Pasha interpretoi këngën fituese të Festivalit të 49-të të Këngës në RTSH, “Nuk mundem pa ty”, me tekst të Ardit Gjebresë e Piro Çakos dhe muzikë të Ardit Gjebresë. Kënga u këndua anglisht, nën versionin “It’s All About You”, dhe u pëlqye nga ana profesionale, po ashtu edhe u votua nga publiku. Përveç vokalit, interpretimit skenik tashmë i kushtohej mjaft kujdes edhe paraqitjes skenike dhe Juliana, e shoqëruar nga violinist i shquar Olen Çezari, fitoi admirimin e publikut.
Juliana Pasha: “Ka qenë jo vetëm një eksperiencë e veçantë për mua, por edhe një kohë e mrekullueshme për mua që më dha mundësinë të provoja veten. Skena e Eurovizionit është e veçantë, të dhuron emocione të forta që rrallë herë i promovon, për vetë faktin se nëpërmjet meje përfaqëson vendi im. Nuk është e lehtë të mbash peshën e të gjithë shqiptarëve që shpresojnë në një përfaqësim dinjitoz, por është edhe ndjenja më e bukur që çdo artist do donte ta provonte”.