Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një konferencë për media, pas vizitës zyrtare në ShBA, ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë të shqetësohen lidhur me marrëveshjen e mundshme me Serbinë, pasi nuk do të ketë lëvizje të kufirit apo territorit.
Haradinaj në konferencën e mbajtur në Aeroportin e Kosovës, tha se Kosova e ka bekimin e Amerikës, departamentit të mbrojtjes për ushtrinë e Kosovës dhe ky është lajmi më i mirë që e sjellin kësaj radhe nga Amerika.
Ai tha se në të gjitha takimet në Amerikë kanë shprehur pikëpamjet e Prishtinës për marrëveshjen eventuale me Serbinë. “Të gjithë kanë shprehur pikëpamjen se një marrëveshje e obligueshme për njohje me Serbinë është i nevojshme dhe Kosova mbetet në dialog por jo përmes lëvizjes së kufijve apo territorit. Ju siguroj që nuk keni arsyeje të shqetësoheni pasi ata nuk kanë sugjeruar si të vijmë deri të marrëveshja me Serbinë, pra ata nuk kanë sugjeruar lëvizjen e kufijve apo shkëmbimin e territoreve“, ka thënë ai.
Haradinaj i pyetur nga KosovaPress, komentojë edhe reagimin e liderit të listës serbe, Goran Rakiç, pas vizitës së Presidentit Thaçi në veri, duke thënë se duhet të shkojë prapë, në çdo cep të Kosovës. "Ujmani është i të gjithëve që jetojnë në Kosovë, i shqiptarëve, serbëve, të gjitha komunitteve. Edhe presidenti është i të gjithë qytetarëve të Kosovës, pra ka shkuar në veri, duhet të shkojë prapë, në çdo cep të Kosovës. Pra ëshë Kosovë edhe veriu edhe jugu", tha Haradinaj.
Përndryshe, kryetari i Listës Serbe dhe njëherit kryetari i Komunës Veriore të Mitrovicës, Goran Rakiç, ka thënë se nëse KFOR-i nuk arrin që të mbrojë serbët atëherë shteti serb duhet t’i mbrojë ata dhe pronat e tyre.
“Nëse KFOR-i nuk dëshiron, atëherë unë si kryetar i Listës Serbe, ftojë shtetin e Serbisë që të mbrojë serbët dhe pronat e tyre. Duhet t’ua bëjmë me dije të gjithëve se një gjë të tillë nuk do ta lejojmë që të përsëritet. Ne së bashku me popullin do ta mbrojmë lirinë dhe pronën tonë, sepse Gazivoda është e Serbisë”, ka thënë Rakiç.