Sokol Marsi: Ky është çelësi i suksesit në Eurovision

Tuesday, 29 May 2018 12:20

Sokol Marsi është një nga ata që ia ka parë më shumë hajrin Eurovizionit, jo si kompozitor por si tekstshkrues.  Kompozitori i mirënjohur Sokol Marsi mban postin e Drejtorit muzikor të Festivalit të Këngës në RTSH. Në një intervistë në media ai  shprehet se ky vit ishte një histori suksesi dhe Shqipëria pas disa vitesh ishte sërish në finalen e Festivalit Europian. Për drejtorin Marsi kënga, baleti, skenografia, ndriçimi, performanca etj., si elementë të Eurovision duhet të jenë në nivel maksimal për të pasur edhe një sukses dhe synimi është që të jemi ndër 22 vendet e përzgjedhura në natën finale dhe të bëjmë një përfaqësim sa më dinjitoz.

“Eurovision është eventi më i rëndësishëm artistik, që organizohet nga EBU-ja dhe si i tillë i kushtohet shumë vëmendje në Europë dhe më gjerë. Sivjet, Shqipëria për mua u paraqitet denjësisht dhe korri një sukses të madh, pasi u rikthye pas disa vitesh sërish në finale dhe u vlerësua mjaft pozitivisht në renditjen finale, pra ky vit me pak fjalë ishte një histori suksesi. Është njëri prej atyre rasteve kur kënga fituese në festivalin tonë arrin majat e suksesit edhe në Europë, dhe për këtë sigurisht që ka sukses absolut festivali, pasi përzgjedhja e fituesit është një element kyç për sa i përket përfaqësimi në Eurovision, jo gjithmonë ka ndodhur kështu. Nuk është e lehtë në shumë raste të evidentosh atë këngë, e cila do të ketë sukses edhe në Eurovision, por kur konfirmohet atëherë është qershia mbi tortë.

Eurovision në tërësinë e tij është një event multi-dimensional, që do të thotë në çdo element duhet të plotësosh parametrat e duhur. Kënga, baleti, skenografia, ndriçimi, performancë etj, si elementë të tij duhet të jenë në nivel maksimal për të pasur edhe një sukses absolut. Synimi ynë në këtë rast është që të jemi ndër 22 vendet e përzgjedhura në natën finale dhe të bëjmë një përfaqësim sa më dinjitoz. Nuk duhet të harrojmë asnjëherë se ka shtete donatorë që paguajnë për organizmin e Eurovisionit si pshë Anglia, Franca apo Spanja, që në rastet kur kemi qenë finalistë janë renditur gjithmonë pas Shqipërisë. Me këtë nuk dua të nënkuptojmë se ne qëndrojmë artistikisht më lart se ata, por dua të nënvizojmë se konkurrojmë gjithmonë si të barabartë dhe nuk ka kurrfarë paragjykimi, por gjithmonë duhet të jemi konkretë, realistë dhe koherentë pa delire dhe euforizma të panevojshme. Ky është çelësi.

Modifikuar më Tuesday, 29 May 2018 12:29
Login to post comments