Falë Aziza Shetagiç, ende ruhet tradita disa shekullore e grimimit apo makijazhit të vajzave të reja para martesës, e trashëguar brez pas brezi në Lubin të Poshtëm, një fshat boshnjak nën malin Sharr, në komunën e Prizrenit në jug të Kosovës. Kjo është një mënyrë e pazakontë e grimit të vajzave të reja dhe rrallë mund të shihet diku tjetër. Në fytyrën e të rejave vendosen më shumë shtresa ngjyrash, duke dalluar më të “bardhën”, më pas një ngjyrë e kaltër e fortë, e kuqe dhe ngjyrë ari. Etnologët sqarojnë se tre “rrathët e artë” simbolizojnë ciklet e jetës të lidhura me njëri-tjetrin me shtigjet e arta të kalimit të jetës. “Rrathët e kuq” të brendshëm janë simbolet e fertilitetit, prej të cilave lindin pika të kuqe dhe të kaltërta, që u dëshirojnë një familje të shëndetshme dhe të lumtur. Sot, kjo traditë e makijazhit të vajzave të reja është në prag të zhdukjes, sepse vetëm kjo 65-vjeçare vazhdon të përgatisë nuset e ardhshme në një mënyrë autentike dhe të pandryshuar.
“Këtë zanat e praktikoj që nga vitet 70-të. E trashëgova nga vjehrra. Unë dua t’ia lë dikujt, por të gjithë njerëzit e mi kanë shkuar në Perëndim. Tani kam filluar të punoj me një grua nga fshati. Kur nuk do të mundem më, do t’ia mësoj këtë asaj. Kam dashur të mësoj vajzën time dhe nusen time, por për fat të keq ata jetojnë jashtë vendit”, thotë ajo. Por ajo në mënyrën më të mirë e ruan traditën e boshnjakëve të këtushëm. Ndërkaq, po të mos realizonte dokumentarin artistja nga Prishtina, i cili u shfaq në një nga festivalet e Stambollit, ndoshta kjo traditë do të ishte zhdukur. Tani, Shetagiç ftohet nga punëtori të shumta. Gjatë një organizimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, për dhjetë ditë ka qëndruar në Bruksel. Fotografia me vajzën e grimuar në këtë mënyrë ishte më e mira në Kosovë disa vite më parë dhe u ekspozua në qendër të Prishtinës, në murin e një ndërtese.
Askush nuk e di të tregojë se si dhe nga rrjedh ky lloj makijazhi, por konsiderohet së paku është një traditë 200 vjeçare. “Ky lloj i grimimit të vajzave të reja ekziston ende në Maqedoninë perëndimore, në Malin e Zi të Shkupit dhe pjesërisht në Bullgari. Por, ku është më i vjetër, kush nga cili e ka marrë – ende nuk dihet. Një gjë është e sigurtë, ajo është vetëm në mjediset ku jetojnë muslimanët”.