Katër shqiptarë, pjesë e një bande grabitësish u arrestuan mbrëmë nga agjentët e skuadrës së lëvizshme të Casertas në Itali. Ata janë Meritan Tasha, 22 vjeç, Kostandin Cera, 34 vjeç, Adem Bodini, 27 vjeç, të gjithë të parregullt në Itali dhe Mensur Daci, 32 vjeç.
Ata akuzohen për grabitje, kundërshtim të një zyrtari publik, tentativë vrasjeje, vjedhje, posedim i mallrave të vjedhura, etj.
Gjatë një shërbimi të kontrollit territorial, në zonën e Santa Maria Capua Vetere, policët panë një “Alfa 147” të lëvizte në mënyrë të dyshimtë dhe vërejtën katër persona brenda makinës, të cilët ngadalësuan në afërsi të shtëpive private.
Sjellja e katër të rinjve tërhoqi vëmendjen e agjentëve që filluan t’i ndiqnin. Gjatë ndjekjes 4 shqiptarët, pasi e lanë makinën në rrugë, u panë duke hyrë në një rrugë periferike për të humbur gjurmët. Policët vazhduan kërkimet në zonë dhe arritën të binin në gjurmët e tyre duke i gjetur të katër brenda makinës dhe me një objekt të madh të errët që mund të shihej nga bagazhi.
Makina u ndoq në një distancë duke kaluar zonat e Teverolës, Frattaminore deri në Via Atellana di Caivano, një vend ku makina u bllokua nga agjentët. Rezultati ishte një reagim i dhunshëm nga kriminelët, dy prej të cilëve, pasi goditën dy agjentë që ndërhynë, arritën të iknin.
Dy të tjerët qëndruan në makinë, dhe në tentativë për t’u larguar u përplasën fillimisht me një makinë të policisë dhe pastaj goditën një nga policët në këmbë, duke e rrëzuar përtokë. Filloi ndjekja sërish dhe makina e autorëve u kap në periferi të Caivanos.
Gjatë operacionit dhe reagimit të tyre të dhunshmë, njëri prej autorëve i armatosur, është plagosur në këmbë nga një prej policëve.
Tjetri, shoferi i automjetit, po përpiqej sërish për t’u larguar, duke lëvizur me shpejtësi me makinë dhe u kap pas disa minutave ndjekje kur si makina e autorit ashtu edhe ajo e policisë përfunduan jashtë rruge.
Brenda mjetit të grabitësve u gjetën një televizor dhe bizhuteri të ndryshme ari, si rezultat i një vjedhjeje të kryer disa orë më parë në një banesë në Santa Maria Capua Vetere, pronarët e të cilës ishin me pushime. Në makinë u gjetën edhe disa mjete për vjedhje.
Nga ai moment policët u vunë në kërkim në gjithë Komunën e Caivanos, për dy hajdutët e tjerë të cilët që ishin arratisur, të cilët u panë duke dalë nga një “Audi” i zi dhe duke hyrë në një shtëpi të vendosur në qendrën historike të qytetit napoletan, ku u arrestuan.
Brenda shtëpisë u gjetën shuma parash, ora, shishe me pije alkoolike me vlerë të madhe dhe objekte të ndryshme të çmuara për posedimin ë të cilëve nuk ishin në gjendje të jepnin sqarime. U gjet gjithashtu edhe unaza e martesës që i përkiste pronarit të banesës së Santa Maria Capua Vetere.
Tre grabitësit u arrestuan dhe u dërguan në burgun e Poggioreale ndërsa të plagosurit iu komunikua arresti në spitalin civil në Frattamaggiore.
Nga hetimet e kryera mbi katër të arrestuarit, doli ndër të tjera se Daci ishte arrestuar, në mars 2017, për pjesëmarrje në oraganizatë kriminale që merrej me vjedhjet e shtëpive dhe ishte liruar më 18 janar; ndërsa Cera ishte arrestuar në dhjetor 2017 për një vjedhje dhe u lirua nga burgu në mars të vitit 2018. Dy bashkëpunëtorët kishin gjithashtu disa precedentë për krime ndaj pronës.