Drejtori i Qendrës për Politika të Jashtme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Luke Coffey, ka thënë se SHBA-ja nuk duhet të mbështesë idenë për shkëmbime të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Coffey këtë shkrim e ka publikuar në faqen e “ The Heritage Foundation”, fondacion ky i cili shtrirjen e tij më të madhe e kishte pasur gjatë qeverisjes së presidentit Ronald Regan nga Partia Republikane dhe ka lidhje të ngushta me këtë parti.
Ai thotë se shteti amerikan duhet pasur kujdes kur flitet rreth kësaj ideje. “Politikë bërësit në SHBA duhet të jenë të vetëdijshëm për rreziqet që paraqet ndarja e më tejshme e Ballkanit në linja etnike dhe fetare. Rajoni ka kaluar një valë ndryshimesh kufitare në vitin 1990 dhe gjatë kësaj periudhe kanë vdekur më shumë se 100 mijë njerëz dhe miliona të tjerë u zhvendosën”, ka thënë Coffey, transmeton Gazeta Express.
Sipas tij një lëvizje e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të nxiste edhe vendet tjera për ndryshime të tilla.
“Kjo mund të thuhet veçanërisht për rajonet e tjera të Ballkanit si Bosnja (me entitetin etnik serb Republika Srpska), Maqedoninë (me rajonet etnike shqiptare) dhe madje edhe në Serbi ( në rajonin me shumicë myslimane në Sanxhak dhe Vojvodinë”, ka shtuar ai.
Ai thotë se ky precedent i riorganizimit të kufijve në Evropë bazuar në linja etnike mund të përhapet shumë lehtë në krejt Ballkanin.
Coffey shton se një gjë të tillë mund ta shfrytëzojë edhe Rusia si justifikim për veprimet e saja në Moldavi, Gjeorgji dhe Ukrainë.
“Madje këtë mund ta bëjnë edhe vendet tjera si Estonia dhe Letonia ku jetojnë pakica të konsiderueshme ruse që jetojnë atje”, thotë ai, transmeton Gazeta Express.
Coffey potencon se Shtetet e Bashkuara kanë investuar jashtëzakonisht shumë në Kosovë, dhe se kanë përgjegjësi për atë se çfarë ndodh në Kosovës. Ai propozon që administrata e Donald Trump të distancohet publikisht nga çfarëdo propozimi për shkëmbime të territoreve, sepse sipas tij një lëvizje e tillë e kufijve dëmton edhe interesat e SHBA-së.
Përveç kësaj ai thotë që SHBA-ja duhet të rritë presionin ndaj Serbisë dhe Kosovës që të veprojnë me maturi.
“SHBA-ja duhet t’i tregojë Serbisë se rruga e saj drejtë integrimit euroatlantik kalon përmes normalizimit të raporteve me Republikën e Kosovës”.