×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

Pas 8 viteve punë, Romeo Gurakuqi vjen me librin e ri, “Shqipëria dhe "Tokat e Lirueme", 1939-1946”

Premte, 04 May 2018 17:49

Historiani dhe deputeti i Partisë Demokratike Romeo Gurakuqi së shpejti vjen për lexuesit me një libër të ri. Njoftimin e bën vet autori në FB teksa shkruan: -“Kjo është kopja e pare e librit: “Shqipëria dhe "Tokat e Lirueme", 1939-1946”. 8 vite pune, 5 nga te cilat ne mënyrë te pandërprerë. Këtë libër ua kushtoj brezave shpresëhumbur,  etërve tanë, intelektualë dhe patriotë,  të cilëve iu mohua atdheu,

iu privua liria, iu vodh jeta, heronjve të disidencës që s’i lanë të jetojnë  për t’na rrëfyer dhe dëshmuar  tragjedinë që përjetonte Shqipëria... Kopertina është realizuar nga Jozef Martini ndërsa faqosja: Meritan Spahija. Shtepia botuese Jozef, Durres”.

Rreth Librit

Kjo monografi ka në fokus të shqyrtimit, Historinë e Shqipërisë dhe të “Tokave të Lirueme” gjatë periudhës së viteve 1939 – 1946, dhe ndahet në tre faza studimore:  1. Periudha e pushtimit nga Italia Fashiste;  2. Periudha e pushtimit gjerman; 3. Periudha e pasçlirimit, ose e vendosjes së regjimit të terrorit komunist. Studimi mbyllet me ngjarjet në Shqipëri dhe për Shqipërinë gjatë vitit 1946.

Vepra është një rishkrim dhe kritikë e trajtimeve të deritanishme të kësaj periudhe të Historisë së Popullit Shqiptar, duke ofruar fakte të reja, një dokumentacion të ri, interpretime të reja, këndvështrime origjinale dhe metodologji bashkëkohore të hulumtimit, bazuar mbi parimin e kryqëzimit të dokumentacionit të ardhur nga jo më pak se dy burime të pavarura. Punimi është i bazuar krejtësisht mbi burime arkivore, ku veçohen National Archives në Londër, National Archives në SHBA, Arkivi Qendror i Shtetit i Republikës së Shqipërisë, Archivio Storico Diplomatico del Ministero degli Affari Esteri (Romë), Archivio Centrale dello Stato (Romë), Ufficio Storico dello Stato Maggiore dell’Esercito (Romë) etj.

Studimi përfshin historinë e shtetit shqiptar dhe të “Tokave të Lirueme” (trojeve etnike shqiptare jashtë kufirit shtetërorë të vitit 1921), si dhe historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare për Shqipërinë, në harkun kohor 1939-1946. Përcaktimi “Toka të Lirueme” është një term i kultivuar kryesisht nga politika fashiste italiane, por i bazuar në një realitet ndarjeje territoriale të trevave të banuara nga shqiptarët dhe mbi një aspiratë historike të nacionalizmit shqiptar. Ai term nënkuptonte Kosovën, Çamërinë, Malësinë, Ulqinin, Tivarin, Anën e Malit, Krajën, Dibrën, Tetovën, Gostivarin, Shkupin, Strugën. Pas muajit prill të vitit 1941, ky bashkim u bë një realitet dhe jeta politike, ekonomike, kulturore dhe sociale shqiptare, u zgjerua në një hapësirë shumë më të gjerë në Ballkan. “Shqipëria dhe “Tokat e Lirueme”, 1939-1946 është një histori e jetës dhe e fatit të shqiptarëve në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe në 15 muajt pasues të kësaj kohe dramatike, të cilat për këtë komb qenë edhe më tragjike, nga  pikëpamja e humbjeve njerëzore dhe shkatërrimit të perspektivës së bashkimit dhe europianizmit.

Studimi është një përpjekje për themelimin e një të Kaluare të Re mbi Luftën e Dytë Botërore në tokat shqiptare, një punë e nisur me objektivin e dhënies së një kuptimi të plotë dhe të gjithanshëm të revizionimit historik. Në këtë proces autori ka ndjekur një Hartë të Kuptimeve të Historisë së Shqipërisë, për këtë periudhë aq të debatuar. Kjo hartë do t’i shërbejë lexuesit, kurrikulës shkollore, dhe do të mundësojë procesin e legalizimit dhe nderimit të personazheve të lëvizjes për liri , do të përmirësojë ndjekjen e proceseve rehabilituese, njëlloj siç kanë vepruar të gjitha vendet e tjera të europianizuara dhe histori të ngjashme.

Modifikuar më Premte, 04 May 2018 17:51
Login to post comments