Nga Rugova Dunisha
Teatri Kombëtar është shndërruar këto ditë në qendër të debatit publik. Të shembet teatri e të ndërtohet një kullë, apo të rikonstruktohet teatri. Ky debat ka ndarë në dy pole aktorët dhe politikën. Njëra palë kërkon një teatër të ri, me standarde bashkëkohore. Poli i dytë kërkon që teatri të ruajë identitetin që ka, duke ruajtur kështu gjurmët që bënë histori në artin shqiptar.
Debati, i cili duhet të vërtitej me së shumti rreth vlerave, është kthyer në debat politik, ku secili nga aktorët politikë të vendit mundohet të përfitojë nga pasuria kombëtare për përfitime elektorale. Është për të ardhur keq se si ky debat qarkullon vetëm mes aktorëve dhe politikanëve, duke lënë jashtë spektatorin e dy “rivalëve historikë”, politikës dhe artit. Lufta e tyre e “përbotshme” ku politika bën shfaqen perfekte dhe pret që spektatori (elektorati) të besojë shfaqen e tyre dhe ta duartrokasë, ndërsa teatri te “shpërfytyrojë “ politiken dhe ta godasë tërthorazi teatrin politik. Tani shihen në krahët e njëri-tjetrit, a thua po përgatiten për shfaqen e madhe?! Kanë vendosur armëpushim dhe janë bashkuar për shfaqen e vitit (kullë apo pyll).
Më vjen vërtet keq që aktoret nuk po e luajnë mirë rolin e tyre, duke i sfumuar imazhin vetes tek publiku dhe shiten si pronarë të një trashëgimie kulturore. Nga ana tjetër, shteti sillet si një sundimtar i plotfuqishëm që shtyp pa mëshirë zërin e aktorëve të dalë jashtë roli. Shpirti i një populli mbahet gjallë përmes artit, trashëgohet përmes artit, pasurohet përmes artit. Në këtë rast shpirtit të popullit po i bëjnë një “katharsis”, duke e pastruar nga kujtesa dhe e rindërtuar me elementë komercialë. Një kull në zemër të qytetit do të ngrihet si qiellgërvishtëse duke na lidhur kështu më shumë me Zotin.
Shpirti pagan shqiptar do të gjejë shprehi në shfaqe të hapura në tarracat e teatrit të ri. Do jemi një popull që do flasim për ishin (Teatrin Kombëtar) si për një mit mbi të cilin kemi ngritur një kujtesë të re. Muret e reja të teatrit të ri do të kenë instalacione moderne të varura. Për aktoret e varrosur në gërmadhat e së shkuarës nuk do të ketë vend për fotot e tyre, arkiva dixhitale nuk do të ndotet me kaseta e shiritat e vjetër të regjistrimeve “me miza”. Pra do të kemi një kujtesë të re kulturore, të pastruar nga trashëgimia, të apdejtuar (përditësuar) me kohen. Perdet e rënda të teatrit do zëvendësohen me lente plazme, dhe spektatori do të përjetoj një shfaqe 7D. Kush ka dëshira të shijojë edhe ndonjë dite teatrin epik të nxitojë, ai do të shembet, sepse ju po heshtni. Ndoshta nuk e dini që kjo që po ndodh është një realitet dhe jo një shfaqe. Keni të drejtë edhe nëse e mendoni kështu, se këto 27 vite vetëm shfaqe kemi parë. Kjo që pritet të ndodh është realitet dhe e frikshme. Po ndodh…