Deputeti i Parlamentit të Gjermanisë, Peter Beyer, ka folur për takimin që ka pasur sot në mëngjes me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Kur ky ia ka prezantuar qëndrimin gjerman se ndryshimi i territoreve, apo shkëmbimi është ide me rrezik të lartë, Thaçi i ka thënë: “Unë jam president i këtij vendi, unë vendos".
Deputeti gjerman tha se Parlamenti i Kosovës është institucioni kryesor që duhet te vendos për çështje të tilla, raporton Koha Ditore. Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve kërkon zgjidhje të qëndrueshme. Këto komente i ka bërë gjatë një takimi me gazetarë.
Ndryshe nga Beyer, përmes rrjetit social Facebook, Thaçi nuk ka përmendur reagimin e tij ndaj qëndrimit gjerman.
“Sapo përfundova një takim me deputetin gjerman nga radhët e CDU-së, Peter Beyer, me të cilin biseduam për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, situatën politike në rajon si dhe për dialogun Kosovë – Serbi, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke. Jemi mirënjohjes për mbështetjen gjermane në procesin e shtetndërtimit në Kosovë. Shteti gjerman vazhdon ta mbështes procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare”, ka shkruar Thaçi.