President i Serbisw Aleksandar Vuçiç do të nisë këtë të shtunë vizitën e paralajmëruar dyditore në Kosovë, me një agjendë të përcaktuar qartë dhe të ngjeshur.
Ai pritet të shkelë në tokën kosovare në orën 14:00, duke hyrë nga pika e kalimit kufitar të Bernjakut, për të vijuar më pas drejt Zubin Potokut.
Ndalesën e parë, edhe pse ishte në dilemë deri pak përpara darkës së ditës së premte për shkak të vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës që ia ndalonte, ai do ta bëjë në orën 15:00 në Gazivodë, apo liqenin e Ujmanit siç njihet për shqiptarët e Kosovës.
Rreth 40 minuta më vonë, presidenti serb do të ndalet në Leshak, ku në orën 17 do të ndalet në Shkollën Bujqësore të këtij rajoni, për të vijuar më pas me vizitën në hollin e Pallatit të Sportit në Leposaviç në 17:45.
Në mbrëmje, rreth orës 19:00 ai do të mbërrijë në Zveçan, qytet ku do të kalojë edhe natën.
Agjenda është mësuar e detajuar nga “KosovaPress”, sipas së cilës, dita e dytë e Vuçiçit në Kosovë do të nisë me vizitën 30-minutëshe në Qendrën Shëndetësore të Mitrovicës, të dielën në orën 8:00, për t’u kthyer sërish në Zveçan.
E diela parashikon edhe vizitat në fshatin Banjë, sërish në Mitrovicë, e më tej në orën 13:00 do të largohet nga Kosova përmes pikës kufitare të Jarinjës.
Vizita e tij në Kosovë vjen pas (mos)takimit të dështuar në Bruksel, duke bllokuar në këtë mënyrë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian mes dy vendeve, pikërisht për shkak të deklaratave të autoriteteve kosovare se nuk do ta lejonin Vuçiçin të vizitonte liqenin e Ujmanit.
Por, pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve, agjenda e tij u miratua e plotë me qëllim mospërshkallëzimin e tensioneve mes Prishtinës dhe Beogradit.