Monodrama “Rrno për me tregue”, në skenën e teatrit në Gjirokastër

Premte, 25 May 2018 10:10

Monodrama “Rrno për me tregue” e At Zef Pllumit erdhi për publikun me regji nga Milto Kutali me interpretim nga aktori Arben Derhemi në skenën e teatrit “Zihni Sako” në Gjirokastër. Shfaqja do të jetë dhe sonte për publikun, një pjesë e rrëfimit të At Zef Pllumit që deri tani ka qenë dh në skena të tjera të teatrit. Regjisori Milto Kutali edhe më parë ka bashkëpunuar me aktorin Arben Derhemi për pjesë teatrore në skenë. Por këtë herë në vëmendjen e regjisorit ka qenë vepra e njohur, ku pjesa  e tekstit për të qenë në skenë u përzgjodh nga Bashkim Hoxha. Regjisori ndjehet entuziast për veprën. “Nga vepra e At Zef Pllumit u përzgjodh një tekst nga Bashkim Hoxha, dhe ne kemi përgatitur një performancë një orë e dhjetë minuta, ku mesazhi që e përcjell si filozofi veprën është pikërisht një mesazh sikundër dhe për shoqëritë e sotme, që edhe pse të zhvilluara shumë në raport me lirinë dhe të drejtat e njeriut ngelen shumë të cunguara”, tregon regjisori Milto Kutali mbi veprën e tij, që këtë herë është një monodramë. Mesazh tjetër i rëndësishëm sipas regjisorit që përcjell kjo pjesë ka të bëjë me faktin dhe se risjell në vëmendje mungesën e komunikimit. “E dyta, është që është e rëndësishme te mesazhi i saj, njerëzit duhet patjetër të gjejnë mundësinë e komunikimit me njëri-tjetrin. Njerëzit nuk arrijnë të merren vesh, nuk arrijnë të komunikojnë me njëri- tjetrin”, shprehet më tej regjisori Kutali mbi këtë monodramë. “Rrno vetëm për me tregue” është një libër i At Zef Pllumit i botuar në Tiranë në vitin 2001 nga shtëpia botuese “Hylli i Dritës”. Titulli në fjalë është vëllimi i tretë i “Rrno vetëm për me tregue”. Vëllimi i parë është botuar në vitin 1995, ndërsa vëllimi i dytë në vitin 1997. Redaktori i librit, sikundër edhe në dy vëllimet e para, është Aurel Plasari. At Zef Pllumi lindi më 7 prill 1924 në Malin e Rencit në rrethin e Lezhës. Që në moshën e vogël hyri në Kolegjin Françeskan në Shkodër dhe ndoqi mësimet fillore e të mesme në Liceun "Yllyricum". Në 1946 At Zef Pllumi ishte ndër klerikët që u dënua nga regjimi i asaj kohe. Shkrimtari i njohur At Zef Pllumi është dekoruar me çmimin “Nderi i Kombit” dhe nga Konkursi i Shkrimtarëve me çmimin “Penda e Artë”. U nda nga jeta më 26 shtator më 2007.

Login to post comments