Studim për ndriçimin e fytyrës së gruas shqiptare

E Enjte, 24 May 2018 10:46

Nga Don Lush Gjergji


Studimi burimor i Gjystina Cacaj-Shushka “Gruaja në veprën e Atë Anton Harapit”, i botuar nga Sh.B. “DRITA” 2018, paraqet një risi të dobishme, të nevojshme, të mirëfilltë, një zbërthim mjaft të qëlluar ndërdishiplinor duke na dhënë një pasqyrë reale të gruas shqiptare të asaj kohe dhe të atyre vendeve ku jetoi dhe veproi i madhi Atë Anton Harapi. Gërshetimi i lëndës, njohja e drejtpërdrejt e Malësisë së Madhe nga ana e Autores, tradita dhe kultura e lashtë iliro-shqiptare që ndoshta në një mënyrë më së miri ruhej në ato vise, i japin kësaj vepre një kolorit të veçantë me karakter fetar, kombëtar dhe publicistik, na ndihmon t’i zbulojmë dhe t’i shijojmë vlerat dhe virtytet e lashta të traditës sonë, nëpërmjet shqyrtimit të aspekteve morale, edukative, shkollore, traditore, gjuhësore, historike, si dhe hapin prizmin e mirëfilltë të ardhmërisë.
Romani i bukur dhe kuptimplotë “Andra e Pretashit”, fatkeqësisht pak i njohur nga lexuesit e aq më pak i studiuar, është fryt i punës dhe veprimtarisë baritore të Atë Anton Harapit në Malësinë e Madhe, ku në mënyrë të qëlluar letrare përshkruhet, trajtohet, përpunohet e pasqyrohet psikologjia e shqiptarit, në veçanti tradita ndaj femrës shqiptare, që atë e robëron dhe nënçmon duke ia mohuar të drejtën e jetës si person, atë të lirisë, të përcaktimit, të dashurisë. Aty shihet dhe njihet dinjiteti i saj njerëzor, fuqia e pathyeshme shpirtërore dhe morale në sprova, rreziqe, pikëllime, sfida, si dhe del në pah qëndresa, duresa, guximi, krenaria, vlera këto, që Atë Antoni i zbuloi dhe hetoi gjatë shërbimit të tij meshtarak në Malësinë e Madhe. Ai nuk ishte vetëm përshkrues apo vëzhgues, kronist i ngjarjeve, i fatit të zi të femrës shqiptare, i mungesës së kulturës, shkollimit, lirisë për jetë, për fejesë apo për martesë, i kushtëzimeve të llojllojshme, e vegëlsimit dhe të keqpërdorimit të saj për motive tejet të ulta, por edhe luftëtar profetik për të drejtat dhe liritë e femrës, pa të cilat s’ka drejtësi dhe liri as për popullin shqiptar.

Pjesa e fundit: urimet, mallkimet dhe betë në veprën e Atë Anton Harapit japin materiale të çmueshme të pasurisë dhe të urtësisë popullore e cila ka ofruar “zgjidhje” për çdo situatë jetësore.
Me këtë studim të Gjystina Cacaj-Shushka kemi mundësi dhe lehtësim që sa më mirë të njihemi me jetën dhe veprën e Atë Anton Harapit, që ende tejet pak njihet, studiohet, sidomos në prizmën e paraqitjes së femrës dhe shoqërisë shqiptare, si dhe na mundësohet aktualizimi i kësaj tematike dhe problematike në vështrimin e së kaluarës, në përcaktimin e së tashmes dhe në orientimin e së ardhmes. Kultura dhe qytetërimi i një populli matet, vlerësohet dhe trajtohet me përmasa të qëndrimeve ndaj femrës (gruas, motrës, bijës, nënës), si zemra e familjes dhe e shoqërisë.
Ne shqiptarët ndoshta sot më tepër se kurrë më parë kemi nevojë për kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë. Nëpërmjet Bijës, Motrës dhe Nënës sonë Tereze erdhi në shprehje bujaria, zemërgjerësia, fisnikëria, flijimi, dhurimi, dashuria, apo si do të thoshte Ajo “pjesa më e bukur” e popullit tonë.
Zbërthimi dhe studimi i kësaj tematike mbush një zbrazëti dhe jep një kontribut të çmuar për ta ndriçuar sa më mirë fytyrën e femrës shqiptare dikur dhe sot./drita.info

Login to post comments