Kërkohet dorëheqja e Zaev, VMRO-DPMNE: Duam qeveri teknike

E Enjte, 04 October 2018 09:08

Partia me e madhe opozitare në Maqedoni, VMRO-DPMNE ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Zaev pas referendumit për ndryshimin e emrit të mbajtur fundjavën e kaluar.

Në mbledhjen e Komitetit Qendror dhe Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, mes tjerash u vendos që të mos njihet rezultati i referendumit dhe të formohet qeveri teknike.

“Mund të informoj opinionin se janë shqyrtuar informacionet në lidhje me referendumin e mbajtur, situatën aktuale politike dhe disa konkluzione rreth veprimeve për periudhën e ardhshme. Komiteti Ekzekutiv shpalli referendumin të pasuksesshme, duke pasur parasysh se dalja e vetëm 36 për qind të votuesve, tregoi vullnetin e qartë të popullit kundër pranimit të kësaj marrëveshjeje”, deklaroi Aleksandar Nikollovski, deputet i VMRO-DPMNE-së, duke shtuar se nëse Zaev ka ndërmend të shpallë zgjedhje të parakohshme, paraprakisht duhet plotësuar disa kushte.

“Është e nevojshme që menjëherë të respektohet Marrëveshja dhe Ligji për zgjedhjet ku do të formohet një qeveri teknike sipas “Marrëveshjes së Përzhinës”, me një mandat prej 100 ditësh. Kjo do të thotë dorëheqjet e Zaevit, Spasovskit dhe Carovskës dhe ministrat për Punë të Brendshme dhe për Punë dhe Politikë Sociale t’i takojnë VMRO-DPMNE-së, në afat prej 100 ditë. Vetëm kjo është parakusht për zgjedhje të lira dhe demokratike”, u shpreh Nikollovski.

Login to post comments