Vizita e Thaҁit në Ujman shqetësoi tej mase Beogradin

Diel, 30 September 2018 13:34

Presidenti serb Aleksandër Vuҁiq tha me prezencën e njësive speciale të policisë së Kosovës ROSU në veri të Kosovës, u kërcënua dhe u sulmua paqja. KFOR-i, po vazhdon ta monitorojë situatën në veri.

 Vizita e Presidentit të Kosovës Hashim Thaҁi në veri të Kosovës, ngriti shqetësime në Beograd, sa bëri që Presidenti serb Aleksandër Vuҁiq të japë urdhër për gatishmëri të ushtrisë serbe ndërsa, në orët e mbrëmjes t'i drejtohet edhe popullit me një fjalim në television. Presidenti Thaҁi, gjatë kohës që në Prishtinë zhvillohej protesta e Vetëvendosjes kundër një marrëveshjeje Thaҁi-Vuҁiq për shkëmbim territori, ai shëtiti me një barkë në liqenin e Ujmanit në veri të Kosovës, që është pjesë e bisedave e Kosovë-Serbi. Kjo vizitë e papritur e presidentit në veri sigurohej nga njësite speciale të policisë së Kosovës, ROSU. E pikërisht njësitet ROSU, te liqeni i Ujmanit ishte shqetësimi kryesor i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciq.

"Hyrja e forcave speciale të Kosovës, ROSU, ditën e shtunë në veri të Kosovës, përbën sulm të armatosur banditësh". Me hyrjen e njësive speciale ROSU në veri të Kosovës u kërcënua dhe sulmua paqja. Operacioni përfshiu 110 deri në 130 anëtarë të forcave speciale të Kosovës, të gjithë shqiptarë, që kanë zënë rrugë hyrëse dhe të gjitha objektet pranë Ujmanit, duke keqtrajtuar brutalisht disa persona dhe duke mbajtur peng katër nga ta", tha Aleksandër Vuçiq.

Më tej ai shtoi se me "dhunën e sotme" janë shkelur disa marrëveshje të mëhershme Kosovë-Serbi.

"Përfaqësuesit e Kosovës treguan se këto marrëveshje nuk i obligojnë ata dhe për më tepër, ata e kanë mbështetjen e aleatëve të tyre perëndimorë. Shqiptarët e armatosur në veri të Kosovës, sipas marrëveshjeve që kemi arritur, mund të shfaqen vetëm me përmbushjen e dy kushteve: me miratimin e NATO-s dhe me pëlqimin e plotë të komunitetit lokal serb. Nuk e di nëse kanë pasur pëlqimin e NATO-s, por kushti i dytë është shkelur plotësisht", tha presidenti serb Vuciq.

"Sot autoritetet e Prishtinës për herë të tretë në muajt e fundit, në mënyrën më provokuese të mundshme kanë kërcënuar dhe sulmuar paqen dhe është tentuar që nga Serbia të marrin përgjigje, e cila do të mund të përdorej për demonizimin e shtetit tonë, së bashku me pjesëmarrjen e bashkësisë ndërkombëtare", deklaroi Vuҁiq, duke shtuar se "ajo çka ndodhi është dëshmi se ata kanë tentuar të tregojnë që nuk i respektojnë marrëveshjet e Brukselit".

E nga ana e tyre Forcat Paqeruajtëse të KFOR-it konfirmuan prezencën e njësiteve speciale ROSU në veri të Kosovës, ndërsa, nuk thanë nëse kanë qenë paraprakisht të njoftuar për vizitën e presidentit në liqenin e Ujmanit. Në një komunikatë per medie, KFOR-it bëri thirrje për qetësi dhe përmbajtje.

"Prezenca e policisë së Kosovës në Gazivodë është konfirmuar. Kjo ka qenë pjesë e personelit përgjegjës për mbrojtjen e Presidentit të Kosovës, i cili ka vizituar rajonin e Zubin Potokut. KFOR-i e ka shoqëruar prezencën e njësive speciale ROSU dhe ne do të vazhdojmë ta monitorojmë situatën më patrulla dhe helikopter", thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Që njësitë speciale të policisë së Kosovës, ROSU, ishin në shoqërim të Presidentit Thaҁi, e konfirmoi edhe ky i fundit. Ndërkohë, në një komunikatë për medie në orët e mbrëmjes së ditës së shtunë (29.09), Presidenti tha se gjatë vizitës në veri "kisha kënaqësinë që në një vizitë krejt rutinë normale të punës, të vizitoj pikën kufitare në Bërnjak, të takoj policë kosovarë, të takoj kufitarët në pikën IBM, të instaluar nga rezultatet e bisedimeve në Bruksel. Ishte një mrekulli t'i shihje të gjithë njerëzit duke punuar, të nacionaliteteve të ndryshme, shqiptarë, serbë e boshnjakë, të gjithë pa dallime në shërbim të rendit, në shërbim të ligjit, në shërbim të së mirës, në shërbim të lëvizjes së lirë të njerëzve, të mallrave, pra një gjendje krejt normale", tha presidenti Thaçi.

Sidoqoftë, dialogu Kosovë-Serbi i paralajmëruar që të hyjë në fazën finale të një marrëveshjeje përfundimtare sa vjen e vështirësohet me deklarata dhe veprime të autoriteteve të Beogradit dhe Prishtinës. Tre javë më parë ishte Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuciq, i cili gjatë vizitës në Kosovë mbajti konferencë mbi Digën e liqenit të Ujmanit, duke përcjellë kështu mesazhin "për rëndësinë që ka ky liqen për Serbinë". Kjo nxiti reagimin e Prishtinës zyrare duke e cilësuar të papranueshme dhe jo të zakonshme sipas tyre që "një president i një shteti fqinjë të flasë për asetet e Kosovës, sikurse të ishin të tijat". E Bashkimi Evropain nga ana e tij që lehtëson dialogun Kosovë-Serbi edhe kësaj radhe bëri thirrje për përmbajtje nga të dyja palët. Bekim Shehu DW

Login to post comments